Siri, në sulmet e regjimit të Asadit në periferinë e Idlibit humbën jetën 8 civilë

Siri, në sulmet e regjimit të Asadit në periferinë e Idlibit humbën jetën 8 civilë

ë paktën 8 civilë humbën jetën ndërsa 9 të tjerë u plagosën në sulmet që regjimi i Bashar al-Asadit dhe grupet terroriste me mbështetje iraniane kryen në fshatrat Meshu, Iblin dhe Beylun të cilat ndodhen brenda zonës së deeskalimit në Idlib të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Përgjegjësi për mediat i Mbrojtjes Civile të Sirisë (Beretat e Bardha), Hasan el-Ahmet në një deklaratë për AA tha se forcat e regjimit kanë kryer sulm me armë tokë-tokë ndaj fshatrave Meshu, Iblin dhe Beylun që ndodhen në jug të Idlibit.

Ahmet informoi se në sulmin në Iblin kanë humbur jetën 5 civilë, në Belyun 2 ndërsa në Meshun 1 civil ndërsa 10 të plagosurit janë dërguar në spitalet përreth.

Situata në Idlib

Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana, u shpallën “4 zona të deeskalimit”, përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij (Latakia, Hama dhe Halep), pjesën veriore të qytetit Homs, Gutën Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.

Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë, morën nën kontroll 3 zonat e tjera të mbetura nga 4 rajonet dhe u drejtuan drejt Idlibit. Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin.

Forcat e regjimit dhe Rusisë në maj 2019 filluan operacionet për të marrë nën kontroll të gjithë rajonin dhe morën nën kontroll shumë vendbanime të mëdha në rajonin e deeskalimit në Idlib.

Së fundmi, Turqia dhe Rusia siguruan një marrëveshje të re më 5 mars 2020 në kryeqytetin rus, Moskë.

Armëpushimi i shkelur herë pas here nga ana e forcave të regjimit, respektohet në masë të madhe. Në periudhën 2017-2020, rreth 2 milionë civilë u detyruan të migrojnë në afërsi të kufirit me Turqinë për shkak të sulmeve të Rusisë dhe forcave të regjimit.