Ruçi: Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë është strategjik

Ruçi: Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë është strategjik

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, po realizon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është takuar me homologun Gramoz Ruçi, raporton Anadolu Agency(AA).

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, ka pritur në takim kryeparlamenatrin e Kosovës, ndërsa mbajtën edhe një deklaratë të përbashkët për mediat duke u fokusuar në bashkëpunimin mes dy vendeve, procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën.

– “Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë është strategjik”

Kryeparlamentari Ruçi tha se gjatë takimit vlerësuan bashkëpunimin, sipas tij, të shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke shtuar se ky bashkëpunim për dy vendet është strategjik.

“Sigurisht që vlerësuam arritjet dhe bashkëpunimin në fushën ekonomike, tregtare, turistike, arsimore, kulturore, dhe u ndalëm në bashkëpunimin e mëtejshëm në politikën e jashtme dhe atë diplomatike, duke ndarë së bashku të njëjtin mendim se duhet të nisim një ofensivë diplomatike për të rivitalizuar procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, sigurisht që në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë”, u shpreh Ruçi.

Duke iu referuar procesit të bisedimeve të ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë, Ruçi theksoi se ndajnë të njëjtin qëndrim që rezultati përfundimtar duhet të jetë një marrëveshje e detyrueshme ligjore, që sipas tij mundëson njohjen e ndërsjellë të dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe në BE si dhe trajtimin e drejtë të minoriteve në Kosovë.

Kryeparlamentari i Shqipërisë theksoi se është inkurajuese mbështetja e plotë nga administrata e re amerikane dhe presidenti Joe Biden.

“Shqipëria vlerëson shumë qëndrimin dinjitoz të ish-drejtuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të UÇK-së si dhe gatishmërinë e tyre për t’i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën e luftës së madhe për shpëtimin e popullit të saj nga krimet dhe gjenocidi serb. Për mendimin tonë si Shqipëri, është Serbia ajo që ka kryer gjenocid, është Serbia ajo që ka kryer krime kundër njerëzimit, ka kryer krime lufte, që ka fshehur kriminelë në kërkim për dekada të tëra dhe që nuk ka bashkëpunuar me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe sot përpiqet të glorifikojë kriminelët e vet që i ka mbrojtur dhe i ka fshehur”, u shpreh më tej Ruçi.

– Konjufca: Ne kemi interesa të përbashkëta

Kryeparlamenatri i Kosovës tha se në takim kanë trajtuar disa çështje, si nevojën për thellimin e bashkëpunimit në disa fusha, si në atë të ekonomisë dhe bashkëpunimit të institucioneve në fusha të tjera.

“Ne patëm një takim të frytshëm me kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë. Mund të them që asnjë fjalë nuk mund ta përmbledhë në mënyrën më të plotë kontributin e madh e të çmuar që Republika e Shqipërisë e ka dhënë në vazhdimësi për shtetin tonë, për Republikën e Kosovës. Ne kemi interesa të përbashkëta dhe të njëjta meqenëse jemi një komb e të tillë mendoj që ta kemi edhe politikën edhe artikulimin e interesave tona të përbashkëta”, u shpreh Konjufca.

Ai tha se dy vendet deri tani e kanë një bashkëpunim “vetëm të një niveli të fqinjëve të mirë”, dhe shtoi se “unë mendoj që bashkëpunimi duhet të ngrihet në një nivel tjetër e që është bashkëpunimi mes dy vendeve të cilat konstituojnë të njëjtin komb, pra një komb të vetëm.”

“Trajtuam edhe sfidat që vendin tonë e presin. Ne do të përballemi në një dialog të vështirë me Republikën e Serbisë meqenëse faktorët ndërkombëtarë të cilët e udhëheqin dhe kanë organizuar këtë dialog mes Kosovës dhe Serbisë e kanë definuar atë si faza përfundimtare më të cilën do duhej të përmbyllej ky dialog e që do të duhej ta merrte formën e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë. Na duhet një koordinim shumë i thellë e i ngushtë me Republikën e Shqipërisë , ashtu që Kosova mos të dëmtohet nga një marrëveshje e tillë”, tha Konjufca.

Konjufca theksoi se për Republikën e Kosovës dëm do të ishte “krijimi i çfarëdo entiteti territorial serb brenda Republikës Kosovës e cila do të kontrollohej nga Beogradi”.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, kreu i Kuvendit të Kosovës u takua edhe me presidentin Ilir Meta dhe pritet të takohet edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.