[There are no radio stations in the database]

Meta nuk do të shfaqë më reklama politike në vendet e Bashkimit Europian

Meta do të ndalojë lejimin e reklamave politike në platformat e saj në Bashkimin Evropian që nga tetori i vitit 2025, duke fajësuar rregullat e reja “të pazbatueshme” për transparencën e BE-së për atë që e quajti një “vendim të vështirë”, raporton Engadget. Në një deklaratë të publikuar të premten nga kompania, Meta tha se rregulloret e reja për Transparencën dhe Synimin e Reklamave Politike (TTPA) i paraqesin asaj “sfida të mëdha operacionale dhe pasiguri ligjore”.

Që nga fillimi i tetorit, përdoruesit në cilëndo nga platformat e Meta në BE nuk do të shohin më reklama politike, zgjedhore apo mbi çështje shoqërore, të cilat aktualisht mund të vendosen nga reklamues që përfundojnë një proces autorizimi për të vërtetuar identitetin e tyre. Reklamat e këtij lloji gjithashtu duhet të përmbajnë një shënim “e paguar nga” dhe informacioni për shpenzimet mbi to duhet të jetë publikisht i disponueshëm.

Meta argumenton se rregullat vendosin kufizime të gjera mbi synimin dhe shpërndarjen e reklamave, duke krijuar një “nivel të papranueshëm kompleksiteti” për reklamuesit. BE-ja e prezantoi rregulloren e re për të adresuar shqetësimet e përhapura për ndërhyrjet e huaja në zgjedhje, si dhe manipulimin e mundshëm të informacionit të rëndësishëm që mund të ndikojë në mënyrën se si voton dikush.

Përveç etiketimit të reklamave politike si të tilla dhe ofrimit të informacionit mbi burimin dhe qëllimin e tyre (gjë që Meta thotë se tashmë e bën), rregullat e reja gjithashtu përfshijnë një sërë kushtesh mbi mënyrën se si përpunohen të dhënat personale. Rregullat do të ndalojnë reklamat politike të sponsorizuara nga jashtë BE-së brenda një periudhe më të shkurtër se tre muaj para zgjedhjeve apo referendumeve.

Meta tha se si rezultat i këtyre kufizimeve, përdoruesit e platformave të saj do të shohin reklama më pak të përshtatshme për ta dhe se e mori këtë vendim pas “angazhimeve të gjera me vendimmarrësit politikë”, gjatë të cilave shprehu shqetësimet e saj për kërcënimin ndaj “parimeve të reklamimit të personalizuar”.

Vendimi i kompanisë zbatohet vetëm në BE dhe përdoruesit e Meta, përfshirë politikanët që jetojnë në shtetet anëtare, do të lejohen ende të diskutojnë dhe shpërndajnë përmbajtje politike, për sa kohë që kjo nuk bëhet përmes reklamave të paguara.

Meta nuk është kompania e vetme që kundërshton ndryshimet e ardhshme të rregullave të BE-së, të cilat gjithashtu pritet të hyjnë në fuqi në tetor. Vitin e kaluar, Google ndaloi shërbimin e reklamave politike të paguara në BE, përfshirë YouTube dhe kompania përfundimisht i shpëtoi gjobave për praktikat e saj të supozuara “abuzive” të reklamimit online në vitin 2019.


[There are no radio stations in the database]