
Kosovë, dy serbë dënohen me nga 15 vjet burgim për dhunë seksuale gjatë luftës
Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka dënuar me nga 15 vjet burgim për dhunë seksuale gjate luftës Ivica Rajkoviqin dhe Dragan Deniqin, transmeton Anadolu.
Siç njofton gjykata, dënimi do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Sipas aktakuzës të akuzuarit në bashkëkryerje me persona të tjerë të paidentifikuar, kanë kryer veprën “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Konkretisht, ata si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare kanë kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.
“Rreth datave 23-25 maj 1999, në orët e mesditës, në Komunën e Prishtinës, dy të akuzuarit I.R. dhe D.D., të uniformuar dhe të armatosur, së bashku me persona të tjerë deri tani të paidentifikuar, kishin hyrë në shtëpinë e viktimës D.1., me ç’rast burrin saj të dëmtuarin D.2. i akuzuari I.R. e kishte goditur me kondak të armës në kokë, përderisa i akuzuari D.D. e kishte kapur viktimën D.1. me forcë për krahu dhe e kishte ngreh zvarrë, e kishte dhunuar, e pas tij i afrohet i akuzuari I.R., i cili deri atëherë kishte qëndruar te dera dhe duke përdorë forcën dhe duke e ngrehur për flokësh, të njëjtën e kishte dhunuar edhe ai, ndërsa pas tij edhe personi i tretë, i cili kishte qenë me maskë në fytyrë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Tutje, bëhet e ditur se e dëmtuara kishte pësuar trauma të rënda fizike e psikike.
Me këtë rast, të akuzuarit kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë për këta persona më 14 shtator të vitit 2023.