Kryeimami Sahiti dhe delegacioni nga Turqia vizituan xhamitë e restauruara në Pejë e Skenderaj

Kryeimami Sahiti dhe delegacioni nga Turqia vizituan xhamitë e restauruara në Pejë e Skenderaj

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, së bashku delegacionin e Drejtorisë së Vakëfeve të Turqisë, kanë vizituar disa nga xhamitë e restauruara dhe xhamitë projektet e të cilave do të restaurohen gjate vitit të ardhshëm.

Vizita në ditën e tretë të delegacionit nga Ankaraja në Kosovë, filloi në Pejë, atje ku vizituan njërën prej xhamive kryesore të këtij qyteti, Xhaminë Bajrakli apo siç njihet ndryshe ajo e Çarshisë.

Të kënaqur me bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve për restaurimin dhe konservimin e kësaj xhamie u shprehën delegacioni nga Ankaraja dhe kryeimami Sahiti, i cili njoftoi delegacionin për rëndësinë kulturore e historike të kësaj xhamie.

Më pas vizitën e vazhduan në xhamitë të cilat do të restaurohen dhe konservohen në bashkëpunim mes Drejtorisë së Vakëfeve të Turqisë dhe Bashkësisë Islame të Kosovës; siç janë xhamia “Gjylfatyn”, Xhamia e Kuqe si dhe xhaminë “Abdurrazak Efendi” apo xhaminë e “Sahat Kullës” –xhami kjo që ekziston që nga shekulli XVIII.

Kryeimami Sahiti së bashku me zv.drejtorin Aslanbej vizituan edhe xhaminë e fshatit Syriganë të Skenderajt, ku është bërë një punë e mrekullueshme në restaurimin e saj.

Banorët e këtij fshati së bashku me këshillin e Bashkësisë Islame në Skenderaj falënderuan Bashkësinë Islame të Kosovës dhe Drejtorinë e Vakëfeve të Turqisë për restaurimin e xhamisë së fshatit, duke thënë se populli turk dhe shqiptar çdoherë kanë qenë afër njëri-tjetrit, ashtu sikurse tani me bashkimin për restaurimin e xhamive dhe në forma tjera.

Gjatë vizitës në Vushtrri, kryeimami Sahiti dhe zv.drejtori Aslanbej u pritën nga kryetari i Këshillit të Vushtrrisë, Shemsi Rahimi dhe më pas vizituan së bashku edhe xhaminë Gazi Ali Beu, njëra prej xhamive më të vjetra në këtë qytet.

Delegacioni i Vakëfeve nga Ankaraja ka qëndruar tri ditë në Kosovë, me ç’rast vizituan xhamitë e restaurua dhe që ato do të restaurohen në të ardhmen si në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë, Pejë, Skenderaj, Vushtrri dhe qytete të tjera.

Kjo vizitë e Drejtorisë së Vakëfeve të Turqisë synon rritjen e bashkëpunimit në realizimin e projekteve të përbashkëta me Bashkësinë Islame të Kosovës në fushën e trashëgimisë kulturore Islame dhe atë sociale e shëndetësore.