image00010

Xhamia e Re në Winterthur Mirëpret Besimtarët për Faljen e Parë të Xhumasë

Sot, Xhamia e re Shqiptare në Winterthur hapi dyert e saj për faljen e parë të Xhumasë, një moment historik për komunitetin mysliman shqiptar në qytet. Namazi i mëngjesit shënoi fillimin e aktiviteteve në këtë xhami të sapondërtuar, e cila është një arritje e madhe për besimtarët. Pas kësaj, në mesditë u krye falja e Xhumasë, e drejtuar nga imami Ismaijl Alili, i cili mbajti edhe hutben.

Në hutben e tij, Imami Alili falënderoi të gjithë ata që kontribuan në ndërtimin e kësaj xhamie dhe theksoi rëndësinë e kujdesit për komunitetin dhe mjedisin përreth, veçanërisht në lidhje me përdorimin e parkingjeve. Ai ftoi besimtarët që ta shohin këtë si një mundësi për të forcuar lidhjet e tyre shpirtërore dhe për të vazhduar faljen në këtë ambient të ri e të përkushtuar.

Muezini i parë që thirri për falje ishte Irfan Musliu, ndërsa për Xhumanë këtë rol e mori Enis Alili. Atmosfera ishte e mbushur me emocion dhe mirënjohje nga të gjithë të pranishmit.

Në një intervistë ekskluzive me F. Havziun, Nënkryetar i Xhamisë Shqiptare të Winterthurit, ai ndau mendimet e tij për këtë ditë të veçantë.

Pytja: Si ndiheni sot, në ditën e parë të faljes në xhaminë e re?
Përgjigja: Sot ishte Xhumaja e parë që falet në këtë xhami që e kemi ndërtuar me myslimanët. Është një ndjenjë e veçantë, emocionet nuk përshkruhen, ngase e falim namazin aty ku e kemi themeluar me duart tona.

Pytja: Çfarë kuptimi ka kjo ditë për Xhaminë e Winterthurit dhe myslimanët në Winterthur?
Përgjigja: Kjo ditë do të mbetet histori dhe nuk do të harrohet lehtë nga secili prej nesh, ngase përfundimisht Winterthuri u pasurua me një xhami që i përmbush kushtet e myslimanëve këtu.

Pytja: Përveç funksioneve fetare, çfarë roli do të luajë xhamia në komunitet?
Përgjigja: Xhamia është një vendtakim për të gjithë shqiptarët këtu. Nuk është vetëm për të mbajtur lidhjet shpirtërore, por për të ndërtuar edhe një urë të veçantë mes veti dhe institucioneve komunale.

Pytja: Cilat janë veçoritë arkitekturore ose kulturore të xhamisë së re, për të cilat jeni veçanërisht krenar?
*Përgjigja:* Është punuar një dizajn i brendshëm unik, me një shkrim të veçantë, ndryshe nga ato që kemi parë në xhamitë e tjera.

Pytja: Si mund të mësojnë të interesuarit më shumë rreth xhamisë dhe aktiviteteve të saj?
Përgjigja: Ne jemi aktivë në rrjetet sociale si Facebook, Instagram, TikTok dhe gjithashtu kemi një faqe zyrtare në internet.

Kjo ditë shënon fillimin e një kapitulli të ri për myslimanët shqiptarë në Winterthur, me xhaminë e re që do të shërbejë si një pikë referimi shpirtërore dhe kulturore për komunitetin.