IMG_8901

Danimarka do të marrë masa kundër sulmeve me bazë kulturore dhe fetare në vend

Danimarka njoftoi se do të hulumtojë rrugët për të marrë masa kundër sulmeve me bazë kulturore dhe fetare në vend, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga Qeveria e Danimarkës, vihet në dukje se sulmet kundër Kuranit kanë qëllim të shkaktojnë fyerje dhe reagim në vende të tjera dhe kanë përmasa që dëmtojnë Danimarkën.

Më tej në deklaratë thuhet se për shkak të akteve të djegies së Kuranit 15 vende kanë dënuar Danimarkën dhe se Këshilli i 18-të i Jashtëzakonshëm i Ministrave të Jashtëm të OBI-t do të mblidhet më 31 korrik për të trajtuar këtë çështje.

Po ashtu, në deklaratë, këto provokime janë cilësuar si “akte jashtëzakonisht fyese dhe të pamatur të kryer nga disa individë”.

“Ata që kanë kryer këto veprime nuk përfaqësojnë shoqërinë e Danimarkës dhe këto veprime sigurojnë dobi për pro-ekstremistët”, njoftohet në deklaratën ku theksohet se “Qeveria e Danimarkës do të hulumtojë mundësitë për të ndërhyrë për shembull ndaj situatave ku ofendohen kulturat dhe fetë e vendeve të tjera dhe ndaj situatave të veçanta ku kjo mund të shkaktojë pasoja negative serioze kryesisht në aspektin e sigurisë për Danimarkën”.

Ndër të tjera në deklaratën vihet në dukje se ky vlerësim do të bëhet në kuadrin e lirisë së shprehjes gjithëpërfshirëse të Danimarkës.

Në anën tjetër, edhe ministri i jashtëm i Danimarkës, Lars Lökke Rasmussen, ka bërë një vlerësim në kanalin TV 2 lidhur me provokimet ndaj librave të shenjtë në vend.

Rasmussen, tha se qeveria e Danimarkës po hulumton rrugët për të ndërhyrë ndaj situatave ku ofendohen kulturat dhe fetë në vend dhe të cilat mund të ndikojnë negativisht sigurinë.

Ministri i jashtëm turk Fidan zhvilloi bisedë telefonike me Rasmussen

Ministri i jashtëm i Türkiye-s, Hakan Fidan, dje zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e jashtëm të Danimarkës Lars Lökke Rasmussen rreth sulmeve që vazhdojnë në këtë vend kundër Kuranit.

Ministri Fidan në bisedë përsëriti se dënon sulmet që vazhdojnë dhe që kanë fituar vazhdueshmëri kundër Kuranit në Danimarkë.

Fidan theksoi se kundërshtia ndaj islamit në Evropë ka arritur në përmasa alarmante, madje është shndërruar në një epidemi dhe se është e papranueshme që të lejohen veprime të tilla nën emrin e lirisë së shprehjes.

Gjithashtu Fidan vuri në dukje se pret që qeveria e Danimarkës të kalojë në veprim menjëherë për parandalimin e këtyre sulmeve.