U konstitua Këshilli Drejtues i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame

Sot, në Prishtinë, u mbajt mbledhja konstituive e këshillit drejtues të Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame. Këshilli drejtues është emëruar nga Kryesia e Bashkësisë Islame, e po ashtu Kryesia e BIK-ut e ka miratuar edhe statutin e Institutit.
Në mbledhjen konstituive qe i pranishëm edhe zv.kryetari i Kryesisë së BIK-ut, Ahmet ef. Rama, i cili iu dëshiroi suksese dhe mbarësi në punën e këtij Instituti, e po ashtu premtoi përkrahjen dhe mbështetjen e Kryesisë së BIK-ut për Institutin.
Pas konstituimit, Këshilli drejtues, në bazë të kompetencave të parapara me statutin e Institutit, neni 11. Pika 13, Kryesisë së BIK-ut i propozoi për drejtor të Institutit, studiuesin e njohur të shkencave islame z. Sabri Bajgora.
Sabri Bajgora në fjalën e tij, i falënderoi të gjithë anëtarët për besimin e dhënë, si dhe i ftoi ata për një bashkëpunim të frytshëm në projektet e ndryshme të cilat do të jenë prioritete të këtij Instituti në vitet e ardhshme.
Anëtarët e këshillit drejtues janë: Sabri Bajgora, Ramadan Shkodra, Vedat Sahiti, Sadik Mehmeti, Valon Myrta, Besir Neziri dhe Abdulkadër Arnauti.
Veprimtaria e Institutit do të zhvillohet nëpërmes punës kërkimore-shkencore të bashkëpunëtorëve të jashtëm, përmes projekteve të propozuara dhe të miratuara nga Instituti.
Veprimtarie e Institutit është e përqendruar në punën kërkimore-shkencore nga fusha e shkencave islame dhe të kulturës shqiptare e më gjerë.
Instituti organizon punën kërkimore-shkencore e profesionale dhe studimin e thesarit kulturor, material e shpirtëror islam në vend. Po ashtu, Instituti organizon dhe kryen edhe detyra të tjera kërkimore shkencore nga fusha e islamologjisë dhe e kulturës shqiptare dhe e kulturës së popujve të tjerë mysliman në vend.