
Mesazh falënderimi, për një mbrëmje që preku zemrat e të gjithëve
Faleminderit nga zemra!
Ishte një natë e paharruar, plot emocion dhe vëllazëri, ku myslimanët nga vende të ndryshme treguan edhe një herë se zemra e tyre rreh për bamirësi.
RTV Pendimi organizoi një emision special për të tubuar mjete financiare me qëllim sigurimin e një strehe të denjë për vëllain tonë Avniun dhe familjen e tij, pasi u njohëm me gjendjen e tyre të vështirë të banimit.
Nën moderimin e Hevzi Hasanit dhe Luljeta Beqirit, emisioni zgjati më pak se 3 orë, por rezultatet ishin të mëdha – u tubuan gjithsej 37,000 euro, gati gjysma e shumës së nevojshme prej 80,000 euro.
Mbi 180 zemra bujare kontribuan në këtë projekt, duke treguar se dashuria për të ndihmuar është ende gjallë në mesin tonë.
Ne lusim Allahun e Madhërishëm t’i shpërblejë me të mira të pamatshme të gjithë ata që dhuruan, u lutën dhe e mbështetën këtë nismë të bekuar.
Aksioni vazhdon, derisa të arrihet plotësisht shuma e nevojshme, që Avniu dhe familja e tij të gëzojnë një shtëpi të re e të ngrohtë.
Me shumë dashuri dhe mirënjohje,
Stafi i RTV Pendimi