
E sëmurë nga sihri e di kush ma ka bërë – çfarë të bëj?
Selam alejkum.
Jam një motër muslimane dhe kam një pyetje.
Jam e sëmurë prej shirrit dhe e di personin kush është.
Është gruaja e agjit tim, e afërt me mua, dhe më ka bërë shir.
Çdo ditë më bie të fikët.
Më ka shkuar mendja të shkoj në shtëpi dhe ta mbyt atë…
Të lutem, më jep një këshillë. ❤️❤️
Alejkumselam motër. Çështja e parë është se të akuzosh dikë se të ka dëmtuar duhet të kesh argument të qartë e të prerë. Përndryshe çdo gjë tjetër mbetet dyshim dhe supozim, a neve Allahu na porositi: “O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah… ” (Huxhurat, 13)
Nëse ajo vet e ka pranuar apo keni argumente të qarta, atëherë e këshilloni atë grua që ti largohet veprimeve të saj sepse marrja me sihër është mëkat shumë i madh e shkatërrues, madje kufër (femohim). Ebu Hurejra,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Muhamedi,- salallahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Largohuni nga shtatë mëkatet shkatërruese.” Thanë: “Cilat janë ato, o i Dërguar i Allahut?” Pejgamberi,- alejhi selam!,- tha: “Shirku, magjia, vrasja e njeriut që ka ndalur Allahu (vrasja e njeriut pa të drejtë), ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, ikja nga beteja e luftës, dhe shpifja për imoralitet ndaj besimtareve të ndershme.” (Shënon: Buhariu: 2766- 6857 , Muslimi: 145, Ebu Davudi: 2873, Nesaiu: 6/215).
Andaj ajo duhet të pendohet dhe t’i kthehet Allahut. E ti, kapu për fenë e Allahut dhe kuptoje që kjo është sprovë. Kjo sprovë ka ndodhur me lejen e Allahut dhe Allahu është në dijeni të plotë për nevojat e problemet e tua. Andaj ktheju Allahu dhe kërko shërim prej Tij. Fale namazin me rregull, shtoje dhikrin dhe istigfarin, duatë mos i ndalë dhe jep sadaka me nijet shërimi. Konsultoju me rukjexhi që nëse është nevoja për rukje të shkosh për rukje tek ai.
Ndërsa të shkosh e të dëmtosh atë grua kjo nuk lejohet sepse ti nuk je ajo që ndëshkon. Madje kjo mund të çojë në shtimin e problemit dhe shkëputjen e lidhjeve farefisnore. Andaj larg këtij veprimi.
Secili që bën krime e padrejtësi e merr dënimin prej Allahut, herët a vonë. Lërja çështjen Allahut e ti mundohu t’i përmirësosh raportet e tua me Zotin tënd!