284cddc4-49ed-44d8-a69c-6bc0e827d34e-890x501

PSE DUHET TA NXËMË PËRMENDSH KURANIN? (4)

  1. Ngritja e gradave në Xhenet:

Pasi besimtarët të hyjnë në Xhenet, hafëzi i Kuranit do t’u paraprijë të tjerëve në gradë, do t’i rritet pozita dhe do t’i ngrihen shkallët në ahiret, ashtu si iu ngritën në dynja.

Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Vjen hafëzi i Kuranit në Ditën e Kiametit, e Kurani i thotë Allahut: ‘O Zot, stolise hafëzin e Kuranit!’ Atij i vendoset mbi kokë kurora e respektit. Pastaj thotë: ‘O Zot, shtoja edhe më shumë stolinë!’ Atij i vishen rrobat e respektit. Pastaj thotë: ‘O Zot, ji i kënaqur me të!’ Pas kësaj, hafëzit i thuhet: ‘Lexo dhe ngjitu lart në Xhenet.’ Për çdo ajet që e lexon i shtohet nga një e mirë në Xhenet.”[1]

Abdullah ibn Amër ibn el-Asi  transmeton se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Hafëzit të Kuranit do t’i thuhet, lexo dhe ngjitu lart në Xhenet. Lexo Kuran sikur që e lexoje në dynja, sepse vendi yt në Xhenet do të jetë tek ajeti i fundit që do ta lexosh.”[2]

Ibn Haxher el-Hejthemiju, Allahu e mëshiroftë, në shpjegimin e hadithit thotë: “E mira që përmendet në hadith është e veçantë për atë që e lexon përmendsh Kuranin, e jo për atë që lexon prej Mus’hafit, sepse njerëzit nuk dallojnë me njëri-tjetrin thjesht sa për lexim prej Mus’hafit, po dallimi mes tyre është te nxënia përmendsh e Kuranit. Për këtë shkak dallojnë shkallët e tyre në Xhenet, sipas dallimit të tyre mes vete në mësimin përmendsh të Kuranit. Këtë fakt e përforcon realiteti që nxënia përmendsh e Kuranit është obligim kolektiv për umetin, e veç me lexim prej Mus’hafit pa e nxënë përmendsh Kuranin, obligimi nuk bie. Leximi prej Mus’hafit nuk e ka vlerën e madhe sikurse nxënia përmendsh, kështu del në pah që hadithi për qëllim e ka nxënien përmendsh të Kuranit. Fjalët e jashtme të hadithit reflektojnë qartazi këtë kuptim, pa pasur nevojë për meditim të thellë. Po ashtu, fjalët e melekëve ‘Lexo dhe ngjitu lart në Xhenet’ qartazi tregojnë se bëhet fjalë për nxënien përmendsh të Kuranit.”[3]

  1. Hafëzi i Kuranit është me melekët e ndershëm:

Hafëzi i Kuranit është me melekët e ndershëm. Aisha i transmeton se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Ai që e lexon Kuranin bukur (rrjedhshëm pa vështirësi) është me shënuesit (melekët) e ndershëm, ndërsa ai që e lexon Kuranin me vështirësi i ka dy shpërblime.”[4]

Këta melekë i zgjodhi dhe i nderoi Allahu me faktin që në duart e tyre gjenden fletushkat e pastra. Allahu thotë: “Ai (Kurani) ndodhet në Faqe të nderuara (Leuhi Mahfudh), të lartësuara, të pastra, në duart e shkruesve (engjëj) të ndershëm dhe të drejtë…” (Abese: 13-16)

Akoma sot shohim njerëz që krenohen kur i atribuohen dikujt që ka pushtet, apo dikujt që ka famë dhe nam në fushën e sportit apo arteve të kota. Andaj, mjerë për ata që zgjodhën ta turpërojnë veten dhe përgëzime për hafëzët e Kuranit, që zgjodhën të jenë me melekët e ndershëm.

  1. Një germë e Kuranit shpërblehet me një të mirë dhe ajo shumëfishohet deri në dhjetë:

Hafëzi i Kuranit prej të gjithëve më shumë e lexon Kuranin. Atij i duhet leximi dhe përsëritja në vazhdimësi, sepse nuk ka mundësi ndryshe ta mësojë përmendsh dhe ta mbajë në mend Kuranin. Llogarite sa shpërblime i merr hafëzi, duke e marrë parasysh se për çdo germë shpërblehet me një të mirë, e ajo shumëfishohet deri në dhjetë, e disave Allahu ua shumëfishon edhe më tepër. Abdullah ibn Mesudi  transmeton se Pejgamberi, alejhi selam,ka thënë: “Për çdo shkronjë që e lexon nga libri i Allahut, shpërblehesh me nga një të mirë dhe e mira shumëfishohet deri në dhjetë. Nuk po them ‘elif-lam-mim’ një shkronjë, por ‘elif’ është një shkronjë, ‘lam’ është një shkronjë dhe ‘mim’ është një shkronjë.”[5]

Kur i riu ulet në xhami, lexon për çdo ditë një orë apo edhe më tepër, sa germa i lexon? E të mos flasim për përsëritjen e asaj që e ka mësuar përmendsh, plus koha që e lexon Kuranin.

Shtoja kësaj nijetin e pastër dhe vullnetin e prerë, dashurinë për Kuranin, ndikimin prej këshillave të tij, të edukuarit me edukatën e tij, përkujdesja për etikën e Kuranit; të gjitha këto janë kapituj shtesë që ka shpërblime në to, e sa janë ato, këtë e di veç Allahu.

Pra, ky është një mejdan i garës për në mirësi. Ky është një mejdan i vërtetë, e jo epshet e dynjasë e as të kënaqësisë që shpejt harrohen.

  1. Hafëzi e lexon Kuranin në çdo rrethanë:

Hafëzi i Kuranit është në gjendje ta lexojë Kuranin në çdo situatë; duke ecur, duke e vozitur veturën gjatë udhëtimit apo në vendlindje, duke e pritur tjetrin, duke qenë i shtrirë, i ulur dhe në këmbë. Ndërsa të tjerët që nuk janë hafëzë e lexojnë Kuranin veç kur janë në rehati, marrin abdes dhe e hapin Mus’hafin për të lexuar.

Më herët, baballarët tanë e bënin një krahasim interesant të hafëzëve me udhëtarin. Ata thoshin që hafëzi i përngjason udhëtarit, i cili për nevojat e veta gjatë udhëtimit merr hurma për ushqim. Kur do për të ngrënë, veç i nevojitet ta fusë dorën në çantë dhe t’i nxjerrë hurmat prej aty. Ndërsa të tjerët që nuk janë hafëzë, i krahasonin me udhëtarin i cili për ushqim gjatë udhëtimit merr miell. Atij i duhet të ndalet rrugës, të zbresë prej kafshës së tij, ta marrë miellin dhe ta bëjë brumë, të mbledhë dru dhe në fund ta pjekë atë. Pra, një proces që zgjat shumë.

  1. Nxënia përmendsh e Kuranit është shërim për zemrën:

Gati çdo ditë dëgjojmë ankesa prej njerëzve të drejtë për ngurtësinë që e ndiejnë në zemrat e tyre. Zërat dhe ankesat për vuajtjet dhe sikletet që i ndiejnë njerëzit janë shtuar në përgjithësi, duke përfshirë këtu edhe punëmirët.

Përgjatë hulumtimit dhe interesimit për të gjetur ilaçin, asnjëri nuk mundi të gjente ilaç më të mirë se Kurani. Kur Allahu e përshkruan Kuranin, thotë: “Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu…” (Ez-Zumer: 23)

Angazhimi me nxënien përmendsh të Kuranit është ilaç për ngurtësinë e zemrës dhe ilaç për shtimin e imanit. Allahu thotë: “…kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten.” (El-Enfal: 2). Po ashtu thotë: “Kur shpallet ndonjë sure, disa prej atyre (që kanë dyshim dhe hipokrizi) thonë: “Kujt prej jush do t’ia shtojë besimin kjo sure?” Përsa u përket besimtarëve, atyre (kjo sure) ua shton besimin dhe ata gëzohen.” (Et-Teube: 124)

  1. Atëherë kur njeriu e harxhon rininë e tij në nxënien përmendsh të Kuranit:

Çdo njeri do të qëndrojë para Allahut në Ditën e Kiametit, ku do të merret në llogari dhe do të pyetet për jetën e tij, jetoi gjatë apo shkurt. Një prej imazheve të llogaridhënies në Ditën e Kiametit është ajo që e përshkoi Pejgamberi, alejhi selam, në hadith: “Nuk lëvizin këmbët e birit të Ademit në Ditën e Kiametit deri sa të pyetet për pesë gjëra: për jetën e tij se si e kaloi, për rininë e tij ku e harxhoi, për pasurinë e tij prej ku e fitoi dhe si e shpenzoi dhe për dijen e tij se çfarë punoi me të.”[6]

Është një pamje që përçon frikë dhe trishtim, saqë në mendjen e njeriut grumbullohen shumë imazhe kur e dëgjon këtë hadith. Në brendësi e ndien faktin se do të merret në llogari për jetën dhe kohën e tij, ku më pas do të veçohet me llogaridhënie enkas për rininë e tij. Si mendon, çfarë ka për të thënë ai? Si do të jenë përgjigjet e tij? A do të gjejë në historinë dhe rininë e tij ndonjë përgjigje që do ta ndihmojë nga vështirësitë e këtij stacioni të llogaridhënies në Ditën e Kiametit?

Çfarë mendon ti për personin i cili do të përgjigjet me këto fjalë: O Zot, unë e harxhova lulen e rinisë sime në vendet që Ti më së shumti i do, në shtëpinë Tënde (xhamitë,) nuk e largoja Mus’hafin prej dore, lexoja dhe e mësoja përmendsh Kuranin. Pasi ma mundësove ta përfundoja hifzin, e angazhova veten me përsëritjen e leximit në vazhdimësi që mos ta harroja.

Kur e sheh këtë imazh ai i cili u privua nga kjo mirësi, nuk do t’i mbetet diç tjetër veç të thotë: “Ah, sikur të kisha qenë me ata e të arrija sukses të madh!” (En-Nisa: 73)

  1. Nxënia përmendsh e Kuranit është vepra më e mirë që kohën e harxhon në të:

Nxënia përmendsh e Kuranit llogaritet investim i kohës në vepra të dobishme. Angazhimi me Kuran e largon njeriun nga thashethemet, fjalët e kota dhe dëfrimi. Kur njerëzit garojnë për në ndejat e dëfrimit ku cenohet nderi i njerëzve, apo bisedojnë për gjëra që i gjallojnë epshet dhe tekat, i riu i angazhuar me nxënien përmendsh të Kuranit ka synime dhe aspirata të tjera. Sa dallim i theksuar mes dy palëve, bile krahasimi në mes dy shembujve është i papërshtatshëm.

E ke parë se si shpatës i bie vlera e saj,

nëse thuhet që shpata është më e mprehtë se shkopi.

Nefsi natyrën e ka të tillë që, nëse nuk e angazhon me adhurim, ai ka për të të angazhuar me gjynahe. Ndërsa koha është si shpata, nëse ti nuk e pret atë, ajo të pret ty. E ata që e angazhojnë veten me nxënien përmendsh të Kuranit, sikur ta braktisnin apo të mos merreshin fare me Kuranin, s’ka dyshim që kishin për ta kaluar kohën në gjëra të kota dhe të padobishme, apo ndoshta edhe në harame.

  1. Nxënia e Kuranit në moshën e rinisë është një hap drejt qëndrueshmërisë në fe:

Sa të rinj i shohim ditëve të sotme që ia kanë kthyer shpinën Kuranit, kanë marrë rrugën e devijimit dhe ecin rrugës së shthurur. Ky është një realitet që shihet me sy dhe e njeh çdokush. Madje prindi, nga frika për fëmijën e tij, e mbikëqyr çdo lëvizje të fëmijës në mënyrë që të mos e lejojë të devijojë. A nuk është angazhimi me nxënien përmendsh të Kuranit faktori më i mirë për ta ruajtur fëmijën në periudhën e rinisë dhe adoleshencës, veçmas kur dihet që gjatë kësaj periudhe shtohet lakmia dhe animi kah epshet?

I riu që e kalon kohën me Kuran do të arrijë t’u ikën stuhive të epsheve dhe tekave që i përfshijnë shokët e tij. Në këtë mënyrë ai e ruan fenë dhe qëndrueshmërinë në fe. Bile pjesa tjetër e jetës që i mbetet, do të varet shumë nga kjo periudhë.

  1. Kurani është libër i dijes dhe i udhëzimit:

Kurani është libër i dijes që për të ka nevojë çdo profesionist. Dijetari i shkencës së fikhut argumentohet me të, dijetari i akides argumentohet me të, profesori që e jep lëndën e historisë islame, profesori i davetit etj.; pra çdo dijetar, pavarësisht dijes dhe fushës fetare që e njeh, argumentohet çdoherë me Kuranin. Andaj hafëzi i Kuranit e ka aftësinë të nxjerrë nga Kurani jo vetëm se një shkencë, po shumë shkenca të dijes fetare.

Kur një studenti, në provimin e lëndës së historisë t’i vijë ndonjë pyetje që në të kërkohet të sqarohen shkaqet e fitores, për studentin hafëz është e lehtë sepse e di përmendsh suren Enfal dhe e ka shumë lehtë prej aty t’i përmendë të gjitha ato shkaqe.

Çështja nuk kufizohet thjesht veç me ndihmën e studentit në orën e provimit, sepse kush i kupton këto dobi të pasura në këtë situatë, ka për t’i kuptuar edhe në vende të tjera.

Pavarësisht udhëzimeve të dijetarëve, ditëve të sotme shohim disa të rinj që kanë problem me renditjen e prioriteteve, ata për dije e llogarisin veç mësimin përmendsh të meseleve dhe thënieve të dijetarëve, ndërsa Kuranin e lexojnë veç për adhurim.

Hudhejfe thotë: “Pejgamberi, alejhi selam, na tregoi dy hadithe, njërin prej tyre arrita ta shihja me sytë e mi, e tjetri ende nuk është realizuar, pres të ndodhë ashtu si na lajmëroi. Hadithi që u realizua është: ‘Amaneti (imani) lëshoi rrënjë në zemrat e njerëzve (sahabëve), pastaj ata mësuan prej Kuranit, e pastaj mësuan prej Sunetit (d.m.th. se imani ishte shkak që zemrat e tyre ta pranonin dijen e Kuranit dhe Sunetit).’ Pastaj na tregoi për hadithin tjetër se amaneti do të ngrihet…”[7]

Ibn Abdulberi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kurani është themeli i dijes. Kush e mëson përmendsh para se ta arrijë moshën e pubertetit, e pastaj angazhohet me mësimin e gjuhës arabe, kjo do të jetë ndihmesë e madhe për të, që në të ardhmen ta kuptojë qëllimin dhe brendësinë e Kuranit.”[8]

  1. Hafëzit të Kuranit nuk i mungon argumentimi:

Atij, që e ka marrë rrugën e davetit, do t’i duhet të ligjërojë, të këshillojë apo t’i mësojë të tjerët; e ai i cili e di përmendsh Kuranin, i ka para syve argumentet e inkurajimit dhe të paralajmërimit, të dispozitave dhe obligimeve, sjelljes dhe edukatës, rrëfimeve dhe mësimeve; në krahasim me tjetrin që nuk di përmendsh prej Kuranit, ai ka nevojë t’u kthehet fjalorëve dhe shkrimit të ajeteve. Në këtë rast ai është i privuar t’i sjellë argumentet dhe dobitë prej kujtesës së tij, e aq më tepër gjatë fjalimeve dhe këshillave, ku fjalori i tij nuk është i pasur me argumente dhe dëshmi.

Madje hafëzit, kur nuk i kujtohet ndonjë ajet, nuk i duhet shumë kohë qw ta gjejë ajetin në Mus’haf, sepse ai e di se ajeti në cilën sure dhe në cilin numër rendor gjendet.

  1. Vendet ku mësohet Kurani janë mejdan i shoqërisë së mirë:

Njeriu kudo të jetë, ndien se ka nevojë për shoqëri dhe shoqërues. Myslimani i cili e ka brengë fenë e tij, e kupton mirë domosdoshmërinë për ta zgjedhur shokun e mirë i cili ia ruan fenë dhe pajtohet të ringjallen së bashku në Ditën e Kiametit. Pejgamberi, alejhi selam, këtë realitet dhe botëkuptim e sqaroi në shumë hadithe.

Prej tyre hadithi: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, prandaj le të shikojë çdonjëri prej jush se kë po e shoqëron.”[9]

Po ashtu hadithi: “Mos e shoqëro askënd tjetër, përveçse besimtarin dhe mos ta hajë ushqimin tënd, përveçse i devotshmi.”[10]

Po ashtu, hadithi ku Pejgamberi, alejhi selam, tregoi se gjendja e njeriut në Ditën e Kiametit do të jetë e lidhur me gjendjen e shokut të tij, dhe tha: “Njeriu do të jetë (në Ditën e Kiametit) me atë që e do.”[11]

Hafëzit të Kuranit i jepet mundësia gjatë mësimit që të njoftohet me shoqëri të mirë dhe të shoqërohet me hafëzë të ndryshëm, të cilët janë të dashurit e Allahut dhe të veçuarit e Tij. Ai me shoqërimin e tyre është njeriu më i lumtur në dynja dhe në ahiret.

Madje respektimi i tyre është nga respektimi i Allahut; kur i do, i do ata veç për Allahun; kur të tjerët do të ikin nga shokët e tyre në Ditën e Kiametit, shokët e mirë do të jenë të ulur nëpër kolltukë përballë njëri-tjetrit: “Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun. (Allahu do t’u thotë): “O robërit e Mi, për ju sot nuk ka frikë dhe as që do të pikëlloheni.” (Ez-Zuhruf: 67)

  1. Të kapurit për Kuranin është një hap drejt edukatës së përpiktë:

Edukatorët e dinë mirë se ditëve të sotme kemi nevojë të madhe t’i edukojmë fëmijët me virtyte të larta dhe të nxjerrim një brez, i cili do t’i shfaqë botëkuptimet serioze në jetën e tij. Ky synim i bën ata të interesohen se si ta realizojnë këtë dëshirë.

S’ka dyshim që angazhimi me nxënien përmendsh të Kuranit dhe qëndrimi në xhami për ta mësuar Kuranin, të riun e kalit të jetë serioz dhe e largon prej tij dembelinë dhe zvarritjen e gjërave për t’i kryer më vonë. Ndeja e të riut në xhami për ta mësuar përmendsh Kuranin dhe ndarja e kohës së tij për Kuran, e kalit të riun për seriozitet dhe qëndrueshmëri. Mjafton të thuhet se ai e largon prej shumë gjërave pas të cilave shkojnë moshatarët e tij, të cilët jepen pas epsheve dhe lakmisë për dëfrim dhe zbavitje. E gjithë kjo, pra marrja me Kuranin dhe ndeja me hafëzë, e formon një personalitet me karakter të fortë që lidhet me gjëra serioze.

(Pjesë nga libri: “Nxënia përmendsh e Kuranit” – është i përkthyer në shqip)

Dr. Muhamed ed Duvejshi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

[1] Tirmidhiu (2915).

[2] Ebu Davudi (1464), Tirmidhiu (2914), hadithi është në Sahih El-Xhami’ (8122).

[3] El-Fetava el-Hadithije (fq. 156).

[4] Buhariu (4937), Muslimi (798).

[5] Tirmidhiu (2910), hadithi është në Sahih Et-Tergib ue Et-Terhib (1416).

[6] Tirmidhiu (2416).

[7] Buhariu (7086), Muslimi (143).

[8] Xhamiu Bejanul Ilmi ve Fadlihi (fq. 454).

[9] Tirmidhiu (2378), Ebu Davudi (4833).

[10] Ahmedi (3/38), Tirmidhiu (2395), Ebu Davudi (4832), Darimiu (1985).

[11] Buhariu (6170), Muslimi (2641).