
Dhunë në familje në Gjakovë – babai denoncon kërcënimet nga djali, i dyshuari në arrati
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është raportuar pasditen e së martës në fshatin Osek Pashe të Gjakovës, ku një prind ka kërkuar ndihmën e Policisë pas kërcënimeve që dyshohet se i janë bërë nga djali i tij.
Ngjarja ka ndodhur më 03.02.2026, rreth orës 17:00, kur viktima Sh.Ll., rreth 68-vjeçar është paraqitur për të raportuar se ishte kërcënuar nga djali i tij, i dyshuari S.Ll., rreth 27-vjeçar.
Sipas deklarimit të viktimës, ai është ndier i frikësuar nga sjellja e të dyshuarit, megjithatë ka refuzuar trajtimin mjekësor dhe, me vullnetin e tij, është kthyer sërish në shtëpinë e tij.
Pas incidentit, i dyshuari është larguar nga shtëpia në drejtim të panjohur, ndërsa njësitet policore kanë ndërmarrë kërkime në disa lokacione, por arrestimi i tij nuk është arritur deri më tani.
Lidhur me rastin është konsultuar Prokurori kujdestar, ndërsa rasti është iniciuar dhe mbetet nën hetime. Policia ka bërë të ditur se kërkimi për të dyshuarin do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.