
Shqiptarët të parët për roaming me BE
Pavarësisht se i përdorim më shumë shërbimet Roaming në vendet e Zonës Ekonomike Evropiane, për sa i takon përdorimit të Roaming brendapërbrenda Ballkanit Perëndimor, ne jemi shpesh ndër të fundit.
Shqiptarët janë të parët në rajon për sa i përket minutave dhe internetit që shpenzojnë me Roaming kur udhëtojnë në një nga vendet e Bashkimit Evropian. Sipas një raporti të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Shqipëria ka numrin më të lartë të thirrjeve dalëse dhe hyrëse, apo trafikut të internetit për përdorues roaming në krahasim me pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Konkretisht, një shqiptar ka shpenzuar mesatarisht 31 minuta dalëse dhe 8.2 GB internet me Roaming në një shtet të Bashkimit Evropian, ndërsa rezultojnë mesatarisht 24 minuta hyrëse me Roaming për një përdorues.
Pavarësisht se i përdorim më shumë shërbimet Roaming në vendet e Zonës Ekonomike Evropiane, për sa i takon përdorimit të Roaming brendapërbrenda Ballkanit Perëndimor, ne jemi shpesh ndër të fundit.
Megjithëse, numri i personave që kanë përdorur shërbimet roaming gjatë qëndrimit të tyre në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka shënuar rritje të vazhdueshme, duke arritur rreth 860 mijë pajtimtarë në vitin 2024, me një rritje rreth 5% nga viti pararendës, sërish shqiptarët janë të fundit në rajon. Malazezët janë ata që shpenzojnë më shumë internet dhe minuta me roaming brendapërbrenda Ballkanit Perëndimor.
Në 2021 do të niste zbatimin marrëveshja për heqjen e tarifave Roaming midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, nga tetori i vitit 2023, kompanitë celulare nisën uljen graduale të tarifave roaming për internetin midis vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, fillimisht me reduktimin në 2.4 lekë/MB apo 22 euro/GB, deri në zerim të tyre.
Si rezultat i çmimeve më të ulëta, ka pasur një përdorim më të madh të minutave, internetit dhe SMS-ve me Roaming që prej nisjes së zbatimit të dy marrëveshjeve përkatëse. /SCAN