[There are no radio stations in the database]

Si do të funksionojë TVSH-ja te platformat online

Sipas kësaj direktive, operatorët do të duhet t’u japin autoriteteve tatimore informacion mbi shitësit që përdorin platformat, përfshirë të ardhurat e tyre.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në një prononcim për “Monitor”, sqaron se si po funksionon skema për arkëtimin e TVSH-së nga kompanitë ndërkombëtare që gjenerojnë të ardhura nëpërmjet përdoruesve shqiptarë.

Efektet te përdoruesit e platformave dhe pronarët që lëshojnë shtëpi me qira në Booking dhe AirBnb.

Çfarë parashikon nisma për regjistrimin e përfaqësuesve tatimorë të kompanive ndërkombëtare që gjenerojnë të ardhura në Shqipëri nga përdoruesit vendas?

Në kuadër të implementimit të prioriteteve dhe masave të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027, si dhe Strategjisë së Administratës Tatimore 2024–2028, një nga prioritetet kryesore është ulja e hendekut të TVSH-së, një nga masat për arritjen e këtij objektivi është formalizimi i tregtisë dhe shërbimeve online.

Në këtë kuadër, Administrata Tatimore ka ndërmarrë një nismë për evidentimin e shoqërive ndërkombëtare që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri, pa qenë të regjistruara në administratën tatimore.

Janë evidentuar një numër tatimpaguesish, të regjistruar dhe të paregjistruar, me qëllim trajtimin e tyre. Për të krijuar një ambient sa më konkurrues dhe të barabartë për bizneset, nga burimet e hapura të informacionit (përfshirë median dhe internetin), është identifikuar një numër tatimpaguesish që nuk rezultojnë të regjistruar në administratën tatimore me përfaqësi tatimore.

Këto subjekte sigurojnë të ardhura në Republikën e Shqipërisë, por nuk paguajnë detyrimet tatimore.

Që nga viti 2024 e në vazhdim, administrata tatimore iu është drejtuar këtyre kompanive me letra dhe njoftime të personalizuara, ku iu komunikohet detyrimi ligjor për t’u regjistruar në Shqipëri.

Deri tani rezultatet janë pozitive.

Disa kompani ndërkombëtare janë regjistruar, kanë caktuar përfaqësues tatimor në Shqipëri dhe kanë filluar deklarimin e TVSH-së.

Po ashtu, ka tatimpagues që kanë njoftuar administratën dhe kanë kërkuar kohë për t’u regjistruar me përfaqësues tatimor, por ka edhe tatimpagues që ende nuk janë përgjigjur.

Administrata Tatimore do të vijojë të këmbëngulë në këtë proces, pasi të gjitha subjektet që sigurojnë të ardhura në Republikën e Shqipërisë kanë detyrimin për t’u regjistruar dhe për të paguar TVSH-në, veçanërisht kompanitë ndërkombëtare që kanë njohuri të plota mbi funksionimin e ligjeve.

Si evidentohen nga administrata tatimore kompani ndërkombëtare me përdorues individë vendas dhe sa është numri i tyre?

Deri në momentin aktual, Administrata Tatimore ka evidentuar nga burimet e hapura të informacionit, përfshirë median dhe internetin, rreth 24 kompani ndërkombëtare që ushtrojnë veprimtari të ndryshme dixhitale dhe gjenerojnë të ardhura nga përdoruesit shqiptarë.

Këto kompani mbulojnë një gamë të gjerë aktivitetesh, nga turizmi dhe teknologjia tek argëtimi dixhital, punësimi i pavarur dhe edukimi online.

Për shkak të mungesës së një përfaqësie tatimore në Shqipëri, Administrata Tatimore ka ndërmarrë hapa për t’i detyruar këto subjekte të regjistrohen për qëllime tatimore, me synim rritjen e formalizimit dhe mbledhjen e të ardhurave që rrjedhin nga aktiviteti i tyre ekonomik në territorin shqiptar.

Gjatë këtij procesi janë arritur rezultate pozitive, veçanërisht në regjistrimin e përfaqësuesve tatimorë të kompanive ndërkombëtare që merren me qiradhënien e banesave.

Kompanitë si Booking.com dhe Airbnb tashmë janë të regjistruara me përfaqësues tatimor në Shqipëri.

Ndër të parët që është regjistruar ka qenë AirBnb. Booking.com është regjistruar që dy vite më parë. Netflix gjithashtu ka përfaqësues tatimor në Shqipëri dhe ushtron aktivitet të rregullt.

Së fundmi, administrata i është drejtuar edhe kompanisë TripAdvisor për regjistrim.

Kemi gjithashtu tatimpagues që na kanë njoftuar dhe kërkojnë që t’u jepet kohë për t’i regjistruar me një përfaqësues tatimor në Shqipëri, por ka edhe tatimpagues që ende nuk janë përgjigjur. 

Si funksionon skema e mbledhjes së TVSH-së? A ndikon kjo te tarifat për konsumatorët?

Për shërbimet e ofruara nga kompanitë ndërkombëtare, individët shqiptarë paguajnë një tarifë ose komision. Administrata Tatimore kërkon 20% TVSH ndaj totalit të këtij komisioni të paguar, që përbën të ardhurën që kompania siguron në Shqipëri.

Komisioni ose tarifa paguhet nga individët brenda vendit. TVSH-ja llogaritet çdo muaj nga përfaqësuesit tatimorë të regjistruar në vend, bazuar në të ardhurat e arkëtuara nga Shqipëria mbi bazën e komisioneve ose tarifave të pajtimit.

A do të ndikojë kjo në çmimin e pajtimit mujor për konsumatorët e Netflix?

Jo. Konsumatorët nuk do të paguajnë më shumë. Tarifa e pajtimit mujor (p.sh. për Netflix) do të vazhdojë të jetë 9.99 euro. TVSH-ja e arkëtuar nga tatimet është e përfshirë në këtë tarifë dhe detyrimi paguhet nga kompania ndërkombëtare, jo nga konsumatori.

Edhe në të ardhmen nuk pritet rritje e tarifave, pasi kjo TVSH është e paracaktuar dhe e depozituar nga kompania.

A është arritur nëpërmjet kësaj skeme të evidentohet numri i individëve që japin banesa me qira në platformat ndërkombëtare?

Fillimisht, në gjithë zinxhirin e këtij procesi, qëllimi është që platformat ndërkombëtare të regjistrohen me përfaqësi tatimore. Më pas synohet identifikimi i individëve shqiptarë përmes të cilëve sigurohen të ardhurat.

Për momentin, për shkak të ligjeve për mbrojtjen e të dhënave personale, kompanitë nuk vënë në dispozicion të dhëna mbi numrin e përdoruesve apo individëve që japin shërbime. Kjo është një sfidë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Bashkimit Europian.

Megjithatë, kjo situatë do të rregullohet me Direktivën DAC7 të miratuar nga BE, e cila vendos detyrimin për raportim nga operatorët e platformave.

Sipas kësaj direktive, operatorët do të duhet t’u japin autoriteteve tatimore informacion mbi shitësit që përdorin platformat, përfshirë të ardhurat e tyre.

Drejtoria e Hetimit po harton një projekt pilot për evidentimin e këtyre të dhënave me përfaqësuesit tatimorë në Shqipëri, me qëllim që më tej të verifikohet nëse të ardhurat e siguruara nga individët vendas (p.sh. nga qiradhënia nëpërmjet platformave online), janë deklaruar në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave, si të ardhura nga qiraja që deklarohen më 31 Mars.

Ky është një proces që do të ndiqet në vijim, i cili po konsultohet edhe me administratat tatimore të rajonit dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me synim ndërveprimin dhe shkëmbimin e eksperiencave për formalizimin e tregtisë online.

Si qëndron Shqipëria krahasuar me rajonin?

Krahasuar me vendet e rajonit, numri i kompanive ndërkombëtare të kontaktuara dhe të regjistruara në Shqipëri është më i lartë.

Kjo tregon angazhimin e administratës tatimore për të ndërtuar një sistem më të drejtë, transparent dhe efikas në përmbushjen e detyrimeve tatimore në ekonomi gjithnjë e më dixhitale. /Monitor


[There are no radio stations in the database]