Ukraina falënderon Kosovën për mbështetjen

Ukraina falënderon Kosovën për mbështetjen

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti ka zhvilluar bisedë telefonike me homologen e tij ukrainase, Emine Dzhaparova, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmes bisedës që kanë zhvilluar zv/ministri Ahmeti e ka njoftuar zv/ministren Dzhaparova për rreshtimin e Kosovës në përkrahje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

“Ai përmendi sanksionet të cilat Kosova tashmë i ka vendosur dhe gatishmërinë për t’i shtuar ato në koordinim me SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Ahmeti ka përmendur edhe ndihmën që Kosova po e ofron në këtë situatë duke strehuar 20 gazetarë, duke larguar përkohësisht regjimin e vizave për qytetarët ukrainas dhe duke treguar gatishmëri për strehimin e 5.000 refugjatëve.

Njoftimi bën të ditur se Dzhaparova e ka falënderuar Kosovën për mbështetjen dhe për rreshtimin e menjëhershëm në anën e Ukrainës.

Zv/ministrja Dzhaparova e njoftoi Ahmetin për situatën e rëndë humanitare të shkaktuar nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse dhe për rezistencën e fortë që po e bëjnë ukrainasit.

“Kriza humanitare e shkaktuar nga Federata Ruse, veçanërisht në qytete si Mariupol ku qytetarët po mbahen peng nga rrethimi rus, po thellohet çdo ditë e më shumë”, ka thënë zv/ministrja ukrainase.

Zv/ministri Ahmeti përcolli ngushëllimet e sinqerta të Qeverisë së Republikës së Kosovës për viktimat e agresionit rus dhe të dy u pajtuan që t’i vazhdojnë komunikimet e rregullta për bashkëpunim të mëtutjeshëm.