[There are no radio stations in the database]

Rëndohet situata në Gostivar pas ndotjes së ujit, mijëra qytetarë kërkojnë ndihmë mjekësore

Numri i personave të prekur nga kontaminimi i ujit të pijshëm në Gostivar të Maqedonisë së Veriut vazhdon të rritet, ndërsa autoritetet vijojnë përpjekjet për menaxhimin e situatës së krijuar.

Vetëm gjatë ditës së fundit, 125 qytetarë janë paraqitur për ndihmë mjekësore për shkak të problemeve shëndetësore të dyshuara si pasojë e konsumimit të ujit të ndotur. Që nga fillimi i krizës, mbi 4 mijë persona kanë kërkuar trajtim mjekësor.

Për shkak të përhapjes së rasteve, autoritetet kanë shpallur gjendje epidemie, ndërsa furnizimi me ujë të pijshëm për banorët mbetet i ndërprerë. Qytetarët aktualisht furnizohen me ujë të ambalazhuar, ndërsa për nevoja të tjera përdoret ujë nga cisternat e siguruara nga institucionet.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se furnizimi me ujë mund të rikthehet fillimisht vetëm për përdorim teknik, pasi të përfundojnë kontrollet dhe pastrimi i sistemit.

Ndërkohë, ekipet e ndërmarrjes së ujësjellësit nga Shkupi po punojnë për sanimin e problemit dhe rikthimin gradual të furnizimit normal.

Hetimet për ndotjen e ujit janë ende duke vazhduar. Sipas autoriteteve, prokuroria ka identifikuar persona të dyshuar për përfshirje në rast, ndërsa tre persona ndodhen në paraburgim nën dyshimet për ndotjen e sistemit të furnizimit me ujë.

Dyshimet paraprake lidhen me ndërhyrje të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, ku raportohet se është futur ujë nga lumi në sistemin kryesor të furnizimit. Analizat laboratorike kanë treguar nivele të larta të ndotjes bakteriale, duke nxitur masat emergjente nga autoritetet.


[There are no radio stations in the database]