Policia e Kosovës konfiskon 272 pajisje për minim të kriptovalutave në Leposaviq

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës me kërkesë nga institucioni i Doganave të Kosovës mëngjesin e sotëm kanë organizuar aksion në Komunën e Leposaviqit ku kanë zbuluar dhe konfiskuar pajisje për minim të kriptovalutave dhe kanë arrestuar një person, transmeton Anadolu Agency (AA).

Aksioni, për të cilin njoftoi ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, u zhvillua në afërsi të fshatit Trebice të Leposaviqit.

“Në këtë aksion në afërsi të fshatit Trebice të Komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj pajsje dhe është arrestuar një person. Gjithë aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente. Aksione të këtilla do të vazhdojnë deri në implementimin e plotë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës”, shkroi ministri Sveçla.

Më 4 janar, ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, njoftoi se Qeveria e Kosovës ka miratuar vendim për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, për shkak të efektit të tyre në thellimin e krizës energjetike në Kosovë.

Po ashtu, rreth kësaj çështjeje, Rizvanolli njoftoi se në fund të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë u themelua edhe Komiteti Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”, i cili trajton efektet negative të rrethanave të krijuara nga kriza energjetike.

Kriptovalutat janë monedha digjitale ose virtuale, të krijuara për të funksionuar si një mjet këmbimi. Ato përdorin kriptografinë për të siguruar dhe verifikuar transaksionet, si dhe për të kontrolluar krijimin e njësive të reja të një kriptovalute të caktuar.