Ukraina nuk parashikon ofensivë në shkallë të gjerë nga Rusia më 16 shkurt

Ukraina nuk parashikon ofensivë në shkallë të gjerë nga Rusia më 16 shkurt

Sekretari i Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, Oleksiy Danilov, ka deklaruar se Ukraina nuk parashikon se Rusia do të nisë një sulm në shkallë të gjerë ndaj vendit më 16 shkurt, transmeton Anadolu Agency (AA).

Danilov për mediat ukrainase tha se ata janë të vetëdijshëm për zhvillimet dhe rreziqet në territorin e tyre.

Duke theksuar se situata është plotësisht nën kontroll, Danilov tha se nuk parashikojnë një sulm në shkallë të gjerë nga Rusia më 16 apo 17 shkurt.

Megjithatë, ai theksoi se edhe Ukraina është e përgatitur për çdo lloj sulmi, duke shtuar se pala ruse mund të kryejë provokime.

Presidenti amerikan, Joe Biden, më herët njoftoi liderët e vendeve perëndimore se Rusia mund të sulmojë Ukrainën më 16 shkurt.

Ukraina është e trazuar nga konflikti në rajonet e saj lindore që nga marsi i vitit 2014 pas pushtimit rus dhe aneksimit të Krimesë.

Moska ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa pranë Ukrainës, duke shkaktuar frikë se Kremlini mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit ish-sovjetik.

Rusia ka mohuar se po përgatitet të pushtojë dhe ka akuzuar vendet perëndimore për minimin e sigurisë së saj përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve të saj.

Kremlini gjithashtu lëshoi një listë kërkesash të sigurisë për Perëndimin, përfshirë tërheqjen e dislokimeve të trupave nga disa vende ish-sovjetike, si dhe garanci që Ukraina dhe Gjeorgjia nuk do të anëtarësohen në NATO.