
SHEMBUJ PËR T’U FRIKËSUAR
Në anën tjetër historia dëshmon për raste të dhimbshme dhe jetëshkrime të errëta që mbetën mësim për të gjithë ne.
ABDUH IBN ABDURRAHIMI
Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) tregon: “Në vitin 278 hixhri ndërroi jetë Abduh ibn Abdurrahimi. Allahu e poshtëroftë!” Ibn Xheuziu (Allahu e mëshiroftë!) tregon se ky person ishte prej luftëtarëve që luftonin shpesh në tokat e romakëve. Gjatë luftimeve myslimanët pushtuan një fortesë të romakëve, por ishte e pakapshme. U detyruan ta rrethonin për një kohë të gjatë, por prapëseprapë vazhdoi të mbetej e pamposhtur.
Përgjatë rrethimit u paraqit një grua prej romakëve. Atë e pa një burrë prej myslimanëve, që quhej Abduh ibn Abdurrahimi. U mahnit nga bukuria e saj dhe iu lidh zemra për të.
I shkroi një letër, ku i tha: “Si të arrij te ti?”
Ia ktheu: “Të bëhesh i krishterë, e pastaj eja tek unë!”
U bë i krishterë dhe shkoi tek ajo.
I mjeri! Kujtoi që tërë lumturia gjendet në martesën e një gruaje ose në përfitimet e dynjasë.
Kur myslimanët e vërejtën që po mungonte, i kaploi mërzi e madhe.
Ditët po kalonin dhe fortesën nuk mundnin ta merrnin. E braktisën dhe u larguan prej aty.
Pas një kohe sërish kaloi një grup prej myslimanëve te fortesa dhe e kujtuan Abduh ibn Abdurrahimin. I thanë njëri-tjetrit: “Vallë, tani si është gjendja e tij?”
E thirrën me zë emrin e tij: “O Abduh ibn Abdurrahim!”
Doli para tyre.
I thanë: “E arrite atë që e dëshirove! Por, ku është Kurani dhe dija jote? Me namazin si i ke punët?” Iu përgjigj: “Më ka dalë krejt Kurani nga mendja, përveç një ajeti, ku Allahu thotë: “Do të vijë Dita (e Kiametit), kur mohuesit do të dëshirojnë që të ishin myslimanë.” (El Hixhr, 2) Tanimë jam pjesë e tyre, me pasurinë dhe fëmijët e mi.[1]
IBN SEKAI
Tregohet për një fekih të quajtur Ibn Seka se e kishte pyetur Ebu Is’hak Shejraziun (Allahu e mëshiroftë!) për një çështje, por sjellja e tij kishte qenë e palakmueshme. Imam Shejraziu i kishte thënë: “Ulu, sepse nga fjalët e tua po e nuhat erën e kufrit.” Ibn Sekai ishte hafëz i fortë dhe prej lexuesve të njohur të Kuranit. Por, me kohë devijoi e u bë i krishterë dhe ashtu ndërroi jetë. Allahu na ruajttë nga përfundimi i keq! Arsyeja ishte se shpesh udhëtonte për në tokat e romakëve si i dërguar prej kalifit e atje ra në sprovë duke u joshur nga e bija e mbretit. Kërkoi të martohet me të, por e kushtëzuan të bëhej i krishterë. Ashtu veproi. Më vonë e panë njerëzit në Konstantinopojë (Stambollin e sotëm), të sëmurë dhe me vete mbante një erashkë, me të cilën i largonte mizat prej fytyrës. E pyetën për Kuranin e iu përgjigj se e kishte harruar të tërin përveç një ajeti: “Do të vijë Dita (e Kiametit), kur mohuesit do të dëshirojnë që të ishin myslimanë.” (El Hixhr, 2)[2]
MYEZINI NGA EGJIPTI
Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) tregon: “Në Egjipt jetonte një burrë që ishte myezin për dyzet vjet dhe njihej për devotshmërinë e tij.
Një ditë hipi në minare që ta thërriste ezanin dhe prej lart pa një vajzë që jetonte përballë xhamisë. Shtëpia ishte e një të krishteri dhe ajo ishte e bija tij. I pëlqeu bukuria e saj.
Shkoi te shtëpia e saj e i trokiti në derë.
Ajo pyeti: “Kush është?”
I tha: “Më pëlqen ti dhe dua të martohem me ty.”
Ajo e pyeti: “Pse?”
I tha: “Më pushtove zemrën.”
Ajo i tha: “Nuk të përgjigjem asnjëherë përderisa nuk ma vërteton.”
I tha: “Do të martohem me ty.”
Ajo tha: “Ti je mysliman e unë e krishterë. Babai im nuk pranon të martohem me mysliman.”
Tha: “Atëherë do të bëhem i krishterë!”
Ajo tha: “Nëse bëhesh i krishterë, do të martohem me ty.”
U bë i krishterë dhe atë ditë qëndroi në shtëpinë e saj. Ndërkohë hipi lart në çatinë e shtëpisë dhe nuk shkoi shumë e ra prej lart në tokë dhe ndërroi jetë.
Nuk u martua me vajzën në fjalë dhe, më e keqja, e humbi fenë e tij.”[3]
Muhamed el Munexhidi
Nga arabishtja: Irfan Jahiu
(Pjesë nga libri i përkthyer në gjuhë shqipe “BETEJA ME EPSHET”)
[1] “El-Bidaje ue en-Nihaje” (11/64).
[2] “Shedherat edh Dheheb” (2/11).
[3] “Dau ve Devau” (f. 118).