[There are no radio stations in the database]

VLERA E SHAMIT NË KURAN DHE SUNET (1)

Allahu me mëshirën e Tij dallon kë të dojë prej robërve të Vet dhe me mirësinë e Tij veçon cilindo nga krijesat e Veta. U jep epërsi disa vendeve, disa tokave dhe disa kohëve karshi të tjerave. Vërtet urtësia e Allahut është e përsosur.

Imam Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Allahu vepron, veçon dhe dallon çfarë do dhe cilin do. Krijimtaria e Tij është e përsosur e pa asnjë të metë. Asgjë dhe askush nuk mund ta pengojë e ta kundërshtojë. Ai vepron çfarë të dëshirojë me urtësinë e Tij. Neve nganjëherë na shfaqet urtësia e Tij e herëve të tjera na fshihet.”[1]

Janë transmetuar shumë hadithe profetike për vlerën e Shamit e banorët e tij, dhe për vlerën e hixhretit (emigrimit) në Sham në kohën e fitneve (turbullirave dhe trazirave). Dijetarët këto hadithe i kanë përmbledhur në shumë shkrime dhe libra, ndër të cilët më të dalluarit janë: Ebu Hasen Ribiu, Ebu Sad Semani, Ebu Ferexh ibn Xheuziu, Bahaudin ibn Asakiri, Burhanudin Bikaiu, Dijaudin Makdisiu, el Iz ibn Abduselami, Ibn Abdulhadi, Ibn Rexhebi, e shumë të tjerë. Allahu i mëshiroftë!

“Toka e Shamit namin e ka të madh. Shami është vendqëndrimi i pejgamberëve, qendra e burrave të mirë, vendsynimi i të ndershmëve, drejtimi i kibles së parë (në fillim të Islamit, para se të vinte urdhri për t’u drejtuar në namaz nga Qabeja), vendi i grumbullimit (të njerëzve para se të ndodhë Kiameti) dhe vendi i ringjalljes (pasi të ndodhë Kiameti), Toka e Shenjtë, fortifikata e fuqishme me kufij fisnikë, vendi ku emigroi Ibrahimi (alejhi selam!)… e shumë vlera të tjera.”[2]

Ibn Tejmija (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Për Shamin dhe banorët e tij janë përmendur shumë merita të vërtetuara me Kuran dhe Sunet. Dijetarët kanë folur gjerë e gjatë rreth tyre e i kanë përmbledhur në libra. Për këtë shkak gjatë luftës me tatarët u mbështeta në myslimanët e tokave të Shamit. Prej tyre kërkova të bashkëngjiten në luftimin e tatarëve dhe të qëndronin në Damask e të mos iknin në drejtim të Egjiptit. Në anën tjetër i ftova ushtarët e Egjiptit të vinin në Sham, ndërsa atyre të Shamit u dhashë urdhër të mos e lëshonin Shamin.”[3]

– Kuptimi i fjalës “Sham” nga aspekti i gjuhës arabe:

Fjalët “She’m”, “She-em” dhe “Sham ” janë disa emërtime për Shamin. Burimi i fjalës Sham vjen nga togfjalëshi “dora e majtë”. U quajt “e majtë”, ngase pozita e tij gjendet në anën  e majtë të kibles.

Disa thanë se e mori emrin Sham sepse përshin shumë qytete që janë shumë afër njëri­-tjetrit, saqë duken si të ishin damka. Damkave në gjuhën arabe u thuhet shamat.

Të tjerët thanë se e mori emrin nga djali i Nuhut n: Sam ibn Nuh, ngase ai ishte i pari që zbriti në të. Emri Sam në gjuhën e vjetër siriane shqiptohet Sham.[4]

Shami është rajon që gjendet në veri-perëndim të Gadishullit Arabik. Në kohën e sotme gjeografikisht përbëhet nga: Siria, Jordania, Libani dhe Palestina.

Shami kufizohet në perëndim me Detin Mesdhe, në lindje kufiri i tij është nga Ejla (sot gjiri i Akabesë në Jordani) deri në lumin Eufrat, e në veri përfundon kufiri i tij te malet Taurus (sot Turqia), kurse në jug përfundon deri në Arish (qytet bregdetar i Egjiptit, që edhe sot njihet me të njëjtin emër) në afërsi të Egjiptit.[5]

– Vlerat e Shamit janë të shumta e të llojllojta dhe të vërtetuara me tekste fetare. Prej tyre veçojmë:

  1. Shami është tokë e bereqetshme

Kurani famëmadh tregon në pesë ajete për bereqetin e tokave të Shamit[6]:

Ajeti parë: “I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Kudsit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.” (Isra,  1)

Imam Taberiu (Allahu e mëshiroftë!), në komentin e këtij ajeti, thotë: “Do të thotë se Allahu ka zbritur mbi Shamin bereqet (mirësinë hyjnore), që ka përfshirë banorët në jetesën, në fuqinë, në arat dhe në të mbjellat e tyre.”[7]

Allahu e bekoi tokën e Shamit me ujë, me pemë, me fruta e pjellori.

E bekoi në rrisk të bollshëm, madje të këndshëm.

E bekoi në burra me dije e profeci (sepse një numër i madh i pejgamberëve ishin prej Shamit).

E bekoi në karakterin e banorëve duke i dalluar me qëndrueshmëri.

E bekoi në vendosmërinë e banorëve duke u dhënë trimëri, virtyte të larta dhe gatishmëri për të qenë në ndihmën e të tjerëve në të gjitha situatat dhe rrethanat.[8]

Ajeti i dytë: “Ne e shpëtuam atë dhe Lutin (e i çuam) në tokën, të cilën e kemi bekuar për njerëzit.” (Enbija, 71)

Imam Taberiu (Allahu e mëshiroftë!), në komentin e ajetit në fjalë, thotë: “Toka e përmendur në ajet është për qëllim toka e Shamit. Profeti Ibrahim n (së bashku me Lutin n) u larguan nga vendlindja (Iraku), e braktisën popullin me gjithë besimet e tyre të kota dhe emigruan për në Sham. ”

Po ashtu Taberiu thotë: “Dijetarët janë të një mendimi se Ibrahimi n emigroi prej Irakut për në Sham. Shamin e mori për vendbanim të përhershëm deri në fund të jetës së tij. Më vonë udhëtoi në Mekë për ta ngritur Qabenë, e la gruan, Haxheren, së bashku me të birin, Ismailin, që të jetonin në Mekë, por vetë sërish u kthye në Sham. Vendqëndrimi i tij dhe i Lutit ishte Shami.”[9]

Ajeti i tretë: “Sulejmanit i dhamë erën e fortë, që të fryjë sipas urdhrit të tij, drejt tokës, të cilën Ne e kemi bekuar; Ne jemi të Dijshëm për çdo gjë.” (Enbija, 81)

Me fjalët “drejt tokës” është për qëllim drejt Shamit; pra, “era frynte me lejen e Allahut në tokën e Shamit, ku gjendej mbretëria e Sulejmanit n.”[10]

Ajeti i katërt: “Ndërsa popullit të përndjekur Ne i dhamë në zotërim viset lindore e perëndimore të tokës që kishim bekuar…” (Earaf, 137)

“Ajo që njihet historikisht është se pas fundosjes së Faraonit në det, beni israilëve iu dha zotërimi i viseve lindore e perëndimore të tokave të Shamit.”[11]

Ajeti i pestë: “Midis tyre dhe qyteteve që kemi bekuar, Ne vendosëm vendbanime të dukshme buzë rrugës…” (Sebe, 18)

Qytetet e bekuara të përmendura në ajet janë qytetet e Shamit.

Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Komentuesit e Kuranit, si: Muxhahidi, Hasan el Basriu, Seid ibn Xhubejri, Katadja, Dahaku, Ibn Zejdi dhe shumë të tjerë, thonë se janë për qëllim qytetet e Shamit.

Pra, banorët e Sebës udhëtonin prej Jemenit për në Sham, në qytetet e tij të ngjitura për nga afërsia me vendbanime të dukshme buzë rrugës.”[12]

Ibn Tejmija (Allahu e mëshiroftë!), pasi i përmendi këto pesë ajetet, tha: “Në këto pesë tekste Allahu e përmendi tokën e Shamit; për Ibrahimin n që emigroi në Sham, për Pejgamberin ﷺ që natën e Israsë udhëtoi në drejtim të Shamit, për beni israilët që u shpërngulën në Sham, për mbretërinë e Sulejmanit n që ishte e përqendruar në Sham, për banorët e Sebës që udhëtuan për në Sham dhe që Allahu e bekoi tokën e Shamit.

Në Sham gjendet mali Tur (mali Sina), vendi ku Allahu i foli Musait n.

Vlerën e këtij mali e shton edhe më tepër fakti se Allahu u betua dy herë në këtë mal në dy sure të ndryshme; në suren Tur: “Betohem për malin Tur (Sina)” (Tur, 1), dhe në suren Tin: “Për fikun dhe ullirin, për malin e Sinait.” (Tin, 1-2)

Në Sham gjendet Xhamia e Aksasë.

Shami është toka e pejgamberëve që u dërguan te beni israilët, në të emigroi Ibrahimi n, udhëtimi i Pejgamberit ﷺ natën e Israsë ishte prej Mekës për në Sham dhe po atë natë prej Shamit u ngrit në qiell.”[13]

Pejgamberi ﷺ u lut që Shami të jetë i bereqetshëm. Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “O Allah, bekoje Shamin tonë! O Allah, bekoje Jemenin tonë! O Allah, bekoje Shamin tonë! O Allah, bekoje Jemenin tonë! O Allah, bekoje Shamin tonë! O Allah, bekoje Jemenin tonë!”

Pas herës së tretë ose të katërt të pranishmit i thanë: “Edhe Nexhdin (e Irakut) tonë?”

Pejgamberi ﷺ tha: “Atje është burimi i tërmeteve dhe fitneve, si dhe prej aty do të paraqitet briri i shejtanit.”[14]

Ibn Tejmija (Allahu e mëshiroftë!) tha: “Lutja për bekimin e Shamit përfshin bekimin në fe dhe bekimin në dynja.”[15]

Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) tha: “Dije se lutja për bekimin e Shamit përfshin bekimin në gjërat e fesë dhe të dynjasë. Për këtë shkak është emërtuar: Toka e Shenjtë.”[16]

Iz ibn Abduselami (Allahu e mëshiroftë!) tha: “Ngaqë lutjen e nisi fillimisht me bekimin e Shamit e më pas e lavdëroi Jemenin, tregon se Shami e ka vlerën më të madhe se Jemeni. Ka raste të tjera që i lavdëroi banorët e Jemenit, por prapëseprapë  gjërat që zakonisht përmenden në fillim e kanë rëndësinë më të madhe se të tjerat që përmenden më vonë.”[17]

Kab ibn Ubeji (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet të ketë thënë: “Allahu e bekoi Shamin prej lumit Eufrat deri në Arish (qytet bregdetar i Egjiptit, që edhe sot njihet me të njëjtin emër).”[18]

Në Kuran vërejmë se Allahu u betua në disa pjesë të ndershme të Shamit për ta dëshmuar madhështinë e tij. Vërtet Allahu betohet vetëm në gjëra të madhërishme. Allahu thotë: “Për fikun dhe ullirin, për malin e Sinait dhe për këtë qytet të sigurt (Mekën)” (Tin, 1-3)

Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sipas disa dijetarëve[19], në tri ajetet e para të sures Tin, Allahu i Madhëruar është betuar në tri vende, prej të cilave ka nisur tre nga të dërguarit më të mëdhenj: Isain n, Musain n dhe Muhamedin ﷺ.

Kështu, në ajetin e parë, fiku dhe ulliri simbolizojnë Palestinën, qytetin e Isait n, sepse ai është vendi i fiqve dhe i ullinjve.

Në ajetin e dytë, mali i Sinait, që është vendi ku Allahu i ka folur Musait n.

Në ajetin e tretë, qyteti i sigurt, që është Meka, qyteti i Muhamedit ﷺ, sepse kështu është cilësuar ky vend në Kuran, i sigurt për secilin që hyn në të.”[20]

Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Teksti i Kuranit aludon qartë në dy soje të ushqimit: fikun dhe ullirin. Kështu pohojnë Ibn Abasi, Muxhahidi e të tjerët.

Por, njëkohësisht, aludon edhe në vlerën e tyre që e kanë në tokë, duke marrë parasysh se u përmendën paralelisht me dy vendet fisnike: me malin Tur (Sina) dhe qytetin e sigurt (Mekën).

Këto vende janë më fisniket në tokë. Prej aty dolën profecitë e mëdha dhe fetë që u pasuan. Shumica e pejgamberëve që u dërguan te beni israilët ishin prej Shamit. Ajo është toka e fikut dhe ullirit. Prej aty nisi profecia e Isait n dhe aty gjendet mali Sinai, ku Allahu i foli Musait n. Ndërkaq, prej qytetit të sigurt (Mekës) nisi shpallja që i zbriti Muhamedit ﷺ. Pra, këto tri profeci janë profecitë më të mëdha.

Disa komentues të Kuranit thonë se përmendja e fikut dhe ullirit tregon vlerën e tyre si ushqime që hahen. Edhe ky mendim është i saktë duke marrë në konsideratë që fiku dhe ulliri aludojnë në vendin që rriten në tokë, a në përgjithësi toka e Shamit është toka e fikut dhe ullirit.

Ka prej tyre që thonë se fiku është për qëllim Damasku, ndërsa ulliri është për qëllim Bejtul Makdesi (Palestina). Edhe ky mendim është i saktë, duke marrë në konsideratë se Damasku dhe vendet përreth tij janë vende ku rritet fiku, ndërsa në përgjithësi Palestina dhe Bejtul  janë vende ku rritet ulliri.

Ka që thonë se është për qëllim kodra e Damaskut dhe kodra e Bejtul Makdisit . Realisht kodra është pjesë e tokës së fikut dhe ullirit.

Ka që thonë se është për qëllim Xhamia e Damaskut dhe Xhamia e Bejtul Makdisit . Këto dy xhami janë vendet më të ndershme të tokës së Shamit.”[21]

  1. Për Shamin kujdesen melekët e Allahut dhe ata e ruajnë atë

Zejd ibn Thabiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ishim tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe po e përmblidhnin Kuranin prej letrave në të cilat e kishim shkruar.

Pejgamberi ﷺ tha: Lum për Shamin!”

Të pranishmit thanë: “Për çfarë arsyeje, o i Dërguari i Allahut?”

Tha: “Sepse melekët e Allahut i shtrijnë krahët e tyre mbi të.”[22]

Sipas një transmetimi tjetër: “O lum për Shamin! O lum për Shamin! O lum për Shamin!”[23]

Fjala “lum” nënkupton: Shami dhe banorët e saj paçin gjendje të këndshme dhe jetesë të mirë!

Ibn Ethiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Fjala lum këtu ka për qëllim shprehjen e kënaqësisë ose përgëzimit.”[24]

Imami Tibi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Kur thuhet: “Lum për ty”, nënkupton: “T’u dhëntë hairi dhe e mira.”[25]

Fjalët: “i shtrijnë krahët e tyre mbi të”; nënkupton se “e rrethojnë vendin duke zbritur mirësitë hyjnore dhe duke larguar prej tij gjërat që e dëmtojnë.”[26]

  1. Shami është toka e zgjedhur e Allahut, i Cili e mori përsipër Vetë të kujdeset për të dhe për banorët e tij

Për këtë shkak erdhi porosia që Shami të merret për vendbanim dhe të emigrohet drejt tij.

Ibn Havale (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Do të vijë çështja për Islamin (e sipas një komentimi tjetër çështja e luftërave) deri aty saqë të bëheni ushtarë të bashkuar (sipas komentimit tjetër të përçarë); ushtarë në Sham, ushtarë në Jemen dhe ushtarë në Irak.”

Ibn Havale tha: “Nëse e arrij këtë kohë, më udhëzo cilës palë t’i bashkëngjitem?[27]

Pejgamberi ﷺ tha: “Kapu për Shamin, sepse ajo është toka e zgjedhur e Allahut në tokën e Tij. Aty i tubon njerëzit më të dalluar prej robërve të Tij. Nëse pengoheni (ose refuzoni) të shkoni në Sham, atëherë drejtohuni për në Jemen dhe pini ujë (për veten dhe kafshët tuaja) prej kënetave tuaja. Vërtet Allahu më garantoi se do ta mbrojë Shamin dhe banorët e tij.”[28]

Sipas një transmetimi tjetër: “Kapu për Shamin, kapu për Shamin, kapu për Shamin.[29] E, ai që refuzon, le të shkojë në Jemen dhe le të marrë ujë prej kënetës së tij. Vërtet Allahu më siguroi se do ta mbrojë Shamin dhe banorët e tij.”[30]

Kur Ebu Idris Haulani (Allahu e mëshiroftë!) e tregonte këtë hadith, thoshte: “Atë që Allahu e ka marrë përsipër ta mbrojë, nuk e humb asnjëherë.”[31]

Iz ibn Abduselami (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Pejgamberi ﷺ lajmëroi se Shami dhe banorët e tij janë nën mbrojtjen e Allahut: do të thotë janë nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e Tij. E atë që Allahu e ruan dhe kujdeset për të, nuk e humb asnjëherë.”[32]

Ebu Davudi (Allahu e mëshiroftë!) përcjell se i është thënë imam Ahmedit (Allahu e mëshiroftë!): “Po dëgjojmë hadithe që janë transmetuar për Shamin se Allahu e ka marrë përsipër ta mbrojë Shamin dhe banorët e tij?”

Imam Ahmedi tha: “Ka shumë hadithe të tilla.”

I thanë: “Ndoshta qëllimi tyre është për ruajtjen e kufijve?”

Tha: “Jo , por edhe brenda.”[33]

Muavi ibn Hajde (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tregon: “E pyeta Pejgamberin ﷺ se ku po më urdhëron të shkoj.” Më tha: “Këndej, në këtë drejtim: dhe dorën e tij e drejtoi nga Shami.”[34]

Ibrahim ibn Ed’hemi (Allahu e mëshiroftë!) përcjell prej Ata Horasanit (Allahu e mëshiroftë!) të ketë thënë: “Kur vendosa të shpërngulesha me familjen time prej Horasanit, u këshillova me dijetarët: “Ku konsideroni se është më mirë të shpërngulem me familjen time?”

Gjithë më thanë: “Shko në Sham.”

Më pas shkova në Basra, ku u këshillova me dijetarët e vendit: “Ku konsideroni se është më mirë të shpërngulem me familjen time?”

Gjithë më thanë: “Shko në Sham.”

Më pas shkova në Kufe, ku u këshillova me dijetarët e vendit: “Ku konsideroni se është më mirë të shpërngulem me familjen time?”

Gjithë më thanë: “Shko në Sham.”

Më pas shkova në Mekë, ku u këshillova me dijetarët e vendit: “Ku konsideroni se është më mirë të shpërngulem me familjen time?”

Gjithë më thanë: “Shko në Sham.”

Më pas shkova në Medinë, u këshillova me dijetarët e vendit: “Ku konsideroni se është më mirë të shpërngulem me familjen time?”

Gjithë më thanë: “Shko në Sham.”[35]

Shumë prej pejgamberëve dhe lajmëtarëve të Allahut u dërguan në Sham. Historia e gjatë e tokave të Shamit është e lidhur ngushtë me jetëshkrimet e pesë pejgamberëve më të dalluar (Nuhut, Ibrahimit, Musait, Isait e Muhamedit p) dhe pejgamberëve të tjerë: Lutit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, Jusufit, Harunit, Iljesait, Shuajbit, Jushës, Ejubit, Junusit, Davudit, Sulejmanit, Zekerijait dhe Jahjait p.

Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Shumica e pejgamberëve që u dërguan te beni israilët ishin prej Shamit.”[36]

Kur Pejgamberi ﷺ ishte fëmijë, hyri në tokat e Shamit me mixhën e tij për tregti. Kjo ishte para se t’i vinte shpallja. Përveçse në Sham, nuk doli askund tjetër jashtë rajonit të Hixhazit.

Pas hixhretit në Medinë disa vjet më vonë, Pejgamberi ﷺ u nis në drejtim të Shamit për t’i luftuar romakët dhe arriti deri në Tebuk në tokat e Jordanisë. Shamit i dha përparësi kundrejt tokave të tjera dhe i kushtonte kujdes më të madh se tokave të tjera. Kështu vepruan edhe kalifët e drejtë pas vdekjes së Pejgamberit ﷺ.

Ibn Tejmija (Allahu e mëshiroftë!) tha: “Shami është toka e pejgamberëve që u dërguan te beni israilët, vendi ku emigroi Ibrahimi n, toka që natën e Israsë drejt saj udhëtoi Pejgamberi ﷺ dhe prej aty u ngjit për në qiell, vendi ku do të jetë pushteti i tij dhe do të përqendrohet feja e tij, prej aty do të dalë pala e shpëtuar prej umetit të tij, aty do të jetë vendi i grumbullimit (të njerëzve para se të ndodhë Kiameti) dhe vendi i ringjalljes (pasi të ndodhë Kiameti).”[37]

  1. Banorët e Shamit janë elita e përzgjedhur

Kurete ibn Ijasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur të prishen banorët e Shamit, atëherë nuk do të ketë mirësi as në ju.”[38]

Hadithi dëshmon se vlerat e Shamit nuk vlejnë veç për tokat e Shamit, por vlejnë edhe për banorët e tij.

Ibn Hibani (Allahu e mëshiroftë!), duke u mbështetur në këtë hadith, njërën kaptinë në librin e tij me hadithe[39] e titulloi: “Përmendja e gjurmëve që tregojnë se, kur e keqja përhapet në Sham, ajo do t’i përfshijë më vonë të gjitha vendet.”

Argument tjetër që aludon në vlerën e banorëve të tokave të Shamit është hadithi i lartpërmendur: “Vërtet Allahu më garantoi se do ta mbrojë Shamin dhe banorët e tij.”[40]

Ajo që po ndodh ditëve të sotme në Sham[41] është dëshmi e fortë se gjendja e banorëve të Shamit nuk është ndryshuar për të keq; pavarësisht sprovave, luftërave dhe vrasjeve ata vazhdojnë të qëndrojnë stoikë si burrat. Këto sprova tashmë ua shtuan edhe më tepër imanin dhe nënshtrimin ndaj Allahut. Në këtë gjendje e presin ndihmën e Allahut, e cila do të vijë shumë shpejt, me lejen e Allahut.

Realiteti i tyre mjafton si dëshmi që tregon qëndrueshmërinë e imanit në zemrat e tyre e saktësinë në të kapurit për fenë e Allahut dhe për rrugën e Pejgamberit ﷺ.

Nuk është krim të sprovohesh, por krim është të sprovohesh e të mos bësh durim. Ndërkaq, ai që sprovohet e bën durim, ecën në rrugën e pejgamberëve dhe njerëzve të mirë.

  1. Shami është vendbanimi i imanit dhe shtylla mbështetëse për myslimanët

Abdullah ibn Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) përcjell se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pashë në ëndërr (ëndrra e pejgamberëve është hak) sikur shtylla e Librit (është për qëllim imani ose gjithë feja) u rrëmbye prej poshtë jastëkut tim. E vështrova nga po shkonte: ishte si dritë që shkëlqente dhe u nis në drejtim të Shamit. Kur të ndodhin fitnet (turbullirat, sprovat në tokat e myslimanëve) para Kiametit, imani do të jetë në Sham (për shkak se besimtarët do të ikin në Sham prej fitneve).”[42]

Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pashë në ëndërr një shtyllë prej drite që doli prej nën jastëkut tim, e cila shkoi në Sham dhe u përqendrua në të.”[43]

Ibn Tejmija (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Shtylla e Librit dhe Islamit nënkupton shtylla në të cilat mbështeten të tjerët. Ata janë hafëzllarët që punojnë me Kuranin.”[44]

Iz ibn Abduselami (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Pejgamberi ﷺ lajmëroi se, kur të ndodhin fitnet, imani do të jetë në Sham. Kjo tregon se, nëse sprovat janë në fe, banorët e Shamit do të jenë larg tyre dhe të përqendruara në iman. E, nëse ndodhin jashtë fesë, banorët e Shamit do të bashkëveprojnë me ato sprova në përputhje me imanin. E a ka lavdërim më të plotë se ky lavdërim?!

Togfjalëshi “shtylla e Islamit” nënkupton shtyllën në të cilën myslimanët mbështeten dhe strehohen. Ndodhitë dëshmojnë për këtë realitet. Kur shfaqeshin fitnet, mospajtimet në mendime dhe mosmarrëveshjet, i kemi parë banorët e Shamit të jenë të qëndrueshëm plotësisht e të kapur për Kuranin dhe Sunetin.”[45]

Ibn Tejmija (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sa i takon Shamit, vazhdojnë të jenë të pranishme në të dija dhe imani. Këdo që lufton për Shamin, do të gjesh të përkrahur dhe të ndihmuar në çdo kohë.”[46] 

Muhamed el Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Pjesë nga libri: LUM PËR SHAMIN! – i përkthyer në gjuhën shqipe)

[1] “Tefsir Kurtubiu” (8/136).

[2] “Ahsenu Tekasim fi marifeti el Ekalim”, el Makdisiu (f. 151).

[3] “Mexhmua el Fetava” (27/505).

[4] “Tehdhib el Esma vel Lugat”, Imam Neveviu (3/171).

[5] “Hutat Sham” Muhamed Kurd Ali (1/9), “Tehdhib Esma ve Lugat” Neveviu (3/171).

[6] “Mexhmua el Fetava” (27/44).

[7] “Xhamiu el Bejan” (6/5093).

[8] “Nudhum Ed Durer fi tenasub el ajat ve es suveri”, el Bikaiu (3/92).

[9] “Xhamiu el Bejan” (7/5716).

[10] “Mexhmua El Fetava” (27/506).

[11] “Mexhmua El Fetava” (27/506).

[12] “Tefsir Kuran Adhim” (11/176).

[13] “Mexhmua El Fetava” (27/506).

[14] Buhariu (1073), Tirmidhiu (3953), Taberaniu në “Mu’xhem el Kebir” (12/384).

[15] “Mexhmua El Fetava” (27/44).

[16] “Mexhmua Resail Ibn Rexheb” (3/224).

[17] “Tergib Ehlul Islami fi sukna li Sham”, Iz ibn Abduselam (f. 34).

[18] “Mexhmua Resail Ibn Rexheb” (3/223).

[19] E ka për qëllim Ibn Tejmijen (Allahu e mëshiroftë!) në “Xhevab es Sahih limen bedele din el Mesih” (5/204), (5/207).

[20] “Tefsir Ibn Kethir” (8/434).

[21] “Mexhmua Resail Ibn Rexheb” (3/253).

[22] Ahmedi (21096), Tirmidhiu (3954) dhe e vlerësoi si të mirë. Imam Sujuti dhe Albani e vlerësuan hadithin të saktë.

[23] “El Mu’xhem el Kebir”, Taberaniu (5/158), shejh Albani e vlerësoi të saktë.

[24] “En Nihaje” (3/318).

[25] “Mirkatu el Mefatih” (9/4039).

[26] “Fejdul Kadir” (4/274).

[27] D.m.th. cilën palë ta zgjedhë. Më udhëzo në cilën tokë të shkoj kur të ndodhin fitnet dhe të ndahen tokat e myslimanëve në ushtarë ose shtete të vogla. (sh.a.)

[28] Ebu Davudi (2483), shejh Albani hadithin e vlerësoi të saktë.

[29] Vërtet Abdullah ibn Havale (Allahu qoftë i kënaqur me të!) shkoi në Sham dhe e mori për vendbanim deri në vdekjen e tij. Ndërroi jetë në Sham. “El Isabe fi temjiz es Sahabe (4/59)”, (sh.a.)

[30] Ahmedi (20356).

[31] “Ehadith el Muhtare”, Dija el Makdisiu (9/273).

[32] “Tergib Ehlu Islam” (f. 4).

[33] “Mexhmua Resail Ibn Rexheb” (3/185).

[34] Tirmidhiu (2912), dhe tha se hadithi është hasen sahih. Albani e vlerësoi të saktë.

[35] “Tarih el Kebir”, Ibn Ebu Hejtheme (2/107).

[36] “Mexhmua Resail Ibn Rexheb” (3/253).

[37] “Mexhmua el Fetava” (27/507).

[38] Tirmidhiu (2192) dhe e saktësoi. Po ashtu Albani e vlerësoi të saktë.

[39] “Sahih Ibn Hiban” (16/292).

[40] Ebu Davudi (2483), shejh Albani hadithin e vlerësoi të saktë.

[41] Ka për qëllim padrejtësitë dhe gjenocidin e ish-kryetarit Beshar Asadit ndaj popullit Sirian dhe luftërat në Palestinë (sh.p.)

[42] “Mustedrek”, Hakimi (8554), “Hiljetu”, Ebu Nuajm (5/252), Albani e saktësoi.

[43] “Delail Nubuve”, Bejhakiu (2776), “Musned Shamijin”, Taberaniu (f. 1566), “Musned Faruk”, Ibn Kethir (2/701), dhe e vlerësoi hadithin si të mirë, ndërsa Albani e saktësoi në “Tehrixh el Mishkatu” (3/369).

[44] “Mexhmua el Fetava” (27/42).

[45] “Tergib Ehlu Islam fi sukna Sham” (f. 5).

[46] “Mexhmua el Fetava” (4/449).

 

 

 

 

 

 

 

 


[There are no radio stations in the database]