Prizren, përkujtohen viktimat e gjenocidit në Srebrenicë

Prizren, përkujtohen viktimat e gjenocidit në Srebrenicë

Në Prizren të Kosovës është mbajtur marsh dhe ceremoni përkujtimore me rastin e 27-vjetorit të Gjenocidit në Srebrenicë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e organizuar nga Shoqata “Sharski Behar” morën pjesë kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, kryetari i Koalicionit Vakat, Rasim Demiri, ambasadori i Türkiye-s në Prishtinë, Çağrı Sakar, kryekonsull i Türkiye-s në Prizren, İsmail Cenk Şen, si dhe të ftuar nga qyteti i Novi Pazarit dhe banorë të Prizrenit.

Në fjalën e tij në ceremoni, ambasadori turk tha se si Türkiye nuk do të lejojnë të harrohet gjenocidi në Srebrenicë.

Sakar theksoi se pavarësisht se kanë kaluar vite plagët e gjenocidit janë ende të freskëta.

“Ne do të vazhdojmë të mbajmë gjenocidin në Srebrenicë në kujtimet tona. Ashtu siç ka thënë lideri i urtë Alija Izetbegoviq, gjenocidi i harruar përsëritet. Ne kurrë nuk do të lejojmë që gjenocidi i Srebrenicës të harrohet në mënyrë që mizori të tilla të mos ndodhin më askund në botë”, tha Sakar.

Totaj, nga ana e tij, tha se sot kujtojnë gjenocidin në Srebrenicë që tronditi tërë Evropën dhe botën moderne dhe që ende troket në ndërgjegjen e njerëzimit modern.

“Fatkeqësisht, autorët e atij gjenocidi nuk e kanë kuptuar ende peshën e mëkatit që kanë bërë. Do të dëshiroja që politika serbe të vijë në vete dhe të pranojë dhe të kërkojë falje për t’ua lehtësuar dhimbjen familjeve të viktimave”, tha Totaj, duke shprehur shpresë që një gjë e tillë të mos ndodhë më.

Ndërkaq, Demiri tha se gjeneratat e reja nuk duhet të harrojnë se kush e ka kryer gjenocidin.

“Shteti i Serbisë këtë e kreu me plan dhe fatkeqësisht në shumë fjalime që mbahen sot ka njerëz që qëllimisht nuk duan ta thonë, e disa nga harresa as që përmendin se kush e bëri atë” u shpreh ai.

Në kuadër të programit u kryen lutje për dëshmorët, ndërsa në qiell u lëshuan pëllumbat e bardhë, simboli i paqes.