
Vetëm javën e fundit në Kosovë u paraqitën mbi 320 raste të zjarreve
Agjencia e Menaxhimit Emergjent në Kosovë (AME), ka bërë të ditur se po përballen me situatë të vështirë, ku si pasojë e temperaturave të larta janë paraqitur shumë zjarre në gjithë vendin, raporton Anadolu.
Drejtori ekzekutiv i AME-së, Genc Metaj, nëpërmjet një konference për media të martën tha se vetëm javën e fundit janë paraqitur mbi 320 raste të zjarreve, malore, fushore por edhe në objekte, ku ata kanë intervenuar suksesshëm.
Metaj tha se aktualisht gjendja është stabile dhe nën kontroll, pavarësisht se ende ka zjarre aktive.
“Momentalisht kemi shtatë zjarre aktive dhe po punohet që edhe këto të shuhen plotësisht. Ky numër i madh dhe pasojat e mundshme që mund të sjellin këto zjarre, janë alarmante. Si rezultat i kësaj situate, fatkeqësisht kemi humbur një zjarrfikës, gjithashtu edhe një qytetar nga Komuna e Klinës”, theksoi Metaj.
Ai tha se në Kosova ndalohen të gjitha format e zjarrvënies në gjithë territorin e vendit dhe çdo neglizhencë do të trajtohet me seriozitet dhe do të pasohet me veprime ligjore.
Metaj tha se kushtet në terren mund të hapin zjarre të reja dhe zjarrfikësve mund t’u vështirësohet puna.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se numri i zjarrvënieve nga fillimi i korrikut në gjithë Kosovën është 54 ndërsa numri i personave të arrestuar për këtë arsye është nëntë, derisa numri i intervenimeve të policisë është 211.