[There are no radio stations in the database]

Shefi i Këshillit të BE-së përkujton viktimat e Srebrenicës: Nuk ka vend për mohimin e gjenocidit

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) kanë shënuar 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës duke hedhur poshtë me vendosmëri mohimin, revizionizmin dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës si dhe kanë riafirmuar mbështetjen për rrugën e Bosnjë e Hercegovinës drejt anëtarësimit në BE, transmeton Anadolu.

“Nuk ka vend në Evropë apo askund tjetër për mohimin e gjenocidit, revizionizmin apo glorifikimin e atyre që janë përgjegjës. Mohimi i tmerreve të tilla vetëm se helmon të ardhmen tonë”, tha në ceremoninë përkujtimore në Srebrenicë Antonio Costa, president i Këshillit Evropian.

Costa theksoi angazhimin e BE-së për llogaridhënie, duke shtuar se blloku evropian nderon viktimat dhe qëndron në solidaritet me të mbijetuarit, duke u zotuar ta mbajë gjallë kujtimin e tyre. Ai tha se BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj procesit të zgjerimit, duke shtuar se besojnë se “vendi i Bosnjë e Hercegovinës është në BE”.

Në një deklaratë të ndarë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përsëriti këtë mesazh, duke e quajtur masakrën e Srebrenicës “një nga kapitujt më të errët në kujtesën kolektive të Evropës”.

“Ne e pranojmë të kaluarën tonë dhe e pranojmë përgjegjësinë tonë për dështimin në parandalimin dhe ndalimin e gjenocidit. Gjithashtu ne nuk do të lejojmë kurrë që historia të rishkruhet”, tha ajo.

Von der Leyen theksoi se BE-ja “hedh poshtë dhe dënon me forcë çdo mohim, shtrembërim ose minimizim të gjenocidit të Srebrenicës si dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës”.

Ajo u bëri thirrje udhëheqësve politikë, veçanërisht në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Ballkanin Perëndimor, të pranojnë faktet historike dhe të nderojnë sinqerisht viktimat, duke riafirmuar mbështetjen e BE-së për të ardhmen evropiane të Bosnjë e Hercegovinës.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjë e Hercegovinës pushtuan qytetin lindor boshnjak të Srebrenicës, i cili ishte shpallur “zonë e sigurt” e OKB-së dhe gjatë disa ditëve më shumë se 8 mijë burra dhe djem muslimanë boshnjakë u ndanë sistematikisht nga familjet e tyre dhe u varrosën në varre masive në atë që u bë masakra më e keqe në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjenocidi në Srebrenicë është njohur nga gjykatat ndërkombëtare dhe kombëtare, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, e cila vendosi që vrasjet masive përbënin gjenocid.

Krimi i tmerrshëm la plagë të thella në të gjithë Bosnjën dhe riformësoi përpjekjet e vendit për rimëkëmbje dhe pajtim pas luftës.


[There are no radio stations in the database]