
Brunei heq vizat për qytetarët e Kosovës
Gjatë vizitës shtetërore në Brunei Darussalam nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nënshkruar marrëveshja për heqjen e vizave ndërmjet Kosovës dhe Brunei Darusaalamit, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Presidentes së Kosovës, marrëveshja u nënshkrua nga presidentja Osmani dhe Sulltani i Bruneit, Haji Hassanal Bolkiah.
“Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe një lehtësim konkret për qytetarët tanë, duke përmirësuar ndërlidhjen, shkëmbimet kulturore dhe ekonomike”, tha Osmani.
Presidentja Osmani e vlerësoi këtë marrëveshje si një tjetër dëshmi e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Sulltanatit të Bruneit.
Presidentja Osmani po qëndron për vizitë zyrtare në Brunei, me ftesë të Sulltanit Bolkiah. Kjo është vizita e parë ndonjëherë e kreut të shtetit të Kosovës në këtë shtet të Azisë Juglindore.
Brunei e njohu pavarësinë e Kosovës më 25 prill të vitit 2012.