[There are no radio stations in the database]

Turqi, përfundon Takimi i Dijetarëve të Ballkanit në Edirne

Ka përfunduar “Takimi i 2-të i Dijetarëve të Ballkanit” i cili u mbajt në qytetin Edirne të Turqisë, raporton Anadolu.

I organizuar nga Zyra e Guvernatorit të Edirnesë dhe në partneritet me fondacionin “Mimar Sinan” të Edirnesë dhe Platformën e Bashkëpunimit të Qyteteve të Ballkanit, në takim morën pjesë kryemuftinj, mufti dhe dijetarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Serbia, Bosnjë e Hercegovina, Trakia Perëndimore, Bullgaria, Rumania, Sllovenia, Mali i Zi, Kroacia dhe Krimea.

Deklarata përfundimtare e përgatitur në fund të takimit u lexua nga kryetari i Fondacionit të Dijetarëve Islam, prof. dr. Nasrullah Hacimuftuoglu. Ai deklaroi se në takim u shkëmbyen pikëpamje mbi një gamë të gjerë temash, nga shërbesat fetare dhe aktivitetet kulturore, te çështjet familjare dhe uniteti i umetit si dhe kryesisht situata aktuale në Gaza.

Hacimuftuoglu tha se bota islame në veçanti, duhet të jetë më aktive në parandalimin e gjenocidit në Gaza.

“Pavarësisht dispozitave të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, të cilat theksojnë dinjitetin njerëzor, vëllazërinë njerëzore dhe mbrojtjen e të drejtës së jetës së çdo qenieje njerëzore pa diskriminim, shteti terrorist sionist i Izraelit para syve të të gjithë njerëzimit ka kryer gjenocid në Gaza për më shumë se dy vjet, me mbështetjen e fuqive sunduese që nënshkruan deklaratën”, tha ai duke shtuar se:

“Përballë kësaj situate, i gjithë njerëzimi veçanërisht bota islame, duhet të jetë aktiv në parandalimin e gjenocidit dhe duhet t‘i kushtojë vëmendje punimeve që japin rezultat”.

“Pavarësisht angazhimit të shteteve anëtare për të siguruar respektimin dhe monitorimin universal të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në bashkëpunim me OKB-në, heshtja e tyre dhe përkundrazi mbështetja e tyre për Izraelin, i cili pa dallim shënjestron çdo qenie të gjallë në Gaza – foshnje, fëmijë, gra, të moshuar dhe civilë ka demonstruar se ato po veprojnë me standarde të dyfishta”, tha ai.

– “Ata vazhdojnë gjenocidin pavarësisht armëpushimit”

Hacimuftuoglu tha se i gjithë njerëzimi, veçanërisht muslimanët duhet të ndërmarrin veprime në aspektin social, ekonomik dhe politik për të ndaluar gjenocidin brutal në Gaza dhe për të shpëtuar dinjitetin njerëzor.

“Veprimet e iniciativat civile që i janë bashkuar Flotiljes Globale ‘Sumud’ dhe Flotiljes së Lirisë për Gazën të cilat janë shfaqur si një lëvizje e ndërgjegjes civile në të gjithë botën në ditët e fundit, i kanë shqetësuar dhe ndikuar sionistët”, tha Hacimuftuoglu i cili shtoi se këto dhe veprime të ngjashme duhet të intensifikohen për të ndaluar regjimin sionist, i cili vazhdon të kryejë gjenocid pavarësisht armëpushimit dhe me justifikimet që ai vetë sajon.

– “Struktura e familjes dhe vlerat morale po vihen në shënjestër”

Hacimuftuoglu theksoi se fuqitë globale po shënjestrojnë strukturën e familjes dhe vlerat morale me projektin e një brezi pa gjini, kombësi dhe pa fe, të imponuar përmes politikës, ligjit, ekonomisë, kulturës, medias dhe arsimit.

“Familja nuk është vetëm strukturë e themeluar nga një kontratë ligjore. Në të njëjtën kohë ajo është një institucion fetar dhe moral. Prandaj, për të forcuar strukturën familjare, duhet t’i kushtohet vëmendje ndaj dinamikës shpirtërore po aq sa edhe masave materiale. Në përpjekjet për të vendosur lidhjen midis fesë dhe jetës, duhet të tregohet kujdes ndaj qëllimit të krijimit të një mendësie të përqendruar te Perëndimi, të imponuar nga orientalizmi. Përndryshe, do të krijohet bazë që do të çojë në pushtimin e mendjeve, largimin nga vetvetja, konfuzionin e vlerave dhe shpërbërjen e umetit”, shtoi Hacimuftuoglu.

Ai tha se prej kohësh janë bërë përpjekje për të kryer ndarje të umetit islam përmes strukturave etnike dhe grupeve fetare dhe se pasojat e dhimbshme të kësaj vazhdojnë të përjetohen në të gjithë botën islame.

– “Dijetarët duhet të jenë aktivë”

Hacimuftuoglu thekson rëndësinë e takimeve më të shpeshta të dijetarëve islamë dhe udhëheqësve të opinionit në një frymë uniteti dhe solidariteti për të kontribuar në zgjidhjen e këtyre problemeve serioze.

Sipas tij, çdo institucion dhe organizatë duhet të bëjë pjesën e saj për të siguruar që këto takime të japin rezultate. “Organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet zyrtare duhet të jenë të ndjeshëm për të parandaluar që incidente të caktuara të rendit publik që lindin nën ndikimin e agjentëve të huaj ose armiqësive personale në rajonin ku jetojmë, veçanërisht në Ballkan dhe që plagosin ndërgjegjen publike, të mos shkaktojnë provokime”, tha Hacimuftuoglu.

Ai thotë se edhe dijetarët që jetojnë në ato rajone duhet të jenë më aktivë në qetësimin e situatës dhe parandalimin e dëmeve të mëtejshme. “Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet parimit të përgjegjësisë individuale të krimit dhe dënimit. Nuk duhet t’u jepet mundësia fjalëve dhe veprimeve që inkriminojnë një shoqëri të tërë”, u shpreh Hacimuftuoglu.


[There are no radio stations in the database]