[There are no radio stations in the database]

Pilotët e FSK-së mbajtën trajnim rifreskues me helikopter në Isparta të Turqisë

Pilotët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar një trajnim rifreskues me helikopter në Shkollën e Aviacionit Tokësor në Isparta të Turqisë, transmeton Anadolu.

Siç njofton FSK-ja, trajnimin rifreskues me helikopter në Turqi e përfunduan me sukses oficerët kosovarë major Afrim Zabeli, kapiten Atdhe Hasani dhe kapiten Krenar Voca, në kuadër të bashkëpunimit ushtarak të Kosovës me Republikën e Turqisë.

Sipas FSK-së, “ky trajnim nuk ishte vetëm një përditësim teknik – ishte një përforcim i mëtutjeshëm i përgjegjësisë që ata bartin çdo ditë mbi supe”.

“Gjatë trajnimit, pilotët tanë zhvilluan dhe përmirësuan aftësitë e tyre përmes fluturimeve praktike, duke përfshirë skenarë të fluturimeve emergjente dhe taktike. Po ashtu, ata patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja profesionale me kolegët e tyre nga Forcat e Armatosura të Turqisë. Ata treguan standardin e lartë që përfaqëson FSK-ja në çdo angazhim ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Tutje, FSK-ja në njoftimin e saj tha se Republika e Turqisë në vazhdimësi ka dhënë kontributin e saj në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së në fusha të ndryshme, dhe me këtë rast mbështetjen e vazhdueshme në fuqizimin e kapaciteteve ajrore të FSK-së.

“Përmes bashkëpunimeve të tilla, ne rrisim ndërveprueshmërinë me partnerët tanë dhe forcojmë themelet e një ushtrie moderne, të aftë dhe të përgatitur”, përfundon njoftimi.


[There are no radio stations in the database]