Reagim nga Shqipëria për sulmet mbi Kuvajt: Zoti qoftë me ta!
Një ndër figurat e njohura të jetës islame në Shqipëri, Dr. Arben Ramkaj, njëherësj ish-student në Kuvajt, ka reaguar me pezm ndaj sulmeve ndaj këtij vendi të Gjirit, duke u shënjestruar infrastruktura jetike.
“Është e papranueshme që të goditen ujësjellësit dhe infrastruktura energjetike, sidomos në vende që nuk kanë asnjë lidhje me luftën. Vetëm pak minuta më parë u raportua një tjetër akt i rëndë agresioni, ku u goditën drejtpërdrejt rezervat e ujit në Kuvajt , një vend që, si shumë shtete të Gjirit, siguron ujin e pijshëm përmes desalinizimit të ujit të detit”, shkruan Ramkaj.
Siç vijon ai, “sulme të tilla nuk janë thjesht veprime ushtarake — ato përbëjnë goditje direkte ndaj jetës së civilëve dhe tregojnë një nivel të papranueshëm dhe çnjerëzor dhune.
Zoti qoftë me ta!
Mendimet dhe lutjet e mia janë me të gjithë të prekurit. Shpresojmë me gjithë shpirt që kjo luftë e padrejtë të përfundojë sa më shpejt”.
Më tej, Ramkaj ka dhe një apel: “I bëj thirrje autoriteteve shqiptare që, përmes pjesëmarrjes në organizata ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe forume të tjera ndërkombëtare, të reagojnë qartë dhe të mbështesin vendet e Gjirit, veçanërisht Kuvajtin, përballë këtij agresioni.
Kjo thirrje buron edhe nga një ndjenjë e thellë mirënjohjeje, pasi Kuvajti ka treguar një solidaritet të jashtëzakonshëm ndaj Shqipërisë, duke kontribuar me mbi 150 milionë euro donacione direkte për qytetarët shqiptarë gjatë 30 viteve të fundit.
Mirënjohja është virtyt profetik — dhe në kohë të vështira, ajo duhet të shprehet me qëndrim, me zë dhe me veprim.
Gjithashtu, i bëj thirrje shoqërisë civile që të ngrejë zërin, të reagojë publikisht dhe të adresojë ankesa dhe kërkesa pranë institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare për të dënuar këto akte dhe për të mbrojtur të drejtat e civilëve.
Gjithashtu besoj qe kjo lufte nuk rëndon vetëm vendet gjirit, Iranin apo Izraelin, por ka pasoja për të tërë globin”.