
Tribuna në St. Pölten dhe Traisen: Besimi, rinia dhe kultura në qendër të vëmendjes
Me moton domethënëse “Rinia na bashkon”, fundjava që lamë pas u shndërrua në një ngjarje frymëzuese që mblodhi rreth 700 pjesëmarrës nga Austria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Aktiviteti u organizua nga Xhamia “Abdyl Frashëri” në Ratzersdorf të St. Pölten-it dhe u shqua për atmosferën shpirtërore dhe kulturore që krijoi.
Në këtë tribunë të veçantë morën pjesë personalitete të njohura si Hoxhë Fadil Musliu, Hoxhë Ardian Sejdiu, Hoxhë Ismet Selimi, teologia Xhejlane Nexhipi, ilahisti Nusret Kurtishi me grupin e tij dhe artisti Basri Lushtaku, të cilët sollën ilahi, ligjërata dhe mesazhe të fuqishme për unitet, besim dhe përkatësi.
Ngjarja kulmoi me një turne futbolli të mbajtur të dielën në Traisen, ku morën pjesë mbi 150 të rinj, duke promovuar vlerat e sportit, bashkëpunimit dhe lojës së ndershme.
Ky manifestim dëshmoi se bashkimi përmes fesë, kulturës dhe rinisë është çelësi për ndërtimin e një shoqërie të fortë dhe të qëndrueshme. Organizatorët shprehën mirënjohje të veçantë për sponsorët që mundësuan këtë aktivitet si dhe për Rtv Pendimi dhe Open-TV për mbulimin mediatik dhe shpërndarjen e mesazheve pozitive.
“Kur rinia ecën me vlerat e besimit dhe kulturës, atëherë lindin shpresat për një të ardhme më të ndritur” – u tha në fund të aktivitetit.