Tetë vatra zjarri në Shqipëri, rëndohet situata

Tetë vatra zjarri në Shqipëri, rëndohet situata

Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të rëndohet. Në Përmet, dhjetëra kullota dhe hektarë tokë janë djegur në hyrje të fshatit Kutal.

Deri rreth orës 21:20 raportohet të jenë djegur rreth 15 hektarë kullota dhe 2 hektarë pisha në një zonë të mbrojtur në Kutal, ku zjarrfikësja e ka të pamundur të shkojë me mjete.

Për situatën e zjarreve në Shqipëri ministria e Mbrojtjes ka angazhuar disa grupe ushtarake, mirëpo deri më tani nuk ka raportime për përmirësim të situatës.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi përmes një postimi në Facebook të shtunën se janë 8 vatra zjarri aktive ku po punohet intensivisht për neutralizimin e tyre, raporton euroneës.al.

Në zonat më kritike si Karaburuni, Shijaku, Përmeti, Fieri etj, janë angazhuar mjetet dhe trupat e Forcave të Armatosura, njoftoi Peleshi.

Ai u ka bërë thirrje banorëve të komuniteteve përreth të denoncojnë çdo rast ku vihet re keqbërja e qëllimshme dhe të tregohen të kujdesshëm sepse siç ka paralajmëruar dhe Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) temperaturat e larta dhe thatësira mund të shtojnë rastet e zjarreve në vend.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur kontrollet mbi të gjitha hallkat e strukturave të reagimit kundër zjarrit, në të gjitha qytetet ku flakët po shkrumbojnë kullota dhe pyje.