[There are no radio stations in the database]

Oda Ekonomike e Kosovës: Bizneset drejt falimentimit pas shtrenjtimit të energjisë elektrike

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka thënë se bizneset në Kosovë po shkojnë drejt falimentimit, për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike në vend dhe vendimit që ato ta gjejnë vet energjinë elektrike në treg të hapur, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media, kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna tha se shtrenjtimi i energjisë elektrike sjell krizë në sektorin privat.

Ai tha se bizneset kanë filluar t’i marrin ofertat e para për gjetjen e energjisë elektrike në tregun e hapur dhe ato janë 200 për qind më të shtrenjta se sa çmimi i energjisë elektrike që kanë marrë deri më sot ndërsa sipas Rafunës, “kjo situatë do t’i sjellë bizneset tona në falimentim”.

Rafuna tha se kanë kërkuar tek Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) që të shtyhet dalja në tregun e lirë për bizneset dhe rritja prej 16.1 për qind të suspendohet për arsye se ka mundësi dhe mekanizma për subvencionim nga ana e Qeverisë.

“Kërkesa jonë është që të pezullohet vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe të pezullohet së paku për një vit që bizneset që kanë mbi 50 punëtorë apo mbi 10 milionë euro qarkullim, të dalin në tregun e lirë”, theksoi ai.

Sipas kreut të OEK-ut, duhet ta kuptojnë të gjitha partitë politike që janë në Kuvendin e Kosovës që situata tek bizneset është shumë shqetësuese dhe se prodhimi kosovar është duke u tkurrur dhe këtë pjesë po e merr importi nga jashtë.

“Bizneset kanë paralajmëruar që nuk do të rrinë duarkryq. Nuk do të kisha dëshirë që të vijë situata që gjithë bizneset me punëtorë të dalin në protestë”, shtoi ai.

Nga 1 qershori 2025 mbi 1 mijë kompani të mëdha në Kosovë do të përballen me një ndryshim të madh. Ato do të duhet të furnizohen më nga sistemi me çmime të rregulluara sikurse Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) por do të hynë në treg të lirë dhe konkurruese. Kjo nënkupton që çdo kompani me mbi 50 punëtorë apo qarkullim vjetor më të madh se 10 milionë euro do të duhet ta zgjedhë vet furnizuesin e saj me energji.

Kompanitë që nuk i plotësonin këto kushte, duhej ta dëshmojnë këtë tek KESCO deri më 16 maj.

Nga 1 maji 2025, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) vendosi për shtrenjtimin e energjisë elektrike me 16.1 për qind në Kosovë.


Vazhdo leximin

[There are no radio stations in the database]