Palestina përshëndet votën e OKB-së në favor të sovranitetit të saj mbi burimet natyrore

Palestina përshëndet votën e OKB-së në favor të sovranitetit të saj mbi burimet natyrore

Palestina mirëpriti votimin e Kombeve të Bashkuara në favor të një rezolute që pohon të drejtën e saj për sovranitet mbi burimet e saj natyrore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të premten, Komiteti Ekonomik dhe Financiar i OKB-së miratoi një projektrezolutë mbi sovranitetin e përhershëm të popullit palestinez në territorin e pushtuar palestinez, duke përfshirë Kudsin Lindor, dhe të popullsisë arabe në Golanin e pushtuar sirian mbi burimet e tyre natyrore.

Gjithsej 156 vende votuan të premten në favor të rezolutës së OKB-së, shtatë kundër dhe 17 abstenuan.

Në një deklaratë, ministri i Jashtëm palestinez Riyad al-Maliki tha se Izraeli nuk ka sovranitet mbi Palestinën “ose mbi ndonjë nga qytetet e saj”.

“Votimi në favor të kësaj rezolute konfirmon të drejtën dhe sovranitetin e popullit palestinez mbi burimet e tij natyrore, duke përfshirë tokën, ujin dhe burimet energjetike”, tha ai.

Al-Maliki i bëri thirrje Izraelit të “ndalojë shfrytëzimin e burimeve natyrore në territorin e pushtuar palestinez”.

Ai gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëjë presion ndaj Izraelit “për të zbatuar rezolutat ndërkombëtare” që do t’u lejojnë palestinezëve “të përfitojnë nga burimet e tyre natyrore dhe e drejta e tyre për të kërkuar kompensim për shfrytëzimin, dëmtimin, humbjen, varfërimin ose rrezikimin e burimeve të tyre natyrore në çfarëdo mënyre”.

Kryediplomati i Palestinës vuri në dukje se rezoluta është një nga shumë rezoluta të miratuara çdo vit nga OKB-ja që janë në interes të popullit palestinez.