
TIKA dhuron makineri bujqësore për bujqit e Kosovës
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka ndarë makineri bujqësore për bujqit e Komunës së Mamushës, në Kosovë, raporton Anadolu.
Në kuadër të projektit “Mbështetja e fermerëve të Mamushës me mekanizëm bujqësorë”, TIKA ndau për bujqit e kësaj komune 200 pompa për spërkatje me kapacitet prej 400 litra.
Në ceremoninë e shpërndarjes së këtyre makinerive, morën pjesë Ambasadori i Republikës së Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, Koordinatorja e Zyrës së TIKA-së në Prishtinë, Fulya Aslan, Konsulli i Përgjithshëm Turk në Prizren, Celal Doğan, kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniq, përfaqësues të KFOR-it Turk, bujq dhe qytetarë.
Në fjalën e tij, Ambasadori Angılı deklaroi se fermerët në Mamushë prodhojnë katër herë më shumë se sasia e produkteve të konsumuara në përgjithësi në Kosovë dhe se ai vetë i përdor këto produkte.
Angılı vuri në dukje se produktet e prodhuara nga prodhuesit e Mamushës po shiten në vendet evropiane dhe se shpreson që Mamusha të vazhdojë të bëjë përparim të mëtejshëm ekonomik.
“Si Republikë e Turqisë, ne qëndrojmë me Mamushën dhe popullin e Mamushës në periudhën e ardhshme. Jemi krenarë për ju dhe ju vlerësojmë shumë”, shtoi ai.
Koordinatorja e TIKA-s për Kosovën, Aslan, deklaroi se projekti i tyre për fermerët e Mamushës synon të zvogëlojë barrën e punës, të përshpejtojë aktivitetet bujqësore dhe të rrisë produktivitetin.
“Shpresoj që do të vazhdoni prodhimin tuaj këtu në të ardhmen. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në prodhim, duke punuar krah për krah me ju, banorët e Mamushës, me të cilët Turqia ka një lidhje të fortë”, shtoi Aslan.
Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniq, falënderoi Republikën e Turqisë dhe përfaqësuesit e TIKA-s për mbështetjen e dhënë, derisa theksoi se ndihma të tilla luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e prodhimit bujqësor.
Pas fjalimeve, TIKA shpërndau makinat spërkatëse për 200 fermerë në kuadër të projektit “Mbështetja e fermerëve të Mamushës me mekanizëm bujqësorë”.