
Presidentja Osmani takon presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar dje me presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Marcos Perestrello, transmeton Anadolu.
Osmani pas takimit tha se fillimisht e ka falënderuar presidentin Perestrello për nominimin që ky i ka bërë Vjosa Osmani për Çmimin për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë” si dhe vendimin e Asamblesë Parlamentare për ndarjen e këtij vlerësimi.
Presidentja kosovare tha se ky vlerësim për të ishte vlerësim për gjithë gratë e Kosovës.
“Diskutuam për rolin në rritje të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, pas vendimit për avancimin e statusit tonë në anëtare të asociuar – një hap i rëndësishëm përpara në rrugëtimin tonë euroatlantik”, shkroi Osmani.
Ajo shtoi se ka rikonfirmuar se Kosova do të shfrytëzojë plotësisht këtë mundësi si pjesë e aspiratës së saj më të gjerë për anëtarësim në NATO, që mbetet njëkohësisht prioritet i politikës së jashtme dhe çështje e rëndësisë së veçantë për sigurinë kombëtare.
Gjatë ditës së djeshme presidentja Osmani u nderua me Çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, një vlerësim që nderon lidershipin, kontributin dhe angazhimin e grave që kanë avancuar paqen, sigurinë dhe demokracinë në vendet e tyre dhe në mbarë botën.