E3A4381E-8304-4FBD-90D9-A62626FB7392

SHBA, së paku 48 të vdekur nga stuhia e acartë

Stuhia e acartë e Arktikut që goditi pjesën më të madhe të pjesës perëndimore dhe veriore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka marrë të paktën 48 jetë, ndërsa zonat e prekura janë mbuluar me borë dhe akull rekord, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sezoni i Krishtlindjeve 2022 solli një stuhi, ku rreth 60 për qind e popullsisë amerikane po përballet me një lloj problemi dimëror, si dhe me temperatura dhe kushte ekstreme”, raportuan Fox News dhe CNN.

Borë ra në pjesën më të madhe të vendit, nga malet Apalachian deri në kufirin jugor me Meksikën.

Natën e së dielës vonë, guvernatorja e New York-ut, Kathy Hochul, u kërkoi banorëve të qëndrojnë në shtëpi për 24 orët e ardhshme.

Shërbimet e urgjencës në qytetet nga Maine në Seattle u penguan të bënin punën e tyre për shkak të temperaturave të ulëta, borës së madhe dhe automjeteve të ngujuara. Në disa shtete të vendit ka pasur ndërprerje në furnizimin me energji elektrike.

Aeroportet janë mbyllur, ndërsa Buffalo, Denver dhe Detroit që janë vetëm disa nga aeroportet kryesore ku fluturimet janë anuluar. Sipas FlightAware, një faqe interneti që gjurmon vonesat dhe anulimet ditore të fluturimeve, 4.937 fluturime janë anuluar në ditën e Krishtlindjeve dhe 16.869 fluturime janë vonuar. Të hënën janë anuluar 4.190 fluturime, ndërsa janë regjistruar 13.047 vonesa.