
PËRGJIGJE RRETH THEMELEVE TË PROBLEMIT (1)
Tashmë kuptuam se dyshimi i kundërshtuesit është i kotë e i mbështetur në perceptim të gabuar që shpie në kundërshtim, por kjo nuk duhet të na pengojë të shfaqim argumentet tona që e rrënojnë këtë dyshim dhe nxjerrin në pah papajtueshmërinë e tij me realitetet e logjikës së shëndoshë dhe botëkuptimet thelbësore të besimit.
- Shpallja sqaroi se Allahu nuk krijoi kot
Paaftësia jonë për të njohur natyrën e Qenies Hyjnore dhe mungesa e argumentit të prerë që kundërshton ekzistimin e Allahut dhe kërkesën e Tij për ta adhuruar Atë është argument i qartë se tematika rreth natyrës së Qenies Hyjnore dhe kërkesës së Tij për adhurim është e kufizuar kryesisht me tekstet e shpalljes ose me atë që besohet të jetë shpallje. Leximi i teksteve të Kuranit zbulon vërtetësinë e mesazhit që Allahu nuk vepron asgjë kot. Ky fakt tregon se Allahu është në dijeni të plotë për mendjen e njeriut se ajo duke u mbështetur në pamjet sipërfaqësore të disa gjërave mund të formojë bindje se ato janë pa urtësi ose, edhe në paftë urtësi në to, ajo nuk përputhet me pozitën e Zotit, Krijuesit, të Përsosurit.
Allahu thotë: “Ne nuk e kemi krijuar qiellin dhe Tokën e ç’gjendet në mes tyre, për të luajtur (pa qëllim). Sikur të donim argëtim, Ne do ta bënim me gjërat pranë Nesh (si engjëjt etj.), nëse do të bënim diçka të tillë.” (Enbija, 17-18)
Dhe thotë: “Ne nuk i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre, për t’u zbavitur! Ne i kemi krijuar ato me qëllim të plotë, por shumica e tyre nuk e dinë.” (Duhan, 38-39)
Dhe thotë: “Ky Libër është shpallur prej Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Urtit! Ne i kemi krijuar qiejt e Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre me qëllim të plotë dhe me afat të caktuar. E megjithatë, mohuesit shmangen nga ajo që u është paralajmëruar.” (Ahkaf, 2-3)
Dhe thotë: “Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” I Lartësuar është Allahu, Sundimtari i Vërtetë! S’ka të adhuruar të denjë përveç Tij, Zotit të Fronit Madhështor!” (Muminun, 115-116)
Vetë mendja e njeriut nga mënyra e përsosur e krijimit të saj tregon madhështinë e Krijuesit, ndërsa përsosuria në krijim tregon përsosurinë e urtësisë, e përsosuria në urtësi e kundërshton të kotën. Kozmosi dhe funksionaliteti i tij dëshmojnë se Krijuesi në të gjitha veprimet vepron me urtësi.
Kur themi se Allahu nuk bën gjë kot, kjo nuk kufizohet me faktin se urtësia i kthehet vetëm Atij, por themi se Allahu i bën gjërat me urtësi që i kthehet Atij, por edhe e do dhe është i kënaqur me këtë urtësi, pastaj edhe krijesat gjejnë urtësi në të. I mençuri le të vështrojë urtësinë e Allahut në këta dy paragrafë të fundit.
- Shpallja sqaron se Zoti nuk ka nevojë për adhurimin tonë
Kundërshtuesi ose ateisti dyshimin e tij e fillon duke argumentuar me fjalët e Allahut: “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë.” (Dharijat, 56)
Sipas tij krijimi i njeriut vetëm për adhurim tregon se është krijuar për të plotësuar nevojën e Zotit. Kështu kundërshtohen dy cilësitë e Allahut: panevojshmëria dhe përsosuria. Fatkeqësisht kundërshtuesi nuk e plotëson pjesën tjetër të tekstit kuranor, ndoshta për shkak se nuk ka njohuri se ku përfundon konteksti i fjalëve të Allahut në ato vargje kuranore. Sikur t’i lexonte deri në fund, do të kuptonte se fjalët e tij kundërshtohen nga vetë vargu me të cilin “argumentoi”. Konteksti i vargut përfundon si vijon: “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre rrisk, as dëshiroj që të më ushqejnë. Vërtet, Allahu është Furnizuesi i Vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.” (Dharijat, 56-58)
Pra, adhurimi i njeriut nuk është mjet që Allahu nëpërmjet tij kërkon rrisk e as dëshiron që krijesat ta ushqejnë, sepse vërtet Ai është Furnizuesi dhe Bujari që e furnizon të mirin dhe të keqin.
Në shumë vargje të tjera kuranore përcillet se Allahu nuk ka nevojë për krijesat. Allahu thotë: “Nëse ju e mohoni Atë, dijeni se Allahu është vërtet i pavarur prej jush. Megjithatë, Ai nuk është i kënaqur me mosmirënjohjen e robërve të Tij, por kënaqet me ju, nëse e falënderoni…” (Zumer, 7)
Po ashtu thotë: “Dhe Musai tha: “Nëse mohoni ju dhe të gjithë ata që janë në Tokë, (dijeni se) Allahu është vërtet i Vetëmjaftueshëm dhe plot lavdi.” (Ibrahim, 8)
Me të vërtet Allahun nuk e dëmton kufri (femohimi) ashtu si nuk i bën dobi imani (besimi). Ai nuk ka nevojë për adhurimin e robit dhe as që e prek Atë mëkatimi i robit. Imani i robit i takon robit dhe veç atij i bën dobi: “Kush e pastron veten (nga gjynahet), në të vërtetë e ka për dobinë e vet, ndërsa kthimi është tek Allahu.” (Fatir, 8) “Nëse bëni mirësi, e keni bërë për veten tuaj.” (Isra, 7)
Gjithashtu kufri i robit i takon atij dhe atë e dëmton: “Kush falënderon, e bën për të mirën e vet e, kush mohon, (ta dijë se) Zoti im është i Vetëmjaftueshëm dhe Dhurues.” (Neml, 40) Allahun nuk e prek asgjë prej kufrit të tij.
Allahu në një hadith kudsij na njofton se sa ndikon në pushtetin e Tij adhurimi dhe mëkatimi i robit: “O robërit e Mi! Ju kurrë nuk mund të arrini në shkallë që të bëni dëm e të më dëmtoni e as mund të arrini në shkallë që të më bëni dobi e të më bëni mirë. O robërit e Mi, po qe se të gjithë ju, i pari e i fundit, njerëz e xhinë, bëheni si njeriu më zemërmirë prej jush, kjo gjë aspak nuk do ta shtonte pushtetin Tim. O robërit e Mi, po qe se të gjithë ju, i pari e i fundit, njerëz e xhinë, bëheni si njeriu më zemërprishur nga mesi juaj, kjo aspak s’do ta pakonte pushtetin Tim…”[1]
Prej adhurimit nuk përfiton Zoti, por përfiton robi. Katadja (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Allahu nuk i urdhëroi robërit e Tij që në këtë mënyrë t’i plotësojë nevojat e Tij, e as i ndaloi t’u afrohen ndalesave nga koprracia Tij, por urdhri është në dobinë e tyre sikundërqë ndalesat i mbrojnë ata nga e keqja.”[2]
Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për lavdërim. Nuk i nevojitet Atij adhurimi i robërve dhe nuk përfiton gjë prej adhurimit të tyre, përkundrazi robërit janë ata që përfitojnë. Po ashtu nuk dëmtohet në asnjë lloj forme me gjynahet e tyre, por ata vetvetes i bëjnë dëm.
Allahu thotë: “Ti (o Muhamed) mos u brengos nga ata që nxitojnë në mohim, sepse, në të vërtetë ata nuk mund ta dëmtojnë Allahun aspak. Allahu dëshiron që të mos i shpërblejë me kurrfarë dhurate në botën tjetër; dhe për ta ka ndëshkim të madh.” (Ali Imran, 176)
Dhe thotë: “Kushdo që kthehet prapa, nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.” (Ali Imran, 144)
Pejgamberi ﷺ në hutben e tij thoshte: “Kush i bën mëkat Allahut dhe të Dërguarit të Tij, tashmë ka humbur, e dëmton veç veten dhe aspak nuk e dëmton Allahun.”
Allahu thotë: “E Allahut është gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ne i kemi porositur ata që u është shpallur Libri para jush dhe ju: “Frikësojuni Allahut! Nëse mohoni, dijeni se Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu është i Vetëmjaftueshëm e i Denjë për çdo lavdërim.” (Nisa, 131)
Për Musain tregon: “Dhe Musai tha: “Nëse mohoni ju dhe të gjithë ata që janë në Tokë, (dijeni se) Allahu është vërtet i Vetëmjaftueshëm dhe plot lavdi.” (Ibrahim, 8)
Dhe thotë: “E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.” (Ali Imran, 97)
Dhe thotë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj. Kështu, Ai i ka vënë ato në shërbimin tuaj, që ju ta madhëroni Allahun sepse ju ka udhëzuar. Dhe, jepu lajmin e mirë punëdrejtëve!” (Haxh, 37)
Domethënia e këtyre teksteve është që Allahu prej robërve të Vet dëshiron që t’ia kenë frikën e t’i nënshtrohen, ashtu siç urren prej tyre t’i bëjnë gjynah. Mu për këtë Allahu gëzohet me pendimin e robit të Vet më shumë se një njeri i cili ndalet pranë një vendi të rrezikshëm me kafshën e tij që ia bart ushqimin e pijen dhe kafsha e tij ikën. E kërkon atë dhe nuk e gjen dot. Kështu, i humb shpresat, dorëzohet dhe e pret vdekjen. Dikur e zë gjumi dhe, kur zgjohet, sheh se kafsha e tij është kthyer e qëndron para tij. Kjo është grada më e lartë e gëzimit që mund ta përfytyrojë krijesa. Tërë ky gëzim, ndërkohë Ai është i Vetëmjaftueshëm, nuk ka nevojë për adhurimin dhe pendimin e krijesave të Tij. Nga ato përfitojnë vetëm krijesat, ndërsa Allahu nuk ka asnjë lloj përfitimi. Këtu del në pah bujaria dhe mirësia e plotë e Allahut për robërit e Vet, dashuria e Tij për t’ua dhënë të mirën dhe për ta larguar prej tyre të keqen.
Ai prej robërve të Tij kërkon ta njohin, ta duan, t’ia kenë frikën, ta respektojnë, t’i nënshtrohen e t’i afrohen sa më shumë. Ai do që robërit të dinë se gjynahet nuk ua fal askush tjetër përveç Tij dhe se vetëm Ai ka fuqi t’i falë ato.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Një rob bëri një mëkat, pastaj tha: “O Zot, bëra mëkat, andaj më fal mua!” Allahu tha: “E ditka robi Im se ka një Zot, i Cili e fal mëkatin dhe dënon për të? Po ia fal robit Tim.”[3]
Pejgamberi ﷺ tha: “Me të vërtetë, Allahu është më i mëshirshëm me robërit e Tij sesa kjo (nënë) me foshnjën e saj.”[4]
Njëherë një nxënës i Dhenunit bridhte nëpër rrugë dhe thoshte: “Kush ma qetëson zemrën (nga dyshimet që më kanë kapluar)?!” Kështu, një ditë, duke qenë në rrugë, pa një derë të hapur dhe prej aty doli një fëmijë, i cili qante dhe kërkonte ndihmë. Nëna e fëmijës qëndronte matanë derisa e dëboi dhe fëmija doli jashtë. Ia mbylli derën para fytyrës dhe ajo u kthye brenda. Fëmija shkoi jo larg prej aty, u ndal në një vend dhe nisi të mendonte. Nuk kishte vendstrehim tjetër përveç shtëpisë së tij dhe nuk kishte kush e strehonte përveç nënës së tij. Kështu, u kthye zemërthyer e i pikëlluar te dera, por atë e gjeti të mbyllur. Nisi të qante e të thoshte: “Oj nëna ime! Kush ma çel derën mua nëse ti ma mbyll atë?! Kush më afron nëse ti më largon?! Kush më afron nëse ti zemërohesh me mua?!” Nëna u prek nga fjalët e iu zbut zemra. Kur doli dhe e pa në atë gjendje, nuk e përmbajti veten dhe ra mbi të, e shtrëngonte dhe e puthte, qante dhe thoshte: “Ah, mor biri im, kënaqësia e syve të mi! I shtrenjti dhe i dashuri im! Ti më shtyre të sillem kështu me ty dhe të përjetosh atë që ndjeve. Sikur të më bindeshe, nuk do të shihje këtë sjellje timen me ty.”
Personi që kishte dyshime u gëzua dhe thirri më zë të lartë: “Sapo e gjeta zemrën time! Sapo e gjeta zemrën time!”
Meditoni Fjalët e Allahut: “Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre, – e kush i fal gjynahet përveç Allahut?” (Ali Imran, 135) Ajeti tregon se gjynahqarët, përveç Allahut, nuk kanë kujt t’i mbështeten e as t’i drejtohen për t’ua falur gjynahet.”[5]
Allahu nuk hakmerret me dënimin e jobesimtarit dhe nuk përfiton gjë prej adhurimit të besimtarit. Allahu thotë: “Përse t’ju ndëshkojë Allahu, nëse ju e falënderoni dhe e besoni?! Allahu është Mirënjohës dhe i Gjithëdijshëm.” (Nisa, 147)
Vërtet Allahu është Mirënjohës. E pranon edhe veprën e mirë më të vogël dhe atë e shpërblen shumëfish.
- Allahu adhurohet për shkak se meriton të adhurohet
Si duket realiteti shpirtëror dhe emocional i “ubudijes (të qenit rob i Allahut)”?
Ragib Asfahani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ubudije do të thotë shfaqje e përulësisë. Adhurimi është shkalla më e lartë e ubudijes, sepse llogaritet kulmi i përulësisë.”[6]
Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Adhurimi (nënshtrimi, robërimi) është shkalla e fundit e dashurisë ndaj Zotit. Thuhet: “Dashuria e robëroi dhe e kapi, sepse ia grabiti zemrën.” Pra fjala është për atë që e do.”[7]
Fjalët e tij i qartëson më tepër në një libër tjetër, ku thotë: “Ubudija e plotë vjen si shkak i dashurisë së plotë: sa më i plotë që është i dashuri, aq më e plotë është dashuria për të. Vërtet Allahu ka përsosuri të plotë në çdo aspekt dhe në thelb as që shkon mendja të supozohet se mund të ketë ndonjë mangësi. Kush përshkruhet me këtë përshkrim, për zemrat bëhet më i dashuri nga gjithë të tjerët, përderisa natyrshmëria dhe mendjet e tyre qëndrojnë të shëndosha. E, kur bëhet më i dashuri për zemrat, atëherë pa pikë dyshimi kjo dashuri shpie në nënshtrim dhe të qenët rob i Tij, të jepet pas veprave që e kënaqin Atë, t’ia kushtojë kohën për adhurim dhe të qëndrojë i përulur para Tij. Ky shtytës (i dashurisë) është më i plotë dhe më i fortë nga të gjithë shtytësit e adhurimit. Edhe sikur të supozohej se nuk ka urdhër e ndalim, as ndëshkim e as shpërblim, ai përsëri do të jepte gjithë mundin e tij dhe do ta pastronte zemrën për Allahun, të adhuruarin e vërtetë (d.m.th. që shpresa e frika janë dy shtytës të fortë, por dashuria është shtytësi më i lartë e më i fortë).”[8]
Atëherë, adhurimi qenka një realitet shpirtëror që shfaqet në veprat e zemrës dhe gjymtyrëve. Ai ngrihet mbi dy themele: dashuri të plotë dhe përulje të plotë. Ndërkaq, ato burojnë nga “vrojtimi i begatisë që çon në dashuri dhe gjurmimi në të metat e nefsit dhe të veprave që çon në përulje të plotë”.[9] Kësisoj adhurimi bëhet realitet i pandashëm i marrëdhënies midis Krijuesit dhe robit, Dhuruesit (Allahut që dhuron) dhe atij (robit) që i jepet, Dhënësit (Allahut, që jep) dhe atij (robit) që merr.
Kështu, adhurimi llogaritet mirësi që arrihet me argument e përpjekje dhe nuk është dhuratë falas ose barrë që prej saj ulërijnë të mençurit. Sa më shumë që njeriu ngrihet në shkallët e dijes për Zotin, e kupton madhështinë dhe bujarinë e Tij, aq më tepër bindet se i duhet adhurimi.
Pra, adhurimi qenka shfaqje e dashurisë e, robi, për ta adhuruar Krijuesin e tij ashtu si e meriton, fillimisht duhet ta dojë Atë dhe, më pas, sa më shumë të ngjitet në shkallët e dashurisë, aq më tepër do të rehatohet në mihrabin e ubudijes.
Në suren el Fatiha ajeti: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” (Fatiha, 5) erdhi pas ajeteve të mirënjohjes dhe lavdërimit të Allahut. Në këtë mënyrë tregohet se ubudija qenka degë e njohjes dhe vërtetim i realitetit të atij që adhurohet. Domethënia e adhurimit në suren el Fatiha, e cila është lutje e shpresë, u vërtetua më vonë, pas ajeteve të mirënjohjes e lavdërimit të Allahut. Kjo nuk erdhi rastësisht, sepse në Kuran nuk ka asgjë rastësore. Por, kështu vërtetohet se nga një aspekt adhurimi është fundi i udhëtimit emocional, ku robi i nënshtron gjymtyrët e tij para Allahut vetëm pasi zemra e tij paraprakisht i është bindur Allahut.
Myslimani e adhuron Allahun sepse urdhërohet nga jashtë (qëllimi është për tekstet fetare) dhe ka shtysën nga brendësia e tij për adhurim. Nga jashtë do të thotë se urdhërohet me tekste fetare, ndërsa nga brendësia e tij qëllimi është se mangësitë në shpirt e çojnë dhe kërkojnë ta vërtetojë përsosurinë e Krijuesit. Pra, e adhurojmë Allahun sepse meriton të adhurohet, t’i bindemi e të mos i bëjmë mëkat, të lavdërohet, të lartësohet dhe të falënderohet për mirësitë e dhuntitë e Tij. Si ka mundësi nefsi të qëndrojë indiferent karshi kujtimit të emrave dhe cilësive të Tij? Mirësia e Tij përfshin çdo gjë, ndërsa madhështia e Tij mbush çdo shpirt dhe kozmos!
I Dërguari i Allahut ﷺ, i cili ishte njeriu më i mirë, një natë falej natën (që llogaritet koha më e mirë për adhurim e dhikër) dhe në sexhde (që është pozita më e madhe ku shfaqet përulja e nënshtrimi) thoshte: “… la uhsi thenaen alejke, ente kema ethnejte ala nefsik (Unë nuk di të të lavdëroj siç e meriton, Ti je ashtu siç e ke lavdëruar Vetveten)!”[10]
Melekët që mbushin çdo vend në qiell e Tokë duke qëndruar në ruku e sexhde, në Ditën e Kiametit, do të thonë: “I Lartësuar je Ti, o Allah! Nuk të kemi adhuruar ashtu si Ti e meriton adhurimin!”[11] Melekët e njohin madhështinë e Allahut dhe e dinë vendin e tyre karshi pozitës së Allahut. Edhe pse e adhurojnë Allahun pa ndërprerje e pa lodhje, i binden çdo urdhri të Tij dhe assesi asnjëherë nuk e kundërshtojnë, megjithatë pozita e adhurimit është e madhe, robi nuk mund t’ia japë hakun plotësisht ashtu si e meriton.
Allahu është i denjë të adhurohet para se të krijojë krijesat dhe pa i krijuar ato, sepse meriton të jetë kibleja dhe adresa e adhurimit. Allahu thotë: “I tillë është Allahu! S’ka të adhuruar të denjë përveç Tij! Atij i takojnë falënderimet dhe lavdërimet në këtë jetë dhe në tjetrën! Vetëm Atij i përket vendimi dhe tek Ai do të ktheheni.” (Kasas, 70)
Falënderimi i Tij së pari buron nga e vërteta e Qenies së Tij, se Qenia e Tij është e denjë të adhurohet, edhe sikur të mos i jepej asnjërit prej nesh ndonjë e mirë prej Tij. E çfarë të thuhet për të mirat dhe mirësitë e pafundme qe na jep Allahu?
Falënderimi i Tij obligohet sepse Atij i takon pushteti në dynja dhe i takon pushteti në ahiret. Dynjaja është nën sundimin e Tij dhe Ai e drejton atë, ahireti është nën sundimin e Tij dhe në të gjykon me drejtësi. Atje punëmirin e shpërblen shumëfish, pa pakësuar gjë nga thesaret e Tij. Allahu thotë: “I lavdëruar qoftë Allahu, të Cilit i përket gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë! I lavdëruar qoftë Ai edhe në jetën tjetër! Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” (Sebe, 1)
Ky krijim i mahnitshëm e ngacmon shpirtin e plogët derisa ai ta lërë pas vetes hutinë e shkëlqimit të botës dhe ta adhurojë Zotin e tij. Allahu thotë: “Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij.” (Talak, 12)
Krijimi i qiejve e Tokës dhe çdo gjëje mes tyre, e çdo gjë tjetër që informon për fuqinë dhe dijen e Krijuesit, e shtyn robin ta njohë Zotin e tij. Kur të njihet me Zotin, do ta dojë, e, kur ta dojë, do ta adhuroje me përulje e bindje, sepse ai tashmë është njoftuar me pozitën e Krijuesit në mënyrën e denjë. Njohja me bindje në krahasim me njohjen në teori e mahnit mendjen dhe e ngop zemrën. Kozmosi me këtë madhështi shpërfaq një krijues, fuqia e të Cilit tejkalon çdo kufi të medituesit.
Njeriu me adhurimin e Allahut arrin krenarinë ta adhurojë vetëm Atë që meriton adhurimin me të drejtë. T’i nënshtrohesh Allahut, të Vetmit që meriton të adhurohet, është nder për njeriun në krahasim me të adhuruarit e krijesave që nuk mund të sjellin dobi e as të udhëzojnë. Allahu thotë: “Dëgjojeni këtë shembull që ka sjellë Allahu! Janë dy njerëz: njëri ka shumë bashkëpronarë që kundërshtojnë njëri-tjetrin, ndërsa tjetri ka vetëm një pronar, të cilit i përkushtohet. A janë të njëjtë ata në krahasim?! Lavdëruar qoftë Allahu, por shumica e tyre nuk e dinë këtë!” (Zumer, 29)
Adhurimi është e drejtë e madhe për Allahun e Madhërishëm, i Cili veçohet me pushtet dhe sundim.
Muadh ibn Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ i ka thënë: “O Muadh! Vallë, e di cila është e drejta e Allahut kundrejt njerëzve?”
– Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, – i thashë.
– Ta adhurojnë Atë dhe të mos i bëjnë ortak asgjë, – tha Pejgamberi ﷺ.[12]
Njeriu në botën njerëzore e sheh të domosdoshme të falënderohet dhe të falënderojë për punën e mirë. Atëherë çfarë të themi sikur të kalojmë nga bota njerëzore në të biseduarit për Qenien e Lartë (Allahun) dhe të largohemi prej veprave njerëzore të mangëta për te veprat e Qenies së Përsosur?!
Pastaj, nëse veprat e njerëzve të mirë merituakan mirënjohje dhe respekt, si u dashka të qëndrojmë me mirënjohjen dhe respektin e Allahut, i Cili e inspiroi punën e mirë dhe e bëri pjesë të natyrshmërisë së njeriut?
Kush pretendon se nuk ka borxh ta ktheje të mirën, vërtet zemra tij është e prekur nga mendjemadhësia e vetëpëlqimi. Ai nuk di të falënderojë pasi t’i bëhet një e mirë atij. Atëherë, si qëndruaka çështja e atij që nuk e falënderon Atë që e begatoi me dhunti të qarta e të paqarta për të dhe ia nënshtroi kënaqësitë t’i shfrytëzojë ato derisa të ngopet me to?!
Dr. Sami Amiriu
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
Pjesë nga libri i përkthyer në gjuhën shqipe: “PSE ALLAHU NA KËRKON TA ADHUROJMË? (Rrënimi i dyshimit se munguaka urtësia në urdhrin e Allahut që njerëzit ta adhurojnë Atë)”
[1] Muslimi (2577).
[2] Ibn Tejmija e përmendi në librin “Kaidetu fil Mehabbe” (f. 183).
[3] Buhariu (7507), Muslimi (2758).
[4] Buhariu (5999), Muslimi (7154).
[5] “Xhamiu el Ulumi ve el Hikemi”, Ibn Rexhebi (f. 226-227).
[6] “Mufradat Elfadh el Kuran”, Ragib Asfahanij (f. 542).
[7] “Medarixhu Salikin”, Ibn Kajimi (3/28).
[8] “Miftah daru Seade”, Ibn Kajim (2/88).
[9] “Vabil Sajb”, Ibn Kajim (f. 8).
[10] Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë, të Dërguarin e Allahut ﷺ nuk e gjeta në shtrat, andaj fillova ta kërkoja, sakaq dora më preku shputat e tij, të shtrira, ndërsa ai ndodhej në sexhde, duke thënë: “Allahume, ini eudhu bi ridake min sehatik, ve bi muafatike min ukubetik, ve eudhu bike minke, la uhsi thenaen alejke, ente kema ethnejte ala nefsik (O Allah, kërkoj mbrojtje me kënaqësinë Tënde nga zemërimi Yt, me faljen Tënde nga dënimi Yt, dhe kërkoj mbrojtjen Tënde nga Ti! Unë nuk di të të lavdëroj siç e meriton, Ti je ashtu siç e ke lavdëruar Veten Tënde)!”
[11] Pejgamberi ﷺ tha: “Nuk ka në shtatë qiejt asnjë vend, as sa të vendosësh këmbën, as një pëllëmbë… veçse në të ka një melek që qëndron në këmbë (duke adhuruar Allahun), ose të përkulur në ruku, ose të përulur në sexhde. Kur të vijë Dita e Kiametit, të gjithë njëzëri do të thonë: “I Lartësuar je ti, o Allah! Nuk të kemi adhuruar ashtu si Ti e meriton adhurimin! Por nuk të kemi përshkruar ortak në asgjë asnjëherë.” Shënoi imam Taberaniu në “El Evsat”.
[12] Buhariu (7373), Muslimi (30).