[There are no radio stations in the database]

RREZIKU I DHËNIES PAS EPSHIT

  1. A mund t’i rezistosh?

Allahu thotë: “Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar.” (El Furkan, 68-69) Bëhu i sinqertë: a mund t’i rezistosh këtij dënimi?

Semura ibn Xhundebi  tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Unë kam parë (në ëndërr) se dy veta erdhën tek unë, më morën për dore dhe më çuan në Tokën e Shenjtë…[1] Kështu, ecëm derisa arritëm te një gropë si furrë: (kjo ishte) e ngushtë në krye dhe e gjerë në fund, ndërsa zjarri ndizej fort që nga poshtë. Sa herë që ngrihej flaka, njerëzit ngriheshin lart, aq sa gati dilnin jashtë dhe, sa herë që ulej furia e zjarrit, njerëzit binin poshtë, ndërsa në të ishin burra dhe gra të zhveshura. I pyeta se cilët janë këta njerëz dhe ata dy veta (që ishin realisht melekë), më thanë: “Burra dhe gra që kanë kryer imoralitet!”[2]

Ky ndëshkim është një formë e dënimeve që u jep Allahu atyre që kanë kryer imoralitet, por me kaq nuk përfundon, se ka edhe më shumë të tjera! E ti, a mund t’u rezistosh këtyre ndëshkimeve? Apo ke dëshirë ta fusësh veten në rreziqe e ta marrësh dënimin?

Mos më thuaj: “Nuk arrita deri tek imoraliteti.” Ngase dihet se shikimi e prekja janë hapat e parë në rrugën e amoralitetit.

  1. Një hap për në rrugën e shkatërrimit

A harrove që shejtani u betua para Allahut për synimin e tij të të mashtrojë nëpërmjet çdo hapësire që i jepet atij? Allahu thotë: Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë. E do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të jenë mirënjohës!” (El Araf, 16-17)

Shejtani synon të riun ta mashtrojë e ta devijojë me çdo kusht. Ai mirë e di se, nëse robi bie në gjynah, qoftë dhe i vogël, tashmë ka hedhur një hap përpara me gjynahun, e ajo që vjen më pas do të jetë më e lehtë se në fillim.

Allahu tregoi për rastin e dezertorëve nga fushëbeteja e Uhudit se si shejtani i çoi në gabim të madh, për shkak të disa gjynaheve që kishin bërë. Megjithatë, në fund, Allahu ua fali gabimin, siç thotë “Ata prej jush që kthyen shpinën ditën kur u ndeshën dy ushtritë, në të vërtetë, djalli i shtyu në gabim, për shkak të disa gjynaheve që kishin bërë. Por, në të vërtetë, Allahu ua fali (gabimin), sepse Allahu është Falës i madh dhe i Butë.” (Ali Imran, 155)

Kuptoje se shejtani synon të shfrytëzojë çdo metodë vetëm që të fusë në gjynah të vogël, që më pas gradualisht të të çojë deri në imoralitet e, për në fund, të të thotë: “Tashmë e humbe dynjanë dhe ahiretin, tanimë kënaqu me çfarëdo dëshire epshi dhe zhytu thellë në të.” Kështu të humb çdo gjurmë të rrugës së kthimit.

  1. Kujdes nga përfundimi i keq

Ibn Mesudi  tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pasha Allahun, në Dorën e të Cilit është shpirti im, njeriu do të punojë punë të banorëve të Xhenetit, derisa mes tij dhe hyrjes në Xhenet të mbetet veç një kut, por libri ia parakalon, prandaj nis të punojë vepra të banorëve të Zjarrit dhe hyn në të.”[3]

Mu për këtë selefët (gjeneratat e para të drejta) e kishin frikë përfundimin e keq. Sufjan Theuriu (Allahu e mëshiroftë!) qau një natë deri në mëngjes e i thanë: “Pse po qan? A janë shkak gjynahet e tua?” Mori një fije kashte prej në tokë dhe tha: “Gjynahet janë më të lehta se kjo fije, e ajo që më bëri të qaj është frika nga përfundimi i keq.”

Një prej shkaqeve më të mëdha të përfundimit të keq është lidhja e zemrës me epshe deri në atë gradë sa ta mposhtin atë. Çdo njeri e brengos diçka që ia angazhon mendjen dhe ia rrëmben ndjenjat. Për dikë dinari e dërhemi janë preokupimi i tij, për dikë tjetër epshet dhe kënaqësitë janë prioriteti i tij, e tjetrin e vëren që mendjen e ka te bota tjetër, e, nëse mendon për këtë botë, mendjen e ka te gjendja e myslimanëve dhe synimi i tij është ta përmirësojë veten.

Tregohet për një person të cilit dashuria ia kishte verbuar zemrën, u sëmur nga dhembja e madhe derisa u bë për në shtrat. Gjendja e tij u përkeqësua. Njerëzit shkuan te personi që e dashuronte, kërkuan prej tij që ta vizitonte. Premtoi se do të shkonte në vizitë. Shkoi lajmi si rrufeja se i dashuri do ta vizitonte e ai, nga gëzimi, u ngrit nga shtrati, sikur të mos kishte pasur gjë. Priste me padurim takimin e tij. Por, ndodhi diçka e papritur: i treguan që personi u nis dhe rrugës u kthye sërish. Lajmi e lëndoi keqas dhe u bë më keq sesa që ishte më parë. I shtrirë në shtrat, në atë gjendje të rëndë, përmallohej për të dashurin e tij, saqë një moment, në agoninë e vdekjes, tha: “Këto momente zemra po vuan për dashurinë dhe kënaqësinë tënde. Ato po i kërkon në vend të mëshirës së Krijuesit të Madhërishëm!” Personi që ishte pranë tij i tha: “Ki frikë Allahun! Çfarë po flet!” Tha: “E kisha dikur atë! Tani zemra ime veç dashurinë e tij po e kërkon!” Personi që i qëndronte pranë u largua prej tij dhe, me të arritur te pragu i derës, i dëgjoi klithmat e fundit të tij duke dhënë shpirt, pa e shqiptuar shehadetin!

Tregohet për një burrë tjetër dhe dashurinë e tij të çmendur pas një gruaje. Qëndronte jashtë shtëpisë, në rrugë pranë derës së tij. Në një moment kaloi pranë tij një grua e bukur që e pyeti: “Më oriento për te Hamami Minxhab?” Kur e pa bukurinë e saj, nuk deshi t’i ikte mundësia ta bënte për vete. Ai i tha: “Ky objekt është Hamami Minxhab (kishte për qëllim shtëpinë e tij)!” Gruaja u fut brenda e, pas saj hyri edhe ai. Sapo u fut brenda, e kuptoi mashtrimin e tij. Në këtë rast e shfaqi mençurinë dhe maturinë e saj. E dinte që nuk kishte zgjidhje tjetër, prandaj zgjodhi të shfaqte gëzimin e rrejshëm kinse po gëzohej me takimin e tij. I tha atij: “Takimi ynë është i veçantë dhe duhet të festohet në mënyrë sa më të veçantë!” Burri e kuptoi mesazhin dhe menjëherë doli të përgatitej për atë natë. Kur doli, harroi ta mbyllte derën e shtëpisë. Ajo menjëherë e hapi derën dhe iku prej aty. Kur burri u kthye dhe nuk e pa në shtëpi, u dëshpërua tepër. Nisi ta kujtonte shpeshherë e ta përmendte shumë herë. Rrugës ecte dhe fliste me vete. Gjendja e tij nisi të përkeqësohej. Dhimbjet ia keqësuan shëndetin derisa e shtrinë në shtrat. Në agoninë e vdekjes, kërkonin prej tij të shqiptojë shehadetin, por ai vazhdimisht i përsëriste fjalët që e shprehnin dashurinë e zjarrtë për atë grua dhe vdiq pa shehadet. Allahu na ruajttë![4]

Mësoje prej këtyre rasteve se çfarë bën epshi me njeriun që jepet pas dëshirave të epsheve? Prandaj, ki kujdes dhe ruaju nga kjo rrugë!

  1. Cilin prej dy të dashurve e synon?

Zemra e robit është organ i krijuar që të dashurojë. Ajo shpreson të jetë afër atij që e do dhe i frikohet mungesës së tij. Një gjë është e sigurt: dy të kundërta nuk bëhen bashkë asnjëherë. Nëse zemra jote mbushet me dashuri për epshet, a mendon ti se do të mbetet hapësirë për ta dashur Allahun dhe për t’i dashur gjërat që Allahu i do?

Rruga e drejtë është vetëm një, ndërsa zgjedhjen e bën vetë njeriu, andaj përcakto drejtimin tënd dhe zgjidhe njërën prej dy rrugëve. Nëse e kërkon dashurinë e Allahut dhe lezetin e imanit, patjetër duhet të pastrosh zemrën nga dashuria e gjërave që e zemërojnë Allahun. Nëse ti lidh zemrën me dikë tjetër jashtë Allahut, si mendon se do ta ndiesh lezetin e imanit dhe ëmbëlsinë e adhurimit?

Cilit grup i përket ti? Përcakto pozitën tënde me cilin do të jesh dhe ji i bindur se në momentet e vdekjes ke për ta gjetur atë që e kishe prioritet në jetë.

  1. A ke dëgjuar për sëmundjet seksualisht të transmetuara?

Prej ligjeve të pandryshueshme të Allahut është ndëshkimi i gjynahqarëve në dynja para se të ndëshkohen në ahiret. Imoraliteti shkakton një lloj të veçantë të ndëshkimit.

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “O ju muhaxhirë (emigruesit në rrugë të Allahut)! Janë pesë gjëra për të cilat e lus Allahun të mos sprovoheni me to e as t’i arrini ato: nuk është përhapur imoraliteti në një popull ndonjëherë derisa kanë filluar ta shfaqin haptazi, veçse tek ata është përhapur murtaja (sëmundjet ngjitëse) dhe sëmundje të tjera që baballarët e tyre nuk i kanë njohur më herët. Nuk peshojnë e nuk matin drejt (pakësojnë në peshore), veçse do të ndëshkohen me varfëri, skamje dhe padrejtësitë e pushtetarëve ndaj tyre. Nuk e ndërpresin dhënien e zekatit, veçse do t’u ndërpritet shiu nga qielli. Sikur të mos ishin kafshët, nuk do të pikonte asnjë pikë. Nuk e thyejnë premtimin e dhënë Allahut dhe premtimin e dhënë të Dërguarit të Allahut m, veçse Allahu do t’u dërgojë një armik të jashtëm, i cili do t’ua marrë disa prej të mirave që i posedojnë. Dhe nuk gjykojnë udhëheqësit e tyre me Librin e Allahut dhe nuk zgjedhin gjykimet që i ka zbritur Allahu, veçse Allahu do t’i përçajë dhe do t’ua shtojë urrejtjen mes vete.”[5]

Sëmundja e sifilizit, herpesi gjenital, dhe shumë sëmundje të tjera të përhapura nëpër botë, madje vdekjeprurëse, siç është sida, erdhën si pasojë e imoralitetet.

Një prej të prekurve me sidë ishte artisti i njohur Rok Hadson. Në prag të vdekjes tha: “Vdekja po troket në derën time. E dëgjoj zërin e saj nga brendësia. Asnjëherë nuk kam shpresuar të vuaj kështu, nga sëmundja e sidës që llogaritet kancer bashkëkohor. Pavarësisht buzëqeshjeve dhe uratave të shumë njerëzve, po ballafaqohem me caktimin e Allahut që më troket në derë për herë të fundit.”[6]

  1. Shpërblimi vjen sipas llojit të veprës

Ky është rregull fetar dhe ligj i pandryshueshëm i Allahut në tokë. Ai që jepet pas epsheve, pa asnjë kriter e rregull, a mendon ti se ai do të shpëtojë nga dënimi i Allahut? Assesi jo! Një hise e dënimit të tij do të jetë sipas llojit të veprës që e punoi. Kurvëria është borxh! Ashtu si veprove me të tjerët, do të veprohet me anëtarët e familjes sate!

Kush e merr guximin të cenojë nderin e të tjerëve, rreziku është i madh që të njëjtën gjë ta shohë te vajza ose motra e tij.

Ai që nuk i ka gajle ndalesat e Allahut, mund të vijë puna që gratë e familjes ta tradhtojnë. Allahu na ruajttë!

Ruajeni nderin dhe dijeni se do të shpërbleheni sipas llojit të veprës që e punoni. Të këqijat që ua bën njerëzve, do t’i gjesh te familja jote.

 

Dr. Muhamed ed Duvejshi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Pjesë nga libri: “SI TË BALLAFAQOHESH ME EPSHIN” – i përkthyer në gjuhën shqipe)

 

[1] Hadithi është pjesë e hadithit të gjatë ku tregohet për dënimet në jetën e pasvdekjes (berzahut). Hadithi i plotë është si vijon: Semure ibn Xhundebi  tregon: “Pasi Pejgamberi ﷺ e mbaronte namazin, kthehej me fytyrë nga ne dhe thoshte: “Cili prej jush ka parë ndonjë ëndërr mbrëmë?” Nëse ndokush kishte parë ndonjë, ia rrëfente, e ai e shpjegonte aq sa donte Allahu. Një ditë na pyeti: “A ka parë ndokush ndonjë ëndërr?” Ne thamë: “Jo.” Atëherë ai tha: “E po, unë mbrëmë (në ëndërr) pashë se dy njerëz erdhën e më morën për dore dhe më dërguan në Tokën e Shenjtë. Aty pashë një njeri të ulur dhe një tjetër në këmbë, i cili në dorë mbante një çengel hekuri, – disa transmetues nga Musa ibn Ismaili shtuan, – të cilin ia fuste në skajin e gojës (atij që ishte ulur dhe ia shqyente), derisa i arrinte pas qafës. Njëjtë vepronte edhe me skajin tjetër të gojës. Kur plaga i shërohej, kthehej dhe e përsëriste. Unë thashë: “Çka është kjo?” Ata thanë: “Vazhdo!” Vazhduam më tutje, derisa arritëm te një njeri i shtrirë në shpinë, të cilit një tjetër, që rrinte në këmbë, i qëndronte te koka dhe e godiste me një gur ose shkëmb, me të cilin ia thyente kokën. Sa herë që e godiste, guri rrokullisej. Ai shkonte për ta marrë dhe, ndërsa kthehej, koka i shërohej e i kthehej në gjendjen e mëparshme, dhe sërish e godiste sikurse herën e parë. Unë pyeta: “Kush është ky?” Ata thanë: “Vazhdo!” Vazhduam më tutje deri te një zgavër sikurse furra. Pjesa e sipërme e saj ishte e ngushtë, kurse pjesa e poshtme e gjerë, poshtë së cilës ndizej një zjarr. Në të kishte burra dhe gra lakuriq. Kur i afrohej (zjarri), ata ngriheshin, saqë pothuajse dilnin, e, kur fashitej, ata binin prapë në të. Unë thashë: “Cilët janë këta?” Ata thanë: “Vazhdo!” Vazhduam më tutje, derisa vajtëm te një lumë gjaku. Aty, në mes të lumit, qëndronte një njeri në këmbë, – Jezidi dhe Vehb ibn Xherir ibn Hazimi kanë thënë: – kurse një tjetër në breg mbante një gur para vetes. Kur ai që ishte në lumë afrohej për të dalë, ky e qëllonte me gur në gojë dhe e kthente aty ku ishte. Kështu vepronte me të sa herë që ky tentonte të dilte. Unë thashë: “Kush është ky?” Ata thanë: “Vazhdo!” Vazhduam më tutje, derisa arritëm te një kopsht i gjelbëruar, ku ndodhej një pemë e madhe, te trungu i së cilës qëndronte një plak me disa fëmijë. Afër pemës ndodhej edhe një njeri, që ndizte zjarr para vetes. Ata më ngritën në pemë dhe më futën në një shtëpi. Asnjëherë nuk kam parë shtëpi më të mirë se ajo. Brenda kishte burra të moshuar, djelmosha të rinj, gra dhe fëmijë. Pastaj më nxorën nga aty dhe më ngritën (më lart) në pemë e më futën në një shtëpi, e cila ishte më e bukur dhe më e mirë se e para. Edhe aty kishte të moshuar e të rinj. Thashë: “Sonte më keni shëtitur. A mund të më tregoni për tërë atë që pashë?” Ata thanë: “Po.” Sa i përket atij që i shqyhej goja, është gënjeshtari. Ai thotë gënjeshtra, të cilat barten (dhe shpërndahen), anembanë. Kështu veprohet me të, deri në Ditën e Kiametit. Ai, të cilit i thyhej koka, është njeriu të cilit Allahu ia ka mundësuar mësimin e Kuranit, por e linte pas dore atë natën (e nuk e lexonte), ndërsa gjatë ditës nuk punonte me të. Kështu do të veprohet me të deri në Ditën e Kiametit. Ata që i pe në zgavër, janë zinaqarët. Ndërkaq, personi te lumi është ngrënësi i kamatës. Plaku te trungu i pemës është Ibrahimi , e ata përreth tij janë fëmijët e njerëzve. Ai që e ndizte zjarrin, ishte Maliku, roja e Xhehenemit. Shtëpia e parë në të cilën hyre është shtëpia e besimtarëve, kurse kjo e dyta është shtëpia e dëshmorëve. Unë jam Xhibrili, ndërsa ky është Mikaili. Tani, ngrije kokën! Kur e ngrita kokën, pashë diçka në formë resh. Ata thanë: “Ajo është shtëpia jote.” Unë thashë: “Më lejoni të hyj në shtëpinë time.” Ata thanë: “Të ka mbetur edhe një pjesë e jetës pa e plotësuar. Kur ta plotësosh, vjen në shtëpinë tënde.” Buhariu (1386)

[2] Buhariu (386).

[3] Buhariu (3208), Muslimi (2643), Ebu Davudi (4708), Tirmidhiu (2138).

[4] “El Akibe” (f. 161).

[5] Ibn Maxhe (4019), Albani e vlerësoi hadithin si të saktë.

[6] “Zemërimi i Allahut i përfshin ata që rebelohen kundrejt natyrshmërisë”, Fuad Seid er Rifai.


[There are no radio stations in the database]