[There are no radio stations in the database]

Xhamia e Hadumit, kurora e bukurisë së monumenteve të Gjakovës

E vendosur në mes të qytetit të vjetër të Gjakovës, Xhamia e Hadumit, rri ende si kurorë e bukurisë së monumenteve të trashëgimisë arkitekturore në këtë qytet.

E nisur gjatë shekullit të 16-të në kohën e Perandorisë Osmane, Xhamia e Hadumit, ashtu sikurse shumë xhami, ishte ndër objektet e para në zonë, për t’u populluar më pas rreth saj shtëpitë, institucionet dhe tregtia.

Nga jashtë ajo ka një arkitekturë klasike, të ngjashme me xhamitë e kohës së saj, me kupolën e mbuluar me plumb, katër shtyllat në hyrje dhe një oborr mesatarisht të madh, krahas së cilit ndodhen varret me mbishkrime osmane dhe një bibliotekë.

Brendia e xhamisë, me bukurinë e vizatimeve në tavan dhe mure, foltoren drurore dhe sahatin e madh, të vjetra sa vet xhamia që ende ndodhen aty, mesazhet shpresëdhënëse mbi dritaret e xhamisë dhe aroma e drunjve shekullorë, i fton vizitorët në një udhëtim në kohë.

Visar Koshi, kryeimam në Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjakovë, për Anadolu tha se xhamia u ndërtua në vitin 1952 nga Hadum Sylejman Efendia – i njohur si “Hadum Aga”, i cili në kohën e tij shërbeu si shërbëtorë personal i bashkëshortes së Sulltanit.

Koshi thotë se në historinë e saj 430 vjeçare, xhamia është restauruar disa herë dhe së fundmi në vitin 2004-2005 për shkak se në luftë shumica e pjesëve të xhamisë u dogjën dhe u bombardua minarja duke u shembur mbi bibliotekë.

Sipas tij, xhamia ka disa karakteristika interesante, sidomos në vizatimet e saj të brendshme që mendohet se datojnë nga shekulli i 18-të, kohë kur u zhvillua në përgjithësi arti dhe zdrukthëtaria në Gjakovë.

“Mbi dritaret e xhamive janë të shkruara mirëseardhjet e atyre që do të futen në xhennet. Dhe këto janë pjesëza Kuranore. Pastaj përmendjet apo dhikri i myslimanëve që bëhen gjatë lutjeve, të përshkruara në kornizat e xhamisë. Pastaj karakteristikë tjetër është edhe akustika e xhamisë sepse xhamia nuk ka shtylla të brendshme, por gjithë konstrukti është i bërë me muret e trasha mbi një metër e gjysmë. Është e ndërtuar nga guri vullkanik, plotësisht rezistent ndaj kushteve atmosferike dhe tërmeteve”, thekson Koshi.

Ai thotë se kupola e mbuluar me plumb e xhamisë nga toka është e lartë 13.6 metër, ndërsa minarja rreth 37 metra e lartë.

Sipas Koshit, në oborrin e Xhamisë së Hadumit, janë varrosur njerëzit e njohur të kohës, qoftë të religjionit apo pushtetit.

“Vlen të theksohet se këtu mendohet se numri i varrezave ka qenë mbi 300, mirëpo sot nuk mund të numërojmë më shumë se 100-150 varre apo epitafe të shkruara në gurë. Karakteristikë e këtyre varrezave është se janë shkruar në gjuhë osmane, e cila komponohet nga gjuha arabe, perse dhe turke të vjetër. Dhe ka qenë trend i kohës që të shkruhen poezi shpirtërore në aspektin e lutjes dhe përjetësisë. Me këtë rast është shkruar emri, mbiemri i familjes, viti lindjes dhe i vdekjes dhe në fund një lutje”, shton ai.

Edhe muezini i kësaj xhamie, Toni Hymerllaj, i cili vjen nga Fushë Kruja e Shqipërisë, për pesë muaj sa po shërben në këtë xhami, thotë se mbizotëron një atmosferë pozitive e përditshme.

Ai madje në Gjakovë po kryen edhe memorizimin e Kuranit, në Medresenë e Madhe të qytetit.

Xhamia e Hadumit vizitohet nga mbi 20 mijë vizitorë në vit ndërsa numri shkon në rritje, sidomos në vizitorët që vijnë nga Evropa.


[There are no radio stations in the database]