PARALAJMËRIMI I BESIMTARËVE NGA VESVESET E SHEJTANIT

O ju musliman, vesvesja është prodhimi i Iblisit, vepra dhe mjeti i tij, për ta devijuar të birin e Ademit. Me vesvese i sulmon dhe i gjuan, ata që i bën të adhurojnë Allahun me dyshime, iluzione dhe supozime, derisa u hedh në kokë mendime të liga dhe iluzione dhe bien në depresion dhe gjendje shqetësuese. Kjo i nxit dhe i shtyn në ekstremizëm, në tepricë dhe ashpërsi dhe në tejkalimin e masës së lejuar. 

Nga mashtrimet dhe vesveset e shejtanit është ajo që e hedh në mendjen e njeriut, nga dyshimet dhe idetë e devijuara, për sa i përket mënyrës së krijimit dhe ringjalljes, ngritjes mbi Arsh dhe gjërave tjera që janë nga imani. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Dikujt prej jush i vjen shejtani dhe i thotë: Kush e ka krijuar këtë. Kush e ka krijuar atë? E kështu me radhë derisa pyet: Kush e ka krijuar Zotin tënd? Kur të vijë ai deri tek kjo pyetje, njeriu le të kërkojë mbrojtje nga Allahu dhe le ta ndërpresë”. Me një transmetim tjetër ceket: “Kur dikush nga ju e gjen këtë gjë tek vetja le të thotë:Amentu bil-lahi ue Resuli(Besoj në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij) dhe kjo do t’i dëbojë nga ai këto pëshpëritje”.

Nga mashtrimet dhe vesveset e tij janë edhe vesveset dhe mashtrimet gjatë marrjes së abdesit dhe pastrimit. E vëren se ka nga njerëzit që pastrohen apo marrin abdes dhe e përsërisin veprën e tyre shumë herë, pjesët e trupit i fërkojnë shumë herë, dyshojnë në atë që e kanë pastruar dhe mendojnë se trupin nuk e kanë larë dhe prapë i kthehen të njëjtës. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk shton më shumë se tri herë në larje, vetëm se i sprovuari”.

Ibën Xheuzij, Allahu e mëshiroftë, e përcjell nga Ebi Vefa el Akil, Allahu e mëshiroftë, se një njeri i tha: “Zhytem në ujë shumë herë dhe dyshoj se a jam pastruar apo jo, çka do të më kishit thënë ju për këtë?! Dijetari iu përgjigj: Ik, se nga ti nuk kërkohet namazi! I tha, e si ashtu?! Iu përgjigj: Për arsye se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Është ngritur Lapsi nga tre: nga fëmiu derisa të arrijë moshën e pjekurisë, nga i fjeturi derisa të zgjohet, dhe nga ai i cili ka humbur mendjen derisa t´i kthehet “. Kush zhytet në ujë shumë herë dhe dyshon se a është pastruar apo jo, është i çmendur”.

Ilaçi i këtyre vesveseve është largimi i mendimeve dhe dyshimeve, kundërshtimi i vesveseve  dhe mos dhënia rëndësi fjalëve të shejtanit që dëgjohen në mendje apo në vesh.

Ka nga njerëzit që e zgjasin qëndrimin e tyre nëpër banjo pa nevojë dhe shpesh ndodh që u ik namazi me xhemat dhe më këtë u ikin edhe shumë të mira. Si është e  mundur, që një njeri i mençur të qëndron gjatë me një vend sikurse nevojtoret, ku aty afrohen shejtanët dhe shpirtrat e fëlliqur

Nga vesveset e Iblisit poashtu janë edhe vesveset në namaz. Ka nga njerëzit të cilët nijetin e tyre e thonë me zë të lartë dhe e përsërisin shpesh dhe përpiqen ta shqiptojnë me gojë duke e rritur zërin me shumë mund. Ka mundësi që njeriu të hyn në namaz, e pastaj të del nga ai, për arsye se dyshon në nijetin e tij.

Shqiptimi i nijetit me zë është nga risitë në fe, përsëritja e tij është vesvese, ngritja e zërit është pengesë për njerëzit dhe të adhuruarit e Allahut nëpërmjet tij është risi.

Ka nga njerëzit që e përsërisin tekbirin fillestar disa herë dhe e përsërisin suren Fatiha me vazhdimësi.

Ka nga ata që i përsërisin në namaz disa fjalë apo shkronja shumë herë, derisa ka mundësi t’ju ik edhe ndonjë rekat.

Ka nga ata që shejtani u bën vesvese se nuk kanë abdes apo ju ka prishur abdesi brenda namazit dhe i bën të dalin nga namazi dhe t’i pengon në faljen e tij.

I ndalohet atij që falet të del nga namazi nëse nuk është plotësisht i bindur se e ka prishur abdesin.  Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju ndjen në barkun e tij diçka dhe dyshon se a ka dalë diçka nga ai apo jo, mos të del nga xhamia derisa nuk dëgjon zë apo nuhat erë”.

O ju musliman, çdo herë që afrohen vesveset e Iblisit largoni ato duke kërkuar mbrojtje tek Allahu dhe duke e vepruar të kundërtën e tyre dhe duke i luftuar ato me dituri dhe Synet dhe duke u mbrojtur me dhikër. Shpeshtoni duatë, preokuponi me lexim të Kuranit, përkujdesuni për namazin, largojuni mexhliseve të sherrit dhe shokëve me moral të ligë, jeni të kujdesshëm nga vendet e fëlliqura dhe me erë të keqe, mbështetuni në Allahun nga Iblisi dhe dredhitë e tij dhe kërkoni mbrojtje tek Allahu nga të pështynit, fryrjes dhe të pëshpërituri e tij.

Ndërpritni iluzionet, largoni dyshimet, shtyni vesveset e Iblisit, mos i prishni veprat e juaja dhe mos i shkatërroni adhurimet e juaja dhe mos e humbni namazin e juaj.

Kush kërkon mbrojtje tek Allahu, vetëm se është udhëzuar, kush i mbështetet Atij, vetëm se i ka mjaftuar dhe kush kërkon ndihmë nga Ai, vetëm se e ka mbrojtur dhe shëruar.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU