
Presidentja Osmani diskutoi sigurinë kufitare me Komandantin e KFOR-it
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani, në kuadër të takimeve të rregullta për bashkëpunimin strategjik ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit të NATO-s, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Presidentes, Osmani potencoi sfidat aktuale të sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë tek siguria kufitare dhe domosdoshmëria për parandalim dhe shmangie të çdo përpjekjeje për destabilizim nga Serbia.
Më tej, presidentja vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe angazhimit të ndërsjellë.
Presidentja dhe Komandanti i KFOR-it riafirmuan përkushtimin e përbashkët për bashkëpunim të vazhdueshëm, në përputhje me mandatin e NATO-s dhe interesin e përbashkët për paqe dhe stabilitet në rajon.