
Presidenti turk: Türkiye vazhdon ndihmën për Gazën pavarësisht pengesave të Izraelit
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se Türkiye vazhdon dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza pavarësisht “pengesave të ndryshme të shkaktuara nga Izraeli” dhe paralajmëroi se siguria e rajonit është në rrezik për sa kohë që vazhdon pushtimi në Palestinë.
Duke folur pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Ankara, Erdoğan theksoi se asnjë vend në rajon nuk mund të jetë i sigurt ndërsa palestinezët vazhdojnë të derdhin gjak dhe të humbasin tokat e tyre.
“Anija e Mirësisë” e 18-të e Gjysmëhënës së Kuqe Turke, që mbante rreth 800 tonë ndihma, përfshirë batanije dimërore, ushqime bazë dhe furnizime të tjera të domosdoshme, mbërriti të premten në portin egjiptian al-Arish në rrugëtim drejt Gazës. Organizata gjithashtu vazhdon të sigurojë vakte të ngrohta ditore për 35 mijë persona në Gaza dhe mbështet spitalet dhe operacionet shëndetësore të drejtuara nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestinaze.