
Realizohet fluturimi i parë certifikues në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA) u realizua sot fluturimi i parë certifikues, në një ceremoni me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë, raporton Anadolu.
Sipas autoriteteve shqiptare, pas testeve disamujore ky aeroport do të hapë dyert për udhëtarët dhe turistët.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh gjatë ceremonisë se e ardhmja është absolutisht shumë premtuese për Vlorën dhe ky aeroport është pasqyra më kuptimplotë e këtij premtimi që e ardhmja mbart për Vlorën.
Rama theksoi se “Air Kosova” do të jetë kompania tjetër ajrore shqiptare. “‘Air Albania’ do të ketë bazën e vet këtu në Vlorë dhe ‘Air Kosova’ që do të ketë bazën e vet në Kukës dhe për ta konfirmuar këtë, kam sjellë me vete edhe certifikatën që të mos thonë që është photoshop. Ky është regjistrimi i kompanisë që në janar të 2025 . Kompania po punon për të siguruar avionët dhe për të filluar me operacionet në territor”, tha Rama.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili mbërriti në aeroport nga një tjetër fluturim.
Nga autoritetet shqiptare, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës konsiderohet një prej investimeve strategjike për turizmin dhe ekonominë shqiptare.
Raportohet se me një sipërfaqe prej 309 hektarë, pistë 3,2 km dhe me një investim prej 104 milionë euro, ky aeroport që konsiderohet “porta ajrore e jugut” është projektuar për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë dhe ato transoqeanike.