
Vuçiq në Kiev, por Serbia mbetet e vetmja që nuk firmos deklaratën për Ukrainën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë pjesë në Samitin Ukrainë–Evropa Juglindore në Kiev, por Beogradi ka refuzuar të nënshkruajë deklaratën e përbashkët për mbështetjen ndaj Ukrainës.
Deklarata e Kievit, e miratuar nga vendet pjesëmarrëse në samit, parasheh vazhdimin e mbështetjes politike, ushtarake, financiare dhe të sigurisë për Ukrainën, si dhe rritjen e presionit ndaj Rusisë për përfundimin e luftës.
Vuçiq ka deklaruar se Serbia ishte i vetmi vend që nuk e nënshkroi dokumentin, duke sqaruar se arsyeja lidhet me pjesët e deklaratës që kanë të bëjnë me masat ndaj Rusisë.
Sipas tij, Beogradi vazhdon të mbështesë integritetin territorial të Ukrainës dhe rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, por ruan një qëndrim të veçantë për çështjet që lidhen me marrëdhëniet me Moskën.
Vizita e Vuçiqit në Kiev ishte e para e një presidenti serb në kryeqytetin ukrainas pas më shumë se dhjetë vitesh. Gjatë qëndrimit të tij, ai njoftoi për rritje të ndihmës humanitare për Ukrainën, përfshirë mbështetje financiare, mjekësore dhe energjetike.
Megjithatë, refuzimi i Serbisë për të firmosur deklaratën ka rikthyer vëmendjen te pozicioni i Beogradit mes marrëdhënieve tradicionale me Rusinë dhe përpjekjeve për afrim me strukturat evropiane.