Vazhdojnë përgatitjet për projektin e restaurimit të Xhamisë së Plumbit në Shkodër

Vazhdojnë përgatitjet për projektin e restaurimit të Xhamisë së Plumbit në Shkodër

Në Shqipëri vazhdojnë përgatitjet rreth zbatimit të projektit për restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, e cila do të restaurohet më mbështetjen financiare të Turqisë, pas marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve.

Xhamia, e cila mbart vlera të rralla arkitekturore në vend, do të restaurohet me mbështetjen financiare të Drejtorë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë, në kuadër të protokollit të nënshkruar në Ankara mes Turqisë dhe Shqipërisë, gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në janar 2021.

Aktualisht vazhdojnë përgatitjet e institucioneve shqiptare dhe turke për zbatimin e projektit.

Projekti i restaurimit është në dy faza

Besara Podgorica, drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) tregon se projekti është i ndarë në dy faza, konkretisht për ndërtimin e digës për parandalimin e përmbytjeve dhe më pas punimet restauruese.

Ajo thekson se Xhamia e Plumbit është një nga objektet më të rëndësishme me vlera historike në aspektin e trashëgimisë kulturore në të gjithë Shqipërinë.

“Projekti ka marrë dritën jeshile në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Materiale përsa i takon restaurimit, ku parashikohet të bëhet ndërhyrja në sistemin e rikualifikimit të oborrit të xhamisë, ambientit përreth, sistemit të ndriçimit, ringritjes së minares së xhamisë dhe komplet restaurimit të brendshëm dhe të jashtëm të fasadës së saj”, shprehet Podgorica.

Ajo tha se në fazën e parë do të ngrihet një sistem dige, i cili do ta mbrojë objektin nga vërshimet e ujërave nëntokësore si dhe nga përmbytja.

“Për ngritjen e digës është bërë një studim nga një kompani shqiptare në bashkëpunim me palën turke dhe normalisht ajo (diga) do të japë edhe zgjidhjen përfundimtare nga përmbytja, duke parandaluar kështu vërshimet e ujërave nëntokësore, shirat të cilat kanë qenë gjithnjë një kërcënim për objektin e trashëgimisë kulturore”, tha Podgorica.

Ajo shtoi se projekti është prezantuar në Këshillin Kombëtar të Territorit të Shqipërisë dhe sipas saj, brenda një harku kohor prej 6 muajsh pritet të ngrihet kantieri dhe të fillojë dhe puna për restaurimin e objektit.

Sipas saj, me restaurimin, xhamia do të kthehet edhe në një atraksion turistik për Shkodrën.

Historiku i Xhamisë së Plumbit në Shkodër

Xhamia e Plumbit është xhamia më e madhe që ruhet në Shqipëri e stilit osman, me ndërthurjen edhe të arkitekturave të tjera.

Kjo është ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati në vitin 1773-1774, duke shërbyer për një kohë të gjatë si xhamia më e madhe e vendit.

Xhamia e Plumbit që gjendet në shpatet e kalasë së Rozafës dhe në pikën e kryqëzimit të lumenjve të Drinit, Kirit dhe Bunës, në vitin 1948 u shpall monument kulture, duke pasur statusin e mbrojtjes nga shteti.

Në vitin 1967, kur edhe zyrtarisht u ndalua feja në Shqipëri, xhamia pësoi dëmtime, sidomos me rrënimin e minares, ndërkohë në periudha të ndryshme ajo nuk është përdorur zyrtarisht për kryerjen e riteve.

Ajo mbetet një xhami simbol në Shqipëri, pasi rihapi dyert për besimtarët muslimanë më 16 nëntor të vitit 1990 pas ndalimit shumëvjeçar të fesë në vend gjatë periudhës së komunizmit.