
Izraeli kryen atentat ndaj figurave të nivelit të lartë të Hamasit në Katar
Pas shpërthimeve në kryeqytetin e Katarit, Doha, ushtria izraelite njoftoi se ka kryer atentat me sulm ajror ndaj figurave të larta të Hamasit, transmeton Anadolu.
Shpërthime u dëgjuan në Doha. Në lajmet e mediave lokale thuhet se shpërthime u dëgjuan në një vendndodhje në qendër të Dohas.
Në pamjet në platformën e medias sociale në pronësi të kompanisë amerikane X shihet tym që ngrihej nga një vendndodhje në Doha.
Në një deklaratë me shkrim, ushtria izraelite tha se me sulmin ajror është kryer atentat kundër figurave të nivelit të lartë të Hamasit.
Në deklaratën e bërë nga ushtria nuk u dhanë detaje lidhur me vendin ku është kryer sulmi.
Një zyrtar izraelit, i cili foli në kushte anonimiteti për kanalin televiziv “Channel 12” të Izraelit pretendon se shpërthimet në Doha ishin pasojë e një sulmi izraelit.
Zyrtari në fjalë pretendon se Izraeli u përpoq të kryejë atentat ndaj figurave të larta të Hamasit në Doha.
Thuhet se Trump e miratoi sulmin
Një zyrtar i Hamasit, i cili foli në kushte anonimiteti për Al Jazeera, tha se sulmi izraelit u krye gjatë një takimi për të diskutuar një draft të ri marrëveshjeje për shkëmbimin e të burgosurve midis Tel Avivit dhe Hamasit, të paraqitur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Mediat izraelite raportuan se administrata e Tel Avivit informoi SHBA-në para sulmit dhe se Trump kishte dhënë “dritën jeshile” për vrasjen e figurave të larta të Hamasit.
Mediat raportuan gjithashtu se sulmi u krye nga avionë luftarakë.
Nga ana tjetër, në raportet e mediave izraelite dhe ndërkombëtare u pohua se zyrtarët e lartë të Hamasit, Khalil al-Hayya dhe Khaled Mashal, ishin gjithashtu të pranishëm në ndërtesën ku ndodhi sulmi.
Administrata izraelite më parë kishte kërcënuar me atentat figura të larta të Hamasit jashtë vendit.