[There are no radio stations in the database]

DERA E PENDIMIT NUK ËSHTË E MBYLLUR

Dhe, për fund, motra ime, nëse ke rënë në gjynah, shpejto t’i kthehesh Allahut me falje dhe pendim. Kujdes e asnjëherë mos u dëshpëro prej mëshirës dhe faljes së Allahut. Dije se Allahu u drejtohet atyre që e kanë tepruar me gjynahe dhe kanë mangësi në respektin e urdhrave të Allahut, që të mos i kaplojë ndjenja e dëshpërimit e ta humbin shpresën në mëshirën e Allahut: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (Ez Zumer, 53)

Allahu i urdhëron të nxitojnë në pendim para se të vijë dënimi: “Kthehuni te Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush. Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë.” (Ez Zumer, 54-55)

Sepse atëherë do të jetë vonë, shpirtrat do të ndiejnë keqardhje, por kjo nuk u bën dobi asgjë: “Që të mos thotë njeriu: “Mjerë unë, që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut, madje, edhe jam tallur!” Ose të thotë: “Sikur Allahu të më kishte udhëzuar, do të isha bërë njeri i devotshëm.” (Ez Zumer, 56-57)

Ata do të shpresojnë të kthehen e të punojnë vepra të mira, por nuk u përgjigjet kush: “Ose të thotë, kur ta shohë dënimin: “Ah, sikur të ishte e mundur për t’u kthyer edhe një herë e të bëhesha njeri i mirë!” (Ez Zumer, 58)

“Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë! Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse, deri në ditën kur do të ringjallen.” (El Muminun, 99-100)

Allahu gëzohet me pendimin e robit nëse ai pendohet. Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Allahu gëzohet më shumë për pendimin e robit të Vet i cili pendohet, se ç’do të bënte ndonjëri prej jush kur do të udhëtonte mbi deve nëpër shkretëtirë dhe e humb atë, kurse mbi të ndodhet i tërë ushqimi dhe uji, e kërkon gjatë atë dhe, kur humb çdo shpresë se mund ta gjejë, e zë gjumi dhe, kur zgjohet, e shikon devenë e tij, e cila qëndron e qetë në afërsi të tij, andaj kërcen shpejt dhe e kap kapistallin dhe, nga gëzimi i madh, bërtet: “Zoti im, Ti je robi im, e unë jam zoti Yt”, duke u shprehur gabimisht nga gëzimi i madh.”[1]

Sa e bukur që është ndodhia të cilën e tregon Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) në librin e tij “Medarixhus Salikin”, ku thotë: “Këtë rast të njohur e tregon një njeri i mirë, i cili ishte duke ecur në një rrugicë, ku pa një derë të hapur dhe prej aty doli një fëmijë, i cili po qante dhe po kërkonte ndihmë. Nëna e fëmijës qëndronte pas tij derisa e dëboi dhe fëmija doli jashtë. Ia plasi derën në fytyre dhe ajo u kthye brenda. Fëmija shkoi jo larg prej aty, u ndal në një vend dhe nisi të mendonte. Nuk kishte vendstrehim tjetër përveç shtëpisë së tij dhe nuk kishte kush e strehonte përveç nënës së tij. Kështu, u kthye zemërthyer e i pikëlluar te dera, por atë e gjeti të mbyllur. U shtri para derës, faqen e tij e vendosi në prag të derës derisa e zuri gjumi. Kur doli nëna tij dhe e pa në atë gjendje, nuk e përmbajti veten dhe ra mbi të, e shtrëngonte dhe e puthte, qante dhe thoshte: “Ah, biri im! Ku po ikën larg meje? Kush do të të strehojë përveç meje? A të thosha ta respektoje fjalën time dhe të mos rebeloheshe, e kështu unë të dal prej natyrës sime, sipas së cilës Allahu e bëri nënën të jetë e mëshirshme, e dhimbshme dhe t’ia dojë të mirën fëmijës?” E mori fëmijën e saj dhe e futi brenda. Meditoje fjalën e nënës: “A të thosha ta respektoje fjalën time dhe të mos rebeloheshe, e kështu unë të dal prej natyrës sime e kështu unë të dal prej natyrës sime, sipas së cilës Allahu e bëri nënën të jetë e mëshirshme, e dhimbshme dhe t’ia dojë të mirën fëmijës?” Dhe meditoje fjalën e Pejgamberit, alejhi selam: “Allahu është më i mëshirshëm me robërit e Tij se nëna me fëmijën e saj.” Ku mund të barazohet mëshira e nënës me mëshirën e Allahut, e cila përfshin çdo gjë?! Kur robi bën gjynah dhe e zemëron Zotin e tij, e tërheq nga vetja atë mëshirë, por, nëse pendohet dhe i kthehet Allahut, e rikthen atë që e meriton dhe që është më e mira për të. Ky fragment i shkurtër ta qartëson fshehtësinë e gëzimit të Allahut me pendimin e robit të Tij se është më i madh se gëzimi i këtij udhëtari që iu kthye kafsha e tij në vend të shkretë pasi i iku. Me të vërtetë fshehtësitë e tjera që gjenden përtej kësaj nuk mund t’i përshkruajë fjala dhe t’i perceptojë mendja.”[2]

Tashmë po e ndiej se boja e penës shteroi dhe erdhi koha që fletët të mbyllen e pena të pushojë.

Ky ishte rrëfimi i udhëzimit tim. E falënderoj Allahun që më nderoi me udhëzim dhe më bëri të eci rrugës së drejtë.

E lus Allahun për udhëzim dhe qëndrueshmëri në fe.

Shpresoj që motrat e mia dhe vëllezërit e mi t’i shoh së bashku me mua në këtë rrugë.

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për Muhamedin, familjen e shokët e tij, dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Kiametit!

Dr. Muhamed ed Duvejshi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Pjesë nga libri: “E TILLË ISHTE JETA IME (Memoaret e një vajze)” – i përkthyer në gjuhën shqipe)

[1] Buhariu (6309), Muslimi (2747), prej hadithit të Enesit, Ibn Mesudit, dhe Muslimi e transmeton hadithin prej Berait, Numan ibn Beshirit, dhe imam Tirmidhiu transmeton prej hadithit të Ebu Hurejrës.

[2] “Medarixhus Salikin” (1/235-236).


[There are no radio stations in the database]