
“Mbyte veten” – nëna në Pejë denoncon djalin dhe vajzën për dhunë psikike e fizike
Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar në Pejë, ku një grua ka denoncuar djalin dhe vajzën e saj për maltretim psikik dhe fizik, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Ngjarja është raportuar më 7 maj 2026 në rrugën “Adem Jashari” në Pejë.
Sipas informatave, viktima Gj.I (66-vjeçare) është paraqitur në stacionin policor, ku pas konsultimit me neuropsikiatrin është intervistuar në prezencën e tij si person i dëmtuar.
Burimet bëjnë të ditur se ajo ka deklaruar para Policisë se djali dhe vajza e saj, M.I dhe B.I, gjatë natës së kaluar fillimisht i janë drejtuar me fjalët “mbyte veten”, e më pas, sipas saj, kanë vazhduar me maltretim psikik dhe fizik.
Pas denoncimit, Policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarve për t’i lokalizuar.
Në vendngjarje është gjetur dhe arrestuar e dyshuara B.I, e cila është shoqëruar për intervistim, ndërsa M.I nuk është gjetur në shtëpi dhe Policisë i është dashur t’i lërë ftesë për paraqitje.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës hetimore për veprën penale “Dhunë në familje”.
Pas intervistimit, viktima është kthyer në shtëpinë e saj, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.