femija-1

PËRFITIMI I SHKATHTËSIVE TE FËMIJA

Prej shkathtësive shoqërore që kërkohen të mbillen dhe të zhvillohen te fëmija, përmendim:

– Pritja dhe përcjellja e të tjerëve, bashkëndjenja me të tjerët, kuptimi i ndjenjave të tyre dhe të përgjigjurit në kërkesat e tyre, paraqitja e gëzimit me prezencën e të tjerëve, këmbimi i mendimeve me fëmijët, kontaktet pozitive me njerëzit, përdorimi i fjalëve të qarta të lehta për shprehje.

– Falënderimi që fëmija ia bën shokut të vet, i cili ia ka bërë një të mirë atij, është shkathtësi shoqërore.

– Kërkimi i faljes që fëmija ia bën shokut kur gabon ndaj tij, është shkathtësi shoqërore.

– Interesimi i fëmijës për fëmijët e tjerë kur mungojnë në shkollë apo çerdhe, është shkathtësi shoqërore.

– Përshëndetja e fëmijës që ia bën shokut të vet kur e takon, është shkathtësi shoqërore.

– Bashkëndjenja e fëmijës me shokun e vet kur ai mërzitet ose frikësohet duke ia lehtësuar atij, ose pikëllimi i tij kur shoku pikëllohet, është shkathtësi shoqërore.

Nga mjetet më të rëndësishme që i kultivojnë shkathtësitë shoqërore të fëmijës, theksojmë:

– Rritja e mençurisë shoqërore te fëmija duke i ndihmuar atij me mundësinë që të lidhet me të tjerët, t’i kuptojë ndjenjat e tyre dhe t’u përgjigjet atyre nevojave.

– Respektimi dhe aktivizimi i vetes, mbjellja e ndjenjës së krenarisë dhe vetëbesimit, edukimi i tij që t’i mbështetet vetes dhe të jetë i pavarur në kryerjen e nevojës së tij, në zgjedhjen e lojërave dhe rrobave të tij, në zgjidhjen e problemeve të tij me shokët, në angazhimin e tij të marrë pjesë në aktivitetet shtëpiake të lehta, si: përgatitja e sofrës, futjen e mbeturinave në qese etj.

Po ashtu atij duhet t’i jepet mundësia që të marrë vendime dhe ta bartë përgjegjësinë e vendimmarrjes, dhe kohë pas kohe t’i thuhen fjalë nxitëse për vendimet e drejta që i merr.

Dr. Muhamed el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU