Qeveria franceze do të krijojë një organ tëri për muslimanët francezë

Qeveria franceze do të krijojë një organ tëri për muslimanët francezë

Pavarësisht rezervave, Franca ka vendosur nesër të krijojë Forumin e Islamit të Francës (FORIF) në një masë që do të shpërbëjë Këshillin e Besimit Musliman Francez (CFCM), që ka qenë nën vëzhgim që kur presidenti francez, Emmanuel Macron, shpalosi nismën “Islami Francez”, raporton Anadolu Agency (AA).

Megjithëse klerikët muslimanë dhe përfaqësuesit e shoqatave islamike të vendit do të përfshihen në katër grupet e punës së FORIF-it, ata do të zgjidhen nga Ministria e Punëve të Brenddshme dhe guvernatorët, duke ngritur pyetje në lidhje me objektivat themelore të forumit nga shumë muslimanë francezë.

Në kushte anonimiteti, një anëtar i shquar i komunitetit musliman të vendit për AA tha se nuk ka kritere të qarta të përzgjedhjes për anëtarët që do të jenë në grupet e punës së FORIF-it.

Megjithatë, ai e pranoi se CFCM ishte keqmenaxhuar dhe tashmë ka humbur besueshmërinë e saj në sytë e qeverisë franceze dhe të disa organizave islame.

Përkundër këtyre vështirësive, theksoi ai, CFCM duhet të kishte vazhduar.

Grupet e punës së FORIF-it do të trajtojnë një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me popullsinë muslimane të vendit, përfshirë trajnimin e imamëve, të klerikëve muslimanë të punësuar në burgje, spitale e shërbime ushtarake, sigurinë e xhamive, si dhe paragjykimet anti-muslimane.

Mbi konceptin kryesor të FORIF-it, ministri francez i Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin, pohoi se ata kërkuan “të çlironin Islamin në Francë”, duke pretenduar se CFCM-ja ka qenë nën ndikimin e vendeve të ndryshme, përfshirë Marokun, Algjerinë dhe Turqinë.

“Islami nuk është një fe e të huajve në Francë, por një fe franceze që nuk duhet të varet nga paratë apo autoritetet e huaja”, tha Darmanin.