
Policia zbulon armë të ndryshme në veri të Kosovës
Njësitet relevante të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorinë, me monitorimin e Misionit të KFOR-it dhe atë të EULEX-it, kanë kryer bastisje në fshatin Vallaq të Zveçanit në veri të Kosovës, ku kanë gjetur armatim të ndryshëm, transmeton Anadolu.
Sipas reagimit të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, në këtë bastisje u gjetën raketahedhës dore (zolla), granata dore, troblonë, armë dhe municion i llojeve të ndryshme.
“Një arsenal i tërë i mjaftueshëm për një njësit terrorist. Sipas informacioneve që kam pranuar, armatimi i rëndë është gjetur në një objekt që i përket politikanit Aleksandar Arsenijevic”, tha Sveçla.
Më tej, ministri në detyrë i Kosovës tha se krimi nuk mund të fshihet kurrë, pavarësisht petkut që vesh, “veçanërisht përballë institucioneve tejet vigjilente e profesionale që po punojnë pa u ndalur në ofrimin e sigurisë e sundimit të rendit e ligjit në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës”.
Ai gjithashtu tha se nuk do të ndalen derisa të çrrënjosen mbetjet kriminale e terroriste të Serbisë nga Kosova.