Prokuroria e Specializuar dorëzon aktakuzë të re kundër ish-presidentit Thaçi dhe të tjerëve

Prokuroria e Specializuar dorëzon aktakuzë të re kundër ish-presidentit Thaçi dhe të tjerëve

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një aktakuzë të re, të ndryshuar, kundër ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Versioni i redaktuar i aktakuzës së re për ish-presidentin Thaçi dhe të tjerët është publikuar nga Gjykata Speciale të martën në faqen elektronike të këtij institucioni ndërsa dokumenti mban datën e 29 prillit të këtij viti.

Në aktakuzën e re, prokurori i rastit Jack Smith ka përfshirë disa krime të pretenduara në qytetet Suharekë dhe Gjilan, për të cilat akuzohen ish-krerët politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sikurse në aktakuzën e dorëzuar më parë, edhe në aktakuzën e re, të ndryshuar, Prokuroria i akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor e arrestime të paligjshme.

Prokuroria rendit akuza për krime që pretendohet se janë kryer në disa shtëpi nga ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Sipas aktakuzës, anëtarët e UÇK-së ua hoqën lirinë së paku 12 personave pa proces të rregullt, duke i mbajtur të arrestuar në lokacione si Budakovë e Semetishtë, në periudha të ndryshme ndërmjet 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999.

“Më 4 korrik, një person (REDAKTUAR) po ngiste mbi një kamionetë, kur tre burra u ndaluan nga (REDAKTUAR) dhe (REDAKTUAR), të cilët kishin veshur uniforma të zeza dhe mbanin pushkë automatike. Një person i tretë me uniformë mbërriti dhe qëndroi përballë me një raketahedhëse. I futën në bagazhin e automjetit dhe i dërguan në një shtëpi në Budakovë. Të tre burrat u vendosën në një bodrum dhe pastaj u rrahën”, thuhet ndër tjerash në pjesët e reja të aktakuzës.

Ish-pjesëtarë të UÇK-së, pa u specifikuar me emra, akuzohen se kanë shkaktuar “vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike”, si dhe kanë “sulmuar dinjitetin e viktimave, duke i ndaluar në mënyrë arbitrare”.

“Një person (REDAKTUAR) dhe një shqiptar tjetër, kur u arrestuan rreth datës 4 korrik 1998 iu drejtuan edhe armët. Ndërsa po largoheshin nga vendi i arrestimit, u qëllua në (REDAKTUAR). Pas arrestimit tre burrat i dërguan në një shtëpi në Budakovë, dhe i rrahën për një orë. Tre burrat konsideroheshin se ishin bashkëpunëtorë të Serbisë dhe u torturuan edhe me ujë të nxehtë”, thuhet më tej në aktakuzë.

Në versionin e ndryshuar të aktakuzës janë përfshirë edhe vrasje që pretendohet të jenë kryer në Budakovë e Semetishtë, fshatra të Komunës së Suharekës.

“Kufomat e të arrestuarve u gjetën rreth datës 23 gusht 1998, me gjurmët e armëve që i përkiste personit (REDAKTUAR). Analiza e ADN-së konfirmoi se njëra nga kufomat e varrosura ishte e (REDAKTUAR)”, thuhet ndër tjerash në aktakuzë dhe shtohet se kjo “demonstroi qëllimin e tyre për t’i vrarë, ose për t’iu shkaktuar lëndime me dashje”.

Në konviktin e qytetit të Gjilanit, në disa raste po ashtu pretendohet të jenë kryer krime të ngjashme, për të cilat Prokuroria i bën përgjegjës Thaçin dhe të tjerët.

Aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa është bërë publike më 5 nëntor, ditën kur ai hoqi dorë nga pozita e presidentit të Kosovës dhe të njëjtën ditë u transferua për në Hagë.

Mbi ish-presidentin Thaçi si dhe ish-pjesëtarët tjerë të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë rëndon akuza në të cilën thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit, të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi të cilët gjenden në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, janë deklaruar të pafajshëm që në seancat e para.